LAJMI I FUNDIT:

Banka e Shqipërisë: Forcimi i lekut e ka ulur inflacionin me 2.5 pikë përqindje

Banka e Shqipërisë: Forcimi i lekut e ka ulur inflacionin me 2.5 pikë përqindje

Përmirësimi i bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare është faktori kryesor që ka sjellë forcimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë në raportin e radhës të politikës monetare, ka sjellë një analizë rreth faktorëve që kanë sjellë forcimin e lekut dhe efekteve të këtij forcimi në ekonomi.


Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit nominal të këmbimit gjatë tremujorëve të fundit ka ardhur kryesisht si rezultat i forcimit të trendit të kursit real të këmbimit, ose me fjalë të tjera i përmirësimit strukturor të sektorit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjes në tërësi të produktivitetit të saj, si edhe i rënies së primeve të rrezikut, ose e thënë ndryshe, i rritjes së besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Të dy këta faktorë duket se diktohen nga përmirësimi strukturor i bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, përmirësim i cili ilustrohet me disa tregues.

Deficiti i llogarisë korrente ka pasur një trend të qartë rënës gjatë kësaj periudhe, nga niveli 7.7 për qind i PBB në vitin 2021 në nivelin 6 për qind në vitin 2022 dhe më tej në 3.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023.

Ky përmirësim është diktuar nga rritja e kërkesës së huaj për shërbimet shqiptare të turizmit.

Flukset hyrëse të turizmit arritën nivelin e 2.8 miliardë eurove në 2022 dhe të 624 milionë eurove në tremujorin e parë të vitit 2023, duke përshpejtuar ndjeshëm normat e rritjes.

Paralelisht me to, remitancat kanë ardhur në rritje, duke siguruar prurje valutore rreth 833.7 milionë euro në 2022 dhe 213.7 milionë euro në tremujorin e parë të vitit atual.

Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) arritën në nivele të larta historike prej 1.3 miliardë euro në vitin 2022, me një rritje 33 %, dhe mbetën të larta edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

Në aspektin makroekonomik, Banka e Shqipërisë vlerëson se forcimi i kursit të këmbimit ka qenë faktori kryesor në nivelet e ulëta të inflacionit në vend, nivele të cilat kanë qenë dhe mbeten më të ulëtat në rajon, duke reduktuar pasojat negative të goditjes së huaj në fuqinë blerëse të familjeve shqiptare.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, në mungesë të forcimit të kursit gjatë dy viteve të fundit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 pikë përqindje më e lartë.

Gjithashtu, sipas Bankës së Shqipërisë forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar në forcimin e stabilitetit financiar, nëpërmjet përmirësimit të bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë dhe efektit pozitiv në nivelin e kredive me probleme, të cilat mbeten në nivele të ulëta.

Banka qendrore vlerëson se forcimi i kursit të këmbimit ka rritur qëndrueshmërinë e borxhit të huaj dhe atij publik të ekonomisë shqiptare, duke ndihmuar në mënyrë indirekte edhe në uljen e kostove të shërbimit dhe të rifinancimit të tyre.

Mbështetur në analizën e mësipërme, Banka e Shqipërisë vlerëson se, në prani të presioneve të forta inflacioniste në tregjet e huaja, forcimi i lekut ka ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, në ruajtjen në nivele të ulëta të normave të interesit dhe të kostove të financimit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori