Të dielën në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash.

Analistët në “Debat Plus” kanë komentuar trendet e ditëve të fundit të fushatës që po zhvillohet fshat më fshat e qytet më qytet.

Vehbi Kajtazi thotë se kandidati i LDK-së Përparim Rama ka një avantazh ndaj Arben Vitisë.

“Edhe paraqitja televizive e ditëve të fundit ka ndikuar në këtë trend. Edhe programi në përmbajtje favorizon më shumë kandidatin e LDK-së ndoshta edhe pse është arkitekt”, deklaroi Kajtazi.

Arton Demhasaj thotë se gara për Prishtinën është shumë e fortë pasi sipas tij ende nuk ka ndonjë koalicion zyrtar.

“Gara është shumë e barabartë. Mundësia është që të përsëritet skenari vitit 2013 kur është rrëzuar Isa Mustafa. Pra pavarësisht se ai kishte një avantazh të thellë në raundin e parë, në balotazh u bënë të gjithë kundër tij dhe humbi garën. Mund të ketë një skenar që PDK, AAK apo dhe AKR ta mbështesin zotin Rama dhe të përmbyset gara”, deklaroi Demhasaj.

Taulant Kryeziu thotë se Kurti mund të ketë bërë gabime me përzgjedhjen e kandidatëve, por sipas tij edhe qytetarët presin rezultate të shpejta nga kryeministri për premtimet e forta.

“LVV së paku duhet t’i ketë dy komuna të mëdha të fituara.

Visar Ymeri  thotë se gara në Prishtinë do të jetë e ngushtë, por sipas tij për shkak të mobilizimit të partisë Arben Vitia mund të ketë një avantazh.

“Megjithatë siguri shumë më tepër në debate reflekton Përparim Rama se Arben Vitia. Vitia në debate e përmend si tepër partinë duke theksuar një frikë të tij. Stërtheksimi i mbështetjes së partisë tregon një pasiguri të brendshme”, deklaroi Visar Ymeri.

Bujar Dugolli thotë se LDK-ja nuk kishte ndonjë kandidat tjetër dhe e solli Përparim Ramën.

“Elektorati i PDK-së, AAK-së apo AKR-së kanë shumë peshë nëse ata pozicionohen në garën për Prishtinën. Nëse ata abstenojnë është shumë e çartë gara se Arben Vitia fiton shumë bindshëm. Deri më tani nuk ka ndonjë sinjal për bashkëpunime, prandaj e shoh fitues Arben Vitinë dhe LVV-në në Prishtinë”.

Dardan Gashi thotë se Prishtina kësaj radhe është me fat që do të zgjedh mes dy kandidatëve të mirë.

“Përparim Rama është simpatik pasi qysh në fillim e ka mbajtur një distancë ndaj partisë dhe nuk e fshihte faktin se ka votuar dy herë Shpend Ahmetin. Vlen për t’u theksuar se Përparim Rama është përshtatur shumë me partinë për këta muaj. Arben Vitia ka fillua mu burokratizua dhe ka frikë t’i thotë mendimet e veta. Fryma në PDK dhe AAK është që të ndihmohet Përparim Rama në garën e Prishtinës. Nëse ndodh kështu shoh që Përparim Rama ka një avantazh të mirë ndaj Arben Vitisë”, deklaroi Gashi./Telegrafi/