LAJMI I FUNDIT:

Bahtiri takon Këshillin Protestues të “Trepçës”, do të formohet bord i përkohshëm mbikëqyrës për shqyrtimin e konkursit

Bahtiri takon Këshillin Protestues të “Trepçës”, do të formohet bord i përkohshëm mbikëqyrës për shqyrtimin e konkursit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim përfaqësuesit nga Këshilli Protestues i “Trepça” në krye me Arsim Musa, ndërsa gjatë këtij takimi bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të formojë një bord mbikëqyrës të përkohshëm në këtë ndërmarrje, i cili do të merret me vlerësimin dhe shqyrtimin e këtij konkursi në bazë të procedurave ligjore.

Në njoftim thuhet se Këshilli Protestues ka njoftuar kryetarin Bahtiri, lidhur me pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje, si dhe hapat e mëtutjeshëm të cilët ata do t’i ndërmarrin.


Sipas njoftimit për media, Arsim Musa, në emër të Këshillit Protestues ka bërë të ditur se pas realizimit të kërkesës së tyre për shkarkimin e bordit të kësaj ndërmarrje, nga Qeveria e Kosovës, ata do të vazhdojnë me protesta deri në plotësimin edhe të dy kërkesave, anulimin e konkursit, duke mos përfshirë fëmijët e ish- minatorëve si dhe shkarkimin e menaxhmentit.

Ndërsa, Bahtiri, njoftoi se Qeveria e Kosovës të premten do të formojë një bord mbikëqyrës të përkohshëm në ndërmarrjen “Trepça”, i cili do të merret me vlerësimin dhe shqyrtimin e këtij konkursi në bazë të procedurave ligjore.

Po ashtu, Bahtiri pas paralajmërimit të protestës së dhunshme nga Këshilli Protestues, kërkoi që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme, duke u fokusuar vetëm tek trajtimi i kërkesave të tyre.

Me këtë rast, Këshilli Protestues u dakordua që protesta e cila do të mbahet të premten para objektit të menaxhmentit të “Trepçës” të jetë e qetë, ku do të mblidhen nënshkrimet e personave protestues, për t’iu drejtuar me një peticion Inspektoratit të Punës lidhur me ankesat e tyre. /Telegrafi/