LAJMI I FUNDIT:

Bahtiri: Marrëveshja për rivitalizimin e urës së Ibrit nuk guxon të dështojë

Bahtiri: Marrëveshja për rivitalizimin e urës së Ibrit nuk guxon të dështojë

Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mbetur aty ku edhe ka nisur. Përveç rrethojave që u vendosën vitin e kaluar asgjë më nuk u prek në urën që nga serbët lokal njihet edhe si “Parku i Paqes”.

Ditë më parë në media u tha se rivitalizimi i urës mund të dështojë pasi që të gjitha afatet e parapara sipas marrëveshjes kanë kaluar.


Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Bahtiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se marrëveshja për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, nuk guxon assesi të dështojë.

“Marrëveshja assesi nuk guxon të dështoj. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me BE-në, si dhe kryetarin Goran Rakiq për implementimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Bahtiri.

Ai më tej ka bërë të ditur se tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryente punimet ka përfunduar dhe se është bërë përzgjedhja e një kompanie shumë serioze.

“Tenderi ka përfunduar dhe është zgjedhur një kompani shumë serioze, një ndër më të fuqishmet e cila ka garantuar që përfundimi i punëve do të bëhet brenda afateve të parapara sipas marrëveshjes”, u shpreh Bahtiri.

I pari i Mitrovicës më tej është shprehur se BE-ja kishte kërkuar fillimisht leje për vazhdimin e punëve tek Drejtoria e Urbanizmit, e cila menjëherë e ka dhënë lejen për të vazhduar me tutje.

“Tani jemi në fazën përfundimtare të proceduarave për fillimin e punëve dhe implementimit të marrëveshjes. Shpresoj që ky fillim i punës të jetë i mbarë, duke e ditur gjithashtu se është një projekt madhor për të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës, pa dallim të nacionaliteteve”, ka shtuar më tej Bahtiri.

Sipas Bahtirit, pas fillimit të implementimit të marrëveshjes së BE-së e cila pritet të bëhet në fund të këtij qershori, qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë urën tani në kuptimin e vërtetë, për të mundësuar komunikimin dhe lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës, e cila do të kontribuojë në stabilitetin e mëtutjeshëm të situatës në vend.

Bahtiri ka shtuar se sa i përket kostos, përgjegjësinë për implementimin e marrëveshjes dhe për financimin e saj do ta ketë BE.

Ai ka thënë gjithashtu se tani është koha që BE të punojë me tutje për implementimin e marrëveshjes.

Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër është paraparë me marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë e arritur me 25 gusht të vitit të kaluar në mes të Prishtinës dhe Beogradit. /Telegrafi/