LAJMI I FUNDIT:

Azerbajxhani ndalon mediat kritike ndaj pushtetit

Azerbajxhani ndalon mediat kritike ndaj pushtetit

Një gjykatë e Azerbajxhanit urdhëroi sot bllokimin e disa faqeve të internetit që i përkisnin mediave kritike ndaj pushtetit të presidentit, Ilham Aliev, mes të cilave bën pjesë edhe “Radio Free Europe”, ka njoftuar një gazetar.

Faqja “Radio Azadlyg”, dega azere “Radio Free Europe”, media e financuar nga Kongresi i SHBA, u bllokua gjithashtu, si dhe televizionet që transmetojnë në internet “Saati TV”, “Turan TV” dhe “Meidan TV”.


Duke marrë këtë vendim, gjykata ka shkaktuar satisfaksion në Ministrinë e Komunikacionit, që kishte theksuar se këto media përbëjnë një kërcënim për interesat legjitime të shtetit dhe të shoqërisë në këtë ish-republikë sovjetike të Kaukazit të Jugut, i pasur me hidrokarbure.

Avokatët e këtyre mediave kanë denoncuar gjithashtu një vendim të paligjshëm dhe të pabazuar.

“Ky vendim shkel normat e ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi avokati, Samed Ragimov.

Azerbajxhani është kritikuar shpesh nga OJQ-të ndërkombëtare për abuzime kundër mbështetësve të të drejtave të njeriut dhe personave kritikë me Ilham Aliev, i cili hedh poshtë këto akuza.