Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka deklaruar se partia po synon unifikimin e plotë dhe rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, duke mos përjashtuar as mundësinë e rikthimit të ish-presidentes Vjosa Osmanit.

Në një konferencë për media, Azemi theksoi se LDK po punon për bashkimin e spektrit të djathtë politik dhe forcimin e strukturës së saj.


“LDK po synon kthimin e gjithë anëtarëve të saj kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK sepse e djathta duhet me u bashku. Kësisoj po synojmë të unifikojmë partinë siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, deklaroi Azemi.

Ai shtoi se ky proces është pjesë e një qasjeje më të gjerë për rikthimin e fuqisë politike të LDK-së dhe konsolidimin e saj në skenën politike në vend.

Sipas tij, unifikimi i brendshëm mbetet një ndër prioritetet kryesore të partisë në këtë fazë politike.

Ndryshe Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për emërimin e Kryesisë së re të partisë, në kuadër të procesit të riorganizimit të brendshëm politik.

LDK ka paralajmëruar se Kryesia mund të plotësohet edhe më tej.

“Në ditët në vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje”, ka njoftuar partia. /Telegrafi/