LAJMI I FUNDIT:

Azemi: Gastronomia sektori më i dëmtuar, do të marrë shumë kohë për tu përmirësuar gjendja

Azemi: Gastronomia sektori më i dëmtuar, do të marrë shumë kohë për tu përmirësuar gjendja

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për emisionin “Përballje ditore”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ka folur në lidhje me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat dhe kategoritë më të rënduara ekonomikisht si pasojë e masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë për mbylljen e bizneseve në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Gjatë kësaj interviste, Azemi foli për gjendjen në sektorin privat, me theks të veçantë në kategoritë të cilat janë prekur më shumë nga kjo situatë.


Jusuf Azemi dëshmon në prokurori për keqpërdorimet e mundshme me Pakon Fiskale nga kompanitë dhe bizneset
Lexo po ashtu Jusuf Azemi dëshmon në prokurori për keqpërdorimet e mundshme me Pakon Fiskale nga kompanitë dhe bizneset

Ai gjithashtu, në këtë intervistë foli për keqpërdorimet e mundshme me mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës, përmes Pakos Emergjente Fiskale.

Jusuf Azemi-Kryetar i SPSPK, gjatë intervistës në Telegrafi.com

Sipas kryetarit të SPSPK-së, sektori më i prekur gjatë kësaj kohe ka qenë gastronomia, ndërsa në gjendje më të rënduar sipas tij janë punëtorët të cilët kanë punuar pa kontrata.

“Si kategoria më e rëndume janë punëtorët të cilët kanë punu pa kontrata pune me vite të tëra. Edhe në këtë rast do të thotë, tani ka ardh kulminacioni i atyre për të cilat kemi biseduar më herët. Më të dëmtuarit janë punëtorët e kafiterive, restoranteve, pasi edhe përkundër se janë hap, gjendja është tepër e rëndë sepse në njërën anë njerëzit nuk kanë mjete monetare që të themi në njëfarë forme të bëjnë luks, në anën tjetër është normale që pronarët e kompanive nuk do të jenë në gjendje që t’i mbajnë gjithë këta punëtorë sepse kur nuk ka konsum, nuk ka edhe qarkullim”, tha Azemi.

Gjendja ne sektorin privat, sidomos në gastronomi, sipas Azemit pritet që të marrë shumë më shumë kohë për tu përmirësuar.

“Normal kanë qenë si pjesë e dëmtume edhe ndërtimtarët, që tashmë kanë filluar punën. Por, pjesa që në njëfarë forme do të jetë në një kohë bukur të gjatë nëse mund të them e zhagitur, do të jetë sidomos gastronomia”, tha Azemi.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së. /Telegrafi/