Një rishikim gjithëpërfshirëse i financave lokale në Kosovë ka nxjerrë në pah sfida serioze për autonominë e komunave, duke konstatuar se pushteti lokal mbetet i varur tejet nga transferet e qeverisë qendrore dhe ka një llogaridhënie sociale të kufizuar.

Raporti i hartuar nga projekti DEMOS III, e rendit Kosovën me një "nivel mesatar" të autonomisë lokale, me vetëm 18 pikë nga 37 të mundshme sipas Indeksit të Autonomisë Lokale.


Varësia nga Grantet dhe "Anemia" e të Hyrave Vetanake

Sipas gjetjeve të raportit, struktura e buxheteve komunale mbetet e pandryshuar: grantet specifike (arsimi dhe shëndetësia) mbulojnë rreth 50% të buxhetit, ndërsa granti i përgjithshëm zë një të tretën. Problem mbetet niveli i ulët i të hyrave vetanake, të cilat përfaqësojnë vetëm 15% të buxhetit total të komunave.

Brenda këtyre të hyrave, taksa e pronës (33%) dhe tarifat e ndërtimit (30%) mbeten shtyllat kryesore, por raporti thekson se mbledhja është e përqendruar në Prishtinë dhe qendrat e mëdha urbane. Një gjetje shqetësuese është se zbritja e taksës së pronës nga llogaritja e grantit të përgjithshëm po krijon "kundërstimuj" për komunat që të rrisin mbledhjen e të hyrave.

Sfida e "Detyrimeve të Fshehura"

Raporti alarmon për rritjen drastike të detyrimeve kontingjente (barrës së fshehtë buxhetore), e cila është rritur ndjeshëm që nga viti 2021.

Këto detyrime, që vijnë kryesisht nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, përfaqësojnë tashmë 42% të barrës totale qeveritare, duke rrezikuar stabilitetin financiar të komunave si Prishtina, Gjilani dhe Ferizaj.

Rekomandimet për Reformë: Nga Turizmi te Taksa e Automjeteve

Për të dalë nga kjo situatë, ekspertët e DEMOS III propozojnë një "nivel të ri të decentralizimit" përmes:

  • Diversifikimit të të hyrave: Futja e taksës së akomodimit (turizmit), taksës për automjete motorike (ku ndotësit më të mëdhenj paguajnë më shumë) dhe taksës në vlerë për bizneset.
  • Autonomisë në personelin publik: Lehtësimi i rregulloreve të rrepta të Ministrisë së Financave për punësimin, për t'i lejuar komunat t'u përgjigjen nevojave specifike lokale.
  • Reformës së Granteve: Lidhja e grantit të përgjithshëm me të hyrat tatimore kombëtare për më shumë parashikueshmëri dhe transformimi i granteve specifike në "grante bllok".

Llogaridhënia Politike në Pyetje

Në aspektin politik, raporti vëren se kryetarët e komunave mbeten më shumë llogaridhënës ndaj partive politike që i kanë nominuar sesa ndaj qytetarëve apo asambleve komunale. Po ashtu, theksohet se në katër komunat e veriut mungojnë të dhënat e besueshme dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka qenë jashtëzakonisht e ulët, duke penguar procesin e integrimit fiskal.

Ky raport pritet të shërbejë si udhërrëfyes për ndryshimet e ardhshme legjislative në Kosovë, duke synuar që modernizimi i sektorit publik të përkthehet në shërbime më cilësore për qytetarin. /Telegrafi/