LAJMI I FUNDIT:

Auditori Osmani kritikohet për mos auditimin financiar të RTK-së

Auditori Osmani kritikohet për mos auditimin financiar të RTK-së

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere auditori i përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani për herën e dytë sot ka dhënë informacione shtesë për raportin vjetor financiar për vitin 2020.

Në kritikat e deputetëve nga Vetëvendosje për mos audutitimin pasqyrave financiare të televizionit publik, Osmani tha se janë duke pritur një opinion ligjor nga Kuvendi i Kosovës për auditimin e RTK-së.

Dhe siç tha ai do të veprojnë në bazë të këtij opinioni të Kuvendit.

Deputeti Eman Rrahmani tha se është shqetësuese të mos prezantohet saktë dhe drejt raporti vjetor i ZKA nga auditori në detyrë.

Rrahmani ka kritikuar Osmanin për gabimet siç tha ai të një pasnjëshme për mos auditimin e mediumit publik.

“Është shqetësuese që auditorit i duhen dy mbledhje të raportoj për ta mbrojtur raportin për gabimet e ZKA-së”, tha Rrahmani.

Osmani tha se sa i përket RTK-së ka dorëzuar një dosje në Kuvend që të ketë një qartësi ligjore lidhur me auditimin.

“Faktikisht një përgjigje për interpretim nga Kuvendi ende nuk e kam marrë”, tha Osmani.

Sërish pas kësaj ka insistuar deputeti Rrahmani, duke thënë se kuvendi ka lëshuar një opinion ligjor për këtë çështje, teksa ka lexuar këtë, shtoi se në bazë të kësaj përgjigje nga Kuvendi, ZKA ka të drejt të auditoj RTK dhe secilin institucion që ka buxhet nga Qeveria.

“A e ndieni veten përgjegjës për mos auditimin e RTK-së?”, ka pyetur ai Osmanin.

Edhe për këtë Osmani pati një përgjigje.

“Natyrisht që nuk e ndiej veten përgjegjës, por krenar që në mandatin tim kemi rrit numrin e auditimit për ndërmarrjet publike. RTK nuk është organizatë buxhetore. Përgjigje tjetër nuk ka. Sa po të marr zyrtarisht shkresën nga Kuvendi do të veprojmë në bazë të saj. Mandati im ka skaduar më 1 prill, dhe detyrat e mia po i kryej deri në zgjedhje e auditorit të ri”, tha ai.

Për kundër kritikave që i mori Osmani nga deputetët e VV-së, ai mori lëvëdata nga Avdullah Hoti.

Ndërsa, deputeti i PDK-së Bedri Hamza ka kërkuar nga kryetari i Komisionit, Armend Muja që të respektohet Rregullorja e punës së Kuvendit, pasi sipas tij disa deputet nga VV nuk po i përmbahen Rregullores, të cilët sipas tij po e tejkalojnë minutazhen e diskutimit dhe pyetjet.

Derisa, opinionin ligjor të Kuvendit të prezantuar nga deputeti Rrahmani, deputeti Hamza tha se është gabim.

Megjithatë, Komisioni pas shumë diskutimeve me shumicë votash ka miratuar raportin vjetor financiar të ZKA-së për vitin 2020.

Ndërsa, në Komision tash është duke raportuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur më regjistrimin e Popullsisë. /KP/