LAJMI I FUNDIT:

ATK: Pajisja me certifikatë të Tatimit në Burim është obligim ligjor

ATK: Pajisja me certifikatë të Tatimit në Burim është obligim ligjor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ri-kujton të gjithë personat fizikë afarist dhe personat juridikë, se janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim për pagesat që i bëjnë për: paga dhe pensione, interes, të drejta pronësore, qira, kategori të veçanta dhe për pagesa të caktuara për jo rezidentë, ashtu siç është përcaktuar në legjislacionin tatimor.

“Secili person i cili mban Tatimin në Burim, është i obliguar që deri më 1 mars të vitit vijues të periudhës tatimore për të cilën ka mbajtur Tatimin në Burim, t’i sigurojë pranuesit të të ardhurave, certifikatën e tatimit të mbajtur në burim në formën e specifikuar nga ATK”, thuhet në njoftimin e ATK-së, përcjell Telegrafi.


ATK, ka të publikuara format e certifikatës së Tatimit të mbajtur në Burim, të cilat mund t’i shkarkoni dhe t’i përdorni për t’i pajisur pranuesit e të ardhurave.

Më konkretisht, në ueb-faqe të ATK-së, në linkun ‘Shkarko deklaratë elektronike’, mund të gjeni format e certifikatës së Tatimit të mbajtur në Burim, si certifikata e Kontributit Pensional dhe mbajtjes në burim të Tatimit në Paga dhe certifikata e mbajtjes në burim të Tatimit mbi Interesin, të drejtat pronësore, qiratë, jo-rezidentët dhe kategoritë e veçanta.

Andaj, ATK u bënë thirrje të gjithë personave që të mbajnë tatimin në burim, si dhe pranuesit të të ardhurave, t’iu sigurojnë ceritifikatën e tatimit të mbajtur në burim.

Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare, siç janë ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. /Telegrafi/