LAJMI I FUNDIT:

Asteroidi me madhësinë e një elefanti kalon Tokën në një nga takimet më të afërta ndonjëherë

Asteroidi me madhësinë e një elefanti kalon Tokën në një nga takimet më të afërta ndonjëherë

Një asteroid me madhësinë e një elefanti ka kaluar mbi planetin Tokë në një nga takimet më të afërta që është regjistruar ndonjëherë.

Shkëmbi hapësinor, i quajtur 2023 BU, ishte parashikuar që të kalonte mbi pjesën më jugore të Amerikës Jugore të premten rreth orës 00:29 sipas kohës lokale, afro 3,540 kilometra (2,200 milje) mbi sipërfaqen e Tokës.


Kjo e bën atë kalimin e katërt më të afërt nga një asteroid mbi Tokë i regjistruar ndonjëherë, raporton Sky News, transmeton Telegrafi.

Si krahasim, disa satelitë qëndrojnë në lartësi prej më shumë se 33,796 kilometra (21,000 milje)

NASA para kalimit të asteroidit insistoi se ky asteroid nuk kishte asnjë gjasë që ta godiste Tokën – por edhe nëse do të afrohej shumë, shkencëtarët thanë se do të digjej lartë gjatë hyrjes në atmosferë.

U vlerësua se përmasat e asteroidit ishin 3.50 metra me 8.53 metra.

Madhësia e tij llogaritej të ishte e barabartë me një elefant ose një minibus.

Teleskopët robotikë kapën imazhin e asteroidit

Përderisa çdo asteroid afër Tokës do të pësoj një ndryshim në trajektore për shkak të gravitetit të planetit, 2023 BU u afrua aq afër sa rruga e tij rreth Diellit pritet të jetë ndryshuar ndjeshëm.

Projekti “Virtual Telescope” një set i teleskopëve të robotikë, të cilët kanë qasje edhe nga interneti, e kapën atë duke kaluar në një distancë prej 37,000 kilometrave (23,000 milje).

Imazhi u kap nga njësia robotike e projektit “Elena”.

Në një postim në faqen e internetit ekipi i këtij projekti deklaroi: “Fotografimi i asteroidit nuk ishte aq i lehtë për shkak se qielli ishte i mbushur me re shumicën e kohës, kështu që ne duhej që ta shtynim transmetimin tonë të drejtpërdrejtë disa herë”.

Asteroidi i njëjtë “ka kaluar mbi Tokë mijëra herë”

Para se asteroidi të kalonte trajektoren e Tokës, profesori Don Pollacco, nga departamenti i fizikës në Universitetin e Warwick, tha: “Ka ende shumë asteroide të cilat kalojnë në orbitën e Tokës që presin të zbulohen. 2023 BU, është një objekt i zbuluar së fundmi i cili supozohet që të ketë madhësinë e një minibusi dhe i cili më herët mund të ketë kaluar mbi Tokë mijëra herë”.

“Këtë herë kaloj në lartësi prej vetëm 3,540 kilometrave (2,200 milje) mbi Tokën – apo vetëm 10 për qind nga distanca me Hënën. Në varësi të asaj se nga çfarë përbëhet 2023 BU, nuk ka gjasa të arrijë ndonjëherë në sipërfaqen e Tokës, por në vend të kësaj do të digjet në atmosferë si një top zjarri i shkëlqyeshëm – më i ndritshëm se një hënë e plotë”, shtoi tutje ai.

“Sidoqoftë, ka shumë të ngjarë që ka shumë asteroidë që mbeten të pazbuluar dhe që mund të depërtojnë në atmosferë dhe të godasin sipërfaqen – me të vërtetë shumë shkencëtarë mendojnë se mund të jemi me vonesë që ta zbulojmë një ngjarje të tillë”, vazhdoi Pollacco. /Telegrafi/