LAJMI I FUNDIT:

ASK: Deficiti tregtar gjatë muajit janar 2018 më i lartë për 36%

ASK: Deficiti tregtar gjatë muajit janar 2018 më i lartë për 36%

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 36 për qind në muajin janar 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 170.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 125.4 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 12.6 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin janar 2018 kishte vlerën 24.5 milionë euro, ndërsa importi 195.0 milionë Euro, që është një rritje prej 14.3 për qind për eksport dhe një rritje prej 32.8 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.


Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 43.4 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.4 për qind) e përbëjnë produktet minerale; 9.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.5 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 4.3 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.0 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.5 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.6 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.8 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.4 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.5 për qind e përbëjnë produktet bimore; 5.4 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.3 milionë Euro, ose rreth 25.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.5 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.1 për qind), Holanda (4.4 për qind), Bullgaria (2.8 për qind) dhe Italia (2.6 për qind).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 83.0 milionë Euro, ose 42.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.1 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (9.9 për qind), Italia (5.3 për qind), Rumania (4.9 për qind), Greqia (3.2 për qind), etj.

Në muajin janar 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 9.7 milionë Euro, ose 39.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 38.8 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.7 për qind), Maqedonia (10.2 për qind), Mali i Zi (6.4 për qind) dhe Serbia (5.7 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 arritën në 53.4 milionë Euro, ose 27.4 të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 44.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.9 për qind), Shqipëria (4.8 për qind), Maqedonia (4.0 për qind) dhe B&H (2.4 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.4 milionë Euro, ose 34.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (22.3 për qind) dhe Zvicra (6.0 për qind).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 58.5 milionë Euro, ose 30.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.8 për qind) dhe Turqia (8.3 për qind). /Telegrafi/