ASH: Edhe pas dy vitesh në pushtet, VLEN ende nuk ka arritur të sigurojë zëvendësdrejtor shqiptar në ASHMAA

Edhe pas dy vitesh në pushtet, VLEN ende nuk ka arritur të sigurojë zëvendësdrejtor shqiptar në “Agjencinë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele”, thuhet në komunikatën për media të Alencës për Shqiptarët.
Kjo vetëm sa dëshmon paaftësinë dhe mashtrimin politik, thonë nga kjo parti.
"U premtua dinjitet, u premtua përfaqësim, u premtuan ndryshime. Çfarë sollët në të vërtetë? As përparim në zbatimin e gjuhës shqipe, as rezultate në punësime, asnjë hap në eurointegrime.
Një pjesë e juaj, që sot shiteni si “ndryshim”, jeni pjesë e pushtetit prej 25 vitesh. Prandaj askush nuk u beson më arsyetimeve, justifikimeve dhe teatrit politik. Nuk mund të rrini me dekada në pushtet dhe pastaj të silleni sikur nuk keni asnjë përgjegjësi për dështimet. Mund ta ndryshoni sa të doni ngjyrën e CV-së suaj politike, por dështimet mbeten pjesë e saj.
Është e qartë se VLEN nuk erdhi për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve, por për t’i mbuluar ato me propagandë. Ashtu siç keni vepruar në 23 vitet para kësaj qeverie, ashtu po veproni edhe në këto 2 vite qeverisje si VLEN. E ndryshuat logon, por jo veset. E ndryshuat emrin, por jo dështimin e vazhdueshëm.
Paaftësia juaj po shihet çdo ditë: në gjuhë, në arsim, në përfaqësim, në punësime, në integrime. Kudo premtime, askund rezultate.
Shqiptarët nuk kanë më nevojë për fjalë të mëdha. Fjalët e mëdha i dëgjuam gjatë 23 viteve të kaluara. Shqiptarët kanë nevojë për rezultate. Me emrin tuaj të ri, VLEN, dhe me gjithsej 25 vite rreth pushtetit, vazhdoni të dështoni", thonë nga ASH.




















































