LAJMI I FUNDIT:

Asfaltohen rrugët në veri të Kosovës

Asfaltohen rrugët në veri të Kosovës

Në pjesën veriore e Mitrovicës, në fshatrat që jetojnë shqiptarët atje deri vonë rrugët kanë qenë të paasfaltuara dhe qarkullimi i tyre në pjesën jugore bëhej me vështirësi, e sidomos në kohën kur kishte barrikada.

Por, së fundmi Qeveria e Kosovës ka nisur investimet në infrastrukturë ku është asfaltuar një rrugë në fshatin Bistricë e cila lidh drejtpërdrejt banorët e veriut me pjesën jugore të qytetit.


Kjo pjesë e veriut të Kosovës, lidhë tre fshatra të banuara më popullsi shqiptare, përkatësisht fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë.

Banorët e kësaj ane përtej sfidave të vazhdueshme të sigurisë kishin edhe problem infrastrukturor, sidomos gjatë udhëtimit për në pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës.

Së fundmi, Ministria e Infrastrukturës ka vazhduar punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Bistricë.

Banorët e kanë mirëpritur këtë investim dhe thonë se nuk kanë më vështirësi në lëvizje.

”Vështirësi nuk ka më për qarkullim, është lehtësuar edhe jetesa në këto tri fshatra”, thotë Lulëzim Hetemi, banor.

Ani pse fshat i banuar me pak banorë, asfaltimi i rrugës ka nisur të rikthej interesimin e atyre që janë shpërngulur, madje dikush ka nisur edhe punimet në bujqësi.

“Është privilegj dhe një kënaqësi për neve që jemi banorë të këtij fshati. Tani mund të kthehen edhe ata që janë larguar, por edhe të na vizitojnë kohë pas kohe“, tha Sokol Haliti, banor.

Vite më parë dhe në kohën e barrikadave këta banorë janë detyruar të ecnin me kilometra në këmbë për t`u furnizuar me ushqim, e duke shfrytëzuar rrugët alternative. Tashmë kjo rrugë i lidhë direkt me qytetin e Mitrovicës, raporton televizioni publik.