Nga: Jonathan Jones / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com
Anselm Kiefer po ia jep dorën e fundit ekspozitës Përshpirtja e Fineganit [Finnegans Wake], me ndihmën e një kamioni me vinç. Salla e madhe në galerinë White Cube Bermondsey, është e mbushur me një grumbull betoni të copëtuar e të rrethuar me telat me gjemba – si një bunker i bombarduar i Luftës së Dytë Botërore. Shikoj se si artisti 78-vjeçar drejton rënien e pjesës së fundit të rrënojave, duke e shtyrë anash një copë të metalit të ndryshkur. “E përkryer”, thotë ai.
Kur ulemi për të biseduar, tregon se si e hoqi këtë masë nga studioja e vet. “Ishte dysheme dhe e preva anash dhe ra. Ishte e mrekullueshme! Vërtet e madhe. Dhe, e pata idenë se është fantastike … sepse është fillimi i diçkaje, jo fundi. Është fillimi. Kështu që e solla këtu”.
Dyshemeja e copëtuar është njëra nga seritë e instalimeve dhe pikturave që shumohen dhe ndërthuren në labirintin e ekspozitës së re të Kieferit në Londër. Hasni te gjarpërinjtë e artë, librat e bronzit, ushtarët lodra dhe një vitrinë në të cilën një zemër peshohet me një penë (duke e ilustruar besimin e lashtë egjiptian për gjykimin pas vdekjes – “Nëse zemra juaj është më e rëndë se një penë, shkoni në ferr!”). Gjithçka është grumbulluar për ta shënuar tekstin modern, mitik dhe ëndërrimtar të Xhojsit [James Joyce], Finnegans Wake. Titulli i masës së betonit është citim nga libri, të cilin ai e ka shkruar nëpër murin e galerisë: “Phall if you but will, rise you must”! Ai e sheh historinë si cikël të ngritjes dhe rënies, të rënies dhe ngritjes …
Mbetjet e betonit më duken tragjike, ndërsa pluhuri gri ngrihet nga rrënojat nën dritat e zbehta, por Kieferi shpjegon se i sheh rrënojat si fillim dhe jo si fund. Kjo vjen nga lindja në vitin 1945, në muajt e fundit apokaliptik të luftës, në Donoeshingen – qytet ky i bukur në Pyllin e Zi.
“Kur linda, në spital isha me nënën, në një bodrum. Dhe, pak më vonë atë natë, shtëpia jonë u bombardua. Nëse nuk do të ishin në spital, do të kishin vdekur, përfshirë mua. Është interesante, apo jo? Pastaj, si fëmijë nuk kisha Spielzeuge – asnjë lodër. Kështu, i ndërtova të gjithat me tullat e rrënojave. Kisha gjithçka që doja. Sepse, familja ime u vendos në shtëpinë pranë shtëpisë së bombarduar. Isha pranë rrënojave, ishte fantastike. Si fëmijë nuk gjykon. E merr atë që është dhe e mban. Për mua nuk ishte katastrofë. Ishin lodrat e mia”.
Fëmijëria e Kieferit, në një vend të rrënuar, pranë shtëpisë së rrënuar të familjes, e bëri artistin atë që është: të tillë që gërmon vendin e bombardimeve të historisë moderne. Pikturat dhe instalacionet e tij përfshijnë makthet e së kaluarës.
Megjithatë, veprat e tij ndonjëherë janë akuzuar. Edhe pse e njoh, jam i befasuar kur bën përshëndetje naziste. Është rikthim i improvizuar i “Veprimit” kontrovers, siç e cilëson ai, me të cilën si artist i ri në vitin 1969 e shpalli synimin e tij për ta parë historinë e Gjermanisë drejt e në sy. Kieferi qëndroi në peizazhe romantike, buzë detit ose përpara tempujve klasikë, për t’u fotografuar e për ta bërë të njëjtin përshëndetje me dorën drejt, siç ma bëri mua. Sipas tij, performanca e tij Fawltyesque ishte tallje për vullnetin për pushtet. Personi i parë që e bëri këtë, më thotë, ishte artisti i madh i performancës dhe skulptori i ndjerë Joseph Beuys, i cili thjesht deklaroi: “Është veprim i mirë”.
Kur e pyes nëse loja në rrënojat e bombarduara e bëri artist, ai thotë se nuk ishte aq e thjeshtë. U rrit në një familje të kulturuar, artdashëse. “Kisha një teze që bënte akuarele dhe kështu që piktorët dhe artistët ishin gjithmonë të pranishëm, nëpër libra, në ato që më thoshin: Klee, Kandinsky, Van Gogh. Të gjithë këta piktorë që nuk u vlerësuan në Rajhun e Tretë, por pas luftës gjermanët u përpoqën ta bënin më të mirën”.
Hija e Van Goghut është në ekspozitën e tij të re në një nivel ekstravagant dhe mahnitës. Piktura e tij gjigante e quajtur Meednight Sunflower – nga një citim tjetër i Xhojsit – është vizion i lulediellit të gjatë e me petale të zeza. Për mua janë makabre, por Kiefer i sheh si simbole të natyrës ciklike të qenësisë: “Fillimisht, luledielli është i lidhur me yjet, sepse lëviz kokën kah dielli. Dhe, natën rri mbyllur. Në momentin që shpërthejnë, janë të verdha dhe fantastike: kjo tashmë është pika e rënies. Pra, luledielli është simbol i gjendjes sonë d’etre”.
Një kanavacë tjetër e lartë portretizon një mori njerëzish, në dukje të copëtuar, nën një qiell që shpërthen. Shtresat e lyera të rrobave të grisura e të ngopura me ngjyrë, kanë trashësinë e mpiksur të një bote të gjallë ku këpucët rrinë pezull në qiellin e stuhishëm.
Jo të gjithë në botën e artit gjerman ose ndërkombëtar janë dakord me misionin e tij për ta bërë historinë temë urgjente. Kur ai dhe shoku i tij “neo-ekspresionist”, Georg Baselitz, i bënë provokimet historike në pavijonin gjerman në Bienalen e Venecias në vitin 1980, u akuzuan për imazhet naziste dhe për krijimin e një “nekropoli teutonik”.
Ai është i sinqertë dhe qesharak për përpjekjet e veta për ta kuptuar veprën Finnegans Wake, një roman historia e të cilit, nëse mund të quhet kështu, qëndron e varrosur nën shtresat e lojërave të fjalëve.
Kiefer pranon se libri ka qenë praktikisht vepër e jetës: “E nisa shumë kohë më parë dhe hoqa dorë. Dhe, pastaj rifillova me anglishten në të majtë dhe gjermanishten në anën e djathtë, dhe më pas mendova se ishte krejtësisht e çmendur. Dhe, pastaj fillova përsëri dhe përsëri, dhe ndërkohë kisha disqe, e dini? Nga një aktor – e kjo ishte gjë e mrekullueshme. E kisha gjatë gjithë kohës në studion time. Është si muzikë”.
E ka dashur këtë libër dhe atë e ka parë si pasqyrë të jetës dhe të artit. Dy hapësira të ekspozitës së tij janë të mbushura me objekte që rikrijojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që ai e quan “arsenal”, një depo e madhe ku ruan veprat nga dekadat e tëra të grumbullimeve: “Është një kilometër i gjatë. Të gjitha këto gjëra janë si koka ime. Disa mbaruan, disa nuk mbaruan dhe mendova: ‘Është si të kalosh nëpër librin e Finnegans Wake’”. Ekspozita është si një tekst paralel: arti i Kieferit dhe fjalët e Xhojsit, krah për krah.
Rrjedha e artit të Kieferit është si një lumë, por errësira e tij qëndron në vizionin e kohës si cikël. “Vicus of recirculation” nga Finnegans Wake, si fjalia e parë, i referohet besimit të filozofit Giambattista Vico se njerëzimi ngjitet nëpër faza, por më pas bie mbrapa, riqarkullon. A mendon ai se lufta në Ukrainë do të thotë që ne mund të kthehemi në makthet e Evropës së shekullit XX?
Lufta e Putinit, thotë ai, është “kundër gjithë ligjit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar. Por, e dini, mendoj se Perëndimi bëri një gabim në 1991. Kishte, më kujtohet, një ndjenjë fitoreje. Atmosfera ishte se ‘ne jemi fituesit’ – dhe se me bombat atomike ju nuk jeni kurrë fitues.”
I them se Gjermania dhe Britania mund të kenë pikëpamje të ndryshme, për shkak të përvojave tona të ndryshme në Luftën e Dytë Botërore. Ai e zgjeron më shumë historinë e shekullit XX: “Në fund të Luftës së Dytë Botërore, pati triumf dhe kjo ishte gjë mirë, ishte e nevojshme. Dhe, ishte sakrifica që anglezët e bënë për atë luftë. Por, 91-shi nuk ishte koha e triumfit; 45-shi po, sepse nëse Churchill nuk do të ishte aty, ndoshta Hitleri do të kishte bërë diçka me Anglinë meqë atij i pëlqente populli anglez. Churchilli ishte mendimtar i madh”.
Kieferi madje e sheh historinë moderne si të fshehur në tekstin në dukje apolitik të Xhojsit. Në një nga citimet që ai ka shkruar, tregon se shkrimtari i madh kishte dijeni për atë që po ndodhte në Gjermani: e përfshin fjalën “Gestapose”, një lojë fjalësh për Gestapon.
Xhojsi nuk është heroi i vetëm letrar i Kieferit. Kjo ekspozitë në Londër vjen pas ekspozitës të kohëve të fundit në Paris, ku bëri homazhe ndaj Paul Celanit. I lindur në një familje hebraike në Çernovic, më parë në Rumani, tani në Ukrainë, Celani i mbijetoi Holokaustit në të cilin prindërit e tij vdiqën dhe ai u bë një nga poetët më të mëdhenj të pasluftës, në gjermanisht, deri në vetëvrasjen e tij në Paris më 1970. Poema e tij Fuga apo tango e vdekjes [Death Fugue] ka kohë që ndjek veprat e Kieferit. “Xhojsi shkroi në gjuhën e vet, por Celani shkroi në gjuhën e vrasësve të vet”, thotë ai.
Librat, si imazhe të ndërgjegjes sonë të brishtë kolektive njerëzore, janë kudo në artin e Kieferit. Ka libra të djegur dhe libra me krahë – për të fluturuar. Në këtë ekspozitë të fundit, e gjithë galeria është manifestim i një libri të vetëm. Gjej grumbuj librash, të derdhur në bronz, që zvarriten me gjarpërinjtë. Një imazh makthi që evokon Celanin po aq sa edhe Xhojsin. “Historia është makth nga i cili po përpiqem të zgjohem”, thotë personazhi i Xhojsit. Ia citoj këtë Kieferit.
“Sigurisht. Është plot me makthe”, thotë ai. “Është ende një makth”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo ketuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Vdekja e arsyes: Pse të mos flasin edhe kinezët shqip?

Agjenti i dyfishtë i Luftës së Ftoftë: Si e mashtroi Tito, Perëndimin?

Nusja që zemëroi Venedikun, pasi përdori një pirun

Ditari i Kosta Novakoviqit, për krimet e Serbisë në Shqipëri

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Dëmet e kulturës së rrenës

Çmimi i banesës në lagjen Aktash me zbritje – shfrytëzojeni këtë mundësi ID-226

OFROHET ME ZBRITJE – objekti afarist me 600m² po lëshohet me qera ID-124

EXTRA ZBRITJE – Shitet banesa me 91.5 m² në Prishtinë ID-159

Shitet banesa e përshtatshme për familje të vogla, 93.72m² në Prishtinë – mundësitë e pagesës të përshtatshme për gjithsecilin ID-235

Lokacioni ideal, ajri i pastër dhe shtëpia e ëndrrave tuaja – kjo ofertë është e duhura për ty! ID-234

Fotot e rreme të vajzave të reja të zhveshura – të krijuara me Inteligjencën Artificiale – tronditin një qytet të vogël spanjoll

Zbuloni sekretin e bukurisë me peptide të kolagjenit Naturagen – tash me 50% në Telegrafi Deals

Stil, funksionalitet dhe zbritje – ofertat në Telegrafi Deals nuk kanë të ndalur

Shfrytëzo ofertën – blej me zbritje maicën në Telegrafi Deals

Syze Hugo Boss ekskluzivisht me zbritje në Telegrafi Deals
Më të lexuarat

Putinit nuk do t'i pëlqenin këto imazhe të tankeve të ushtrisë së tij – të cilat kthehen nga vija e frontit në Ukrainë

Sulmi terrorist në veri - detaje të reja të lidhjes së shtetit të Serbisë me grupin e armatosur

Sulmi terrorist në veri, Biserko: Kishte skenar të ndërhyrjes së ushtrisë serbe dhe ndarje të Kosovës

Banjska, fshati ku burrat qetësisht pinë birra e fëmijët flasin me specialët

Policia gjen aktivizuesin e mjetit shpërthyes në afërsi të Manastirit të Banjskës

Huliganët nga Greqia dhe Mali i Zi vajtojnë vdekjen e serbëve në Banjskë, mesazhe politike kundër Kosovës