LAJMI I FUNDIT:

Arta Muçaj: Aktrimi, karriera, jeta ime dhe malli i pashuar për vendin nga kontintenti i largët

Arta Muçaj: Aktrimi, karriera, jeta ime dhe malli i pashuar për vendin nga kontintenti i largët
Aktorja Arta Muçaj. Foto: Artan Korenica

Aktorja e njohur Arta Muçaj do të mbahet gjithmonë në mend nga publiku shqiptar, si një prej aktoreve, e cila që në moshë të re, arriti të tregohet shumë e suksesshme në projekte të ndryshme filmike dhe teatër.

E njohur për rolin e saj si ‘Didi’ në telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe Fate”, ajo arriti që të depërtojë fuqishëm në rrugën e aktrimit, e cila po e ndjek edhe ditëve të sotme, ndonëse në tregun e huaj.


Në një intervistë për Telegrafin, Arta kësaj here vjen në një rrëfim për jetën e saj në përgjithësi. Ka vite që ajo është shpërngulur në Australi, ku vazhdon suksesshëm karrierën, por ende me mall vazhdon të kujtojë familjen dhe momentet e bukura që ka kaluar këtu.

Aktorja Arta Muçaj rrëfehet ekskluzivisht për Telegrafin rreth jetës dhe karrierës së saj. Foto nga: Artan Korenica

Kohëve të fundit, aktorja Muçaj ka qëndruar në Kosovë për xhirimet e një filmi të ri, teksa edhe pak do të largohet për në Australi, për të vazhduar me projektet e reja atje. Gjersa ishte këtu, ajo nuk hezitoi të flas gjerë e gjatë në një intervistë për shqiptarët, të cilët edhe sot vazhdojnë të pyesin me kureshtje se ku gjendet ‘Didi”? Çfarë bën? Ku jeton dhe si është një ditë e zakonshme e saj?

Në vazhdim, rrëfimi ekskluziv i aktores Arta Muçaj…

Arta, keni qëndruar disa muaj në Kosovë, pasi jeni kthyer nga Australia, vendi edhe në të cilin jetoni. Na trego pak si i ke kaluar këto ditë në Prishtinë?

Po, kam ardhur në Prishtinë para disa muajve. Mundohem të vi sa më shpesh, të paktën çdo vit . Kam gjithë familjen këtu , dhe kam gjithmonë mall për ta. Kam pastaj miqtë e ngushtë kolegët, dhe jam munduar të gjej pak kohë për secilin para se të filloja punën me filmin.

Keni nisur gjithashtu xhirimet për një projekt të ri filmik “Qiej të trazuar” me producent Adriatik Kelmendin. Si kanë shkuar xhirimet dhe cili është roli i Artës në këtë film?

Po, kemi filluar xhirimet e filmit ”Qiej te trazuar” në fillim te shtatorit, me regji dhe skenar të Anton Nrecajt. Është një dramë familjare. Ka përbrenda burrin, një vajzë dhe një djalë. Unë luaj rolin e Venerës, një grua mjaft e fortë dhe kompleks si karakter. Nuk dua të zbuloj më shumë para se të dalë filmi. Por kam pas kënaqësi të punoj me një ekip mjaft të mirë. Kemi pas një energji dhe kimi fantastike me njëri-tjetrin.

Arta Muçaj, aktorja e cila depërtoi menjëherë në zemrat e publikut në rolet e saj të para. Foto: Artan Korenica

Jetoni në kontinentin e largët. Sa ju merr malli për Kosovën dhe familjet, dhe cilat janë aktivitetet që zhvilloni atje?

Unë jetoj në një vend që është shumë larg sa që nganjëherë ndihesh sikur je e shkëputur nga gjithë bota. Malli për familje dhe për vendin tënd nuk të hiqet asnjëherë. Une jam me trup atje, e me mendje gjithmonë këtu.

A ka qenë e vështirë të ambientoheshit, dhe të depërtonit si aktore në Australi?

Normal që është vështirë sepse është industri e vështirë që jo gjithmonë varet nga aktori. Së pari gjithçka funksionon ndryshe, ti duhet të kesh një agjent ku ai të dërgon nëpër audicione. Unë nuk është që kam dhënë maksimumin tim që të vrapoj shumë mbas audicioneve . Mjaftonte që të bëja një ose dy projekte në vit që të mbushesha shpirtërisht. Sepse ne aktorët nuk jemi komplet të mbushur po nuk arritëm ta bëjmë artin tonë. Nuk jetojmë dot pa skenën.

Jeni bërë pjesë e disa projekteve filmike në Australi, cili ka qenë për ju më i suksesshmi?

Mund të them që më së shumti kam pas projekte të teatrit se sa të filmit. Filmi i shkurtë i fundit që ka të bëjë me dhunën në familje ka në plan të bëhet filmi i gjatë ku prapë do të jem unë në rolin e Varianës. Përndryshe roli më për zemër që kam bërë ka qenë ai në shfaqjen ”Shekspiri dhe zonja e erret e sonatave”, ku kam luajtur Emilia Basanon (zonja e errët) – muza e Shekspirit që e ka çuar gati deri në çmenduri.

Arta Muçaj: “Une jam me trup larg, e me mendje gjithmonë këtu”. Foto; Artan Korenica

Njerëzit akoma edhe sot ju etiketojnë herë pas here si ‘Didi’ e telenovelës së parë shqiptare, shumë të ndjekur “Njerëz dhe Fate”. Sa ju merr malli për këtë projekt dhe si e kujtoni kohën kur u bëtë pjesë e tij?

‘Didi’, një personazh që mua pak a shumë më bëri të njohur në Shqipëri. Sepse në atë kohë unë kisha projekte në teatër por ekrani është magjik. ‘Didi’ do të ngelet një nga rolet më të përzemërta të mijat. Me vjen keq që nuk u vazhdua si projekt. Akoma njerëzit vazhdojnë të më shkruajnë e të më njohin nga ky rol.

E keni filluar karrierën dhe keni mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë. Çfarë ju kujton Tirana?

Unë në Shqipëri kam kaluar gati tetë vite të jetës sime, pak a shumë jam rritur atje dhe e dua Shqipërinë, dhe kam shume mall gjithmonë. Mallëngjehem si fëmijë kur mendoj Tiranën time. Mezi pres të shkoj tani për vizitë, se kam vite pa shkuar.

Aktorja Arta Muçaj mbahet më shumë në mend nga publiku si personazhi “Didi” nga “Njerëz dhe Fate”, telenovela e parë shqiptare. Foto: Artan Korenica/Kupola

Cilat janë projektet filmike që publiku shqiptar do të mund ta shohë Artën në vazhdim?

Vjet kam luajtur edhe në një film të metrazhit të gjatë këtu në Kosovë, filmi ”Home Sweet Home” në regji të Faton Bajraktarit, sivjet në “Qiej te trazuar”. Në fillim të vitit jam e angazhuar me shfaqje në Melbourne, “Misteret e Luvrit” ku kam rol kryesor. Është një shfaqje që është filluar si projekt me pesë koleget e mija, në regji të Louise Howlett dhe do të vazhdohet në janar të vitit tjetër. Pastaj ka edhe të tjera që presim te realizohen. Çdo projekt edhe atje kërkon kohën e vet deri sa të bëhet. Por unë tani kam ndarë jetën mes Australisë e Kosovës dhe jam e hapur gjithmonë për projekte që do më ofrohen këtu apo kudo qoftë.. sepse nuk dua ta harroj publikun shqiptar asnjëherë!

Jetoni në Melbourne. Si nisë një ditë e zakonshme e juaja, si vazhdon dhe si përfundon?

Një ditë e zakonshme fillon shumë herët me punë, me takimet me kolegë për prova, eci shumë, bëj “pilates reforme”, Yoga dhe meditim që ta mbaj shpirtin mirë. Melbourne është një qytet që ndryshe është njihet edhe si qendra e artit. Çdo vit ke festivale të ndryshme nga teatri, filmi, muzika, e të gjitha llojet e tjera të artit. Gjithmonë ke çfarë të bësh e të mbushesh shpirtërisht!

Karriera e Arta Muçajt është e mbushur me role në filma dhe projekte teatrale të ndryshme, ku kryesisht dominojnë rolet e errëta

Sa po e shijoni kohën me familje këtu, dhe me kë nga anëtarët e familjes jeni më e lidhur?

Unë kohën me familje po mundohem ta shijoj në maksimum. Po ashtu me shoqe e me miqtë e mi. Jam me fat që kam njerëzit e dashur gjithmonë afër e që më përkrahin në çdo gjë.

Ju pëlqen më shumë të angazhoheni në teatër apo në film?

Unë filmin normal që e dua, por teatrin e kam të shenjtë. Teatri është vendi ku ndodhin magjitë. Je drejtpërdrejt me publikun ku e ndjen në çdo moment. Është një përjetim që nuk krahasohet me asgjë.

Arta, faleminderit shumë që ishe në këtë intervistë. Cili do ishte mesazhi yt për lexuesit në fund?

Jam pak e mllefosur që nuk po e shoh Kosovën mirë. Populli është lodh me politikë e me premtime të kota. Ka ardhur koha që qeveritarët, por edhe ne si shoqëri civile të bëjmë më shumë për këtë vend. Mendoj që ne si popull kemi vuajtur shumë e nuk duhet t’i harrojmë kurrë si kemi qene. Duhet ta duam vendin tonë , e njeri-tjetrin edhe më shumë. Sepse asgjë në botë nuk ta heq dashurinë që ke për vendin e popullin tënd…/Telegrafi/

Në vazhdim: Disa nga shfaqjet e suksesshme të aktores Arta Muçaj në Australi:

Shfaqja “Heart thy Neighbour”, Arta Muçaj në rolin e Sarinas – Melbourne

Shfaqja “Elen Back”, Arta Muçaj në rolin e diplomates – Sydney

Shfaqja “Shakespeare and the dark Lady of the sonnets”, Arta Muçaj në rolin e Emila Bassano – Melbourne

Shfaqja “Shakespeare and the dark Lady of the sonnets”, Arta Muçaj në rolin e Emila Bassano – Melbourne

Në trend

Më shumë
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
E kryer: Barcelona merr vendim final për Xavin

E kryer: Barcelona merr vendim final për Xavin

La Liga
Rezultatet me 65% të votave të numëruara: Siljanovska në epërsi me mbi 100 mijë vota ndaj Pendarovskit

Rezultatet me 65% të votave të numëruara: Siljanovska në epërsi me mbi 100 mijë vota ndaj Pendarovskit

Politikë
Arrestohet personi që shkaktoi dy aksidente dhe sulmoi fizikisht vozitëset në Prishtinë

Arrestohet personi që shkaktoi dy aksidente dhe sulmoi fizikisht vozitëset në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori