LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen dy persona në Vushtrri, për veprat penale ‘tentim vrasje’ dhe ‘arratisje e personit të privuar nga liria’

Në orët e mesditës të premtes Policia në Vushtrri ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy persona të dyshuar për veprat penale ‘tentim vrasje’ dhe ‘arratisje e personit të privuar nga liria’.

Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës për media.


Në këtë njoftim thuhet se arrestimi i të dyshuarve është bërë pas ndalimit dhe kontrollit të detajuar, ku fillimisht tek i dyshuari L. B., 18 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është gjetur dhe është konfiskuar një armë e llojit pistoletë me pesë fishekë.

“I njëjti ishte në kërkim nga Policia si i dyshuar për veprën penale ‘tentim vrasje’ e ndodhur javë më parë në Mitrovicë. Ndërsa i arrestuari tjetër L. L., 20 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i arratisur nga Qendra Korrektuese në Lipjan, ishte person i shpallur në kërkim. I dyshuari iu është dorëzuar Njësisë së Hetimeve Rajonale të Prishtinës. Ndërsa ndaj të dyshuarit L. B., pas procedurave intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë”, përfundon kjo komunikatë.