LAJMI I FUNDIT:

Arrestimi i 50 policëve, konfiskimi i 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar dhe vizita e delegacionit amerikan dhe kancelarit austriak – top lajmet e javës

Arrestimi i 50 policëve, konfiskimi i 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar dhe vizita e delegacionit amerikan dhe kancelarit austriak – top lajmet e javës

Kosova javën që po e lëmë pas e nisi me arrestimin e 50 zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Po javën që po lëmë pas janë sekuestruar në Pejë 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar.


Vetëm pak ditë pas presidentja e vendit, Vjosa Osmani i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden për mbështetje për anëtarësim në NATO, e për të cilën Telegrafi raportoi ekskluzivisht, një delegacion amerikan të premten vizitoi Kosovën.

Po të premten Kosovën e vizitoi edhe kancelari austriak, Karl Nehammer.

Operacioni ‘Pika’, arrestimi i 50 zyrtarëve shtetërorë, qindra veprimtari kriminale, deklarimi i kryeprokurorit

50 zyrtarë shtetërorë u vënë nën pranga mëngjesin e së hënës, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Operacioni policor i koduar “Pika” kishte filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, saktësisht në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafë Prush, ndërsa u bë e ditur se hetimet kishin filluar para një viti.

Zyrtarët që u arrestuan dyshohet se janë të involvuar në mbi 400 veprimtari kriminale, transmeton Telegrafi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 15 zyrtarët policorë të arrestuar si pjesë e aksionit “Pika”, nëntë të akuzuarve të tjerë iu është caktuar masa paraqitje në stacionin policor.

Siç bëhet e ditur nga kjo gjykatë 24 zyrtarët policorë të arrestuar, A.TH, A.B, A.D, A.P, B.K, I.I, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH, A.B, B.XH, B.B, B.K, B.B, K.B, M.U dhe R.A, dyshohet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe kontrabandimi i mallrave.

“Ndaj 15 të pandehurve A .TH, A.B, A.D, A.P, B.K, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH. është caktuar masa nga një muaj paraburgim, ndërsa ndaj 9 të pandehurve tjerë I.I, A.B, B.XH, B.B, B.K, K.B, M.U, B.B, dhe R.A është refuzuar kërkesa e prokurorisë për paraburgim dhe të njëjtëve u është caktuar masa paraqitje në stacionin policor në kohëzgjatje një muaj”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, të martën është caktuar masë paraburgimi prej një muaji edhe ndaj 25 zyrtarëve të tjerë policorë, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, keqpërdorimi i pozitës, ryshfet, ushtrimi i ndikimit dhe kontrabandimi i mallrave.

Policia në Pejë konfiskon mbi 36 mijë kg mish me afat të skaduar, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar më shumë se 36 mijë kilogramë mish gjatë një kontrolli sot në Zahaq të Pejës, ku një biznes dyshohej se po përpunonte produkte të mishit me afat të skaduar.

Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia. Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar.

Personat e arrestuar A.H., menaxher kryesor i pesë njësive të biznesit afarist dhe A.A., zëvendës menaxher i depos dyshohet se kanë kryer veprën penale prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve te dëmshëm ushqimor.

Vizita e delegacionit amerikan në Kosovë dhe e kancelarit austriak, Karl Nehammer

Gjatë të premtes në vendin tonë për vizitë ishin një delegacion i lartë amerikan, vetëm disa ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar letër presidentit amerikan, Joe Biden nga i cili ka kërkuar ndihmë për anëtarësim në NATO.

Të premten për vizitë në Kosovë ishte edhe kancelari austriak, Nehammer i cili theksoi se Kosova nuk është vetëm, nëse kërcënohet do të reagohet shpejt.

Në takim me kancelarin austriak, Osmani: Ekziston rreziku i destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me kancelarin e Austrisë ka potencuar rrezikun e destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, të cilin duhet ta parandalojmë në koordinim me aleatët tanë, transmeton Telegrafi.

Më tej, Presidentja ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike.

Osmani ka theksuar se unifikimi i Bashkimit Evropian kundër agresionit rus ndaj Ukrainës duhet të përcillet me veprime të unifikuara të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar anëtarësimin e shteteve të rajonit në BE.

Sipas Presidentes Osmani, qëndrimi i Kosovës për Ukrainën është në përputhje të plotë me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe të gjitha vendeve demokratike.

Në takim me kancelarin Nehammer, është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të dyanshëm.

Kurti: Putini po e përmend një herë në javë Kosovën,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë për media tha se nuk përjashtohet rreziku që konflikti i Ukrainës të zgjerohet edhe në vende të tjera, duke mos përjashtuar as shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kurti tha se Kosova ka ndërtuar aleanca të pandashme me Perëndimin, SHBA-në dhe NATO-n.

“Në të kaluarën presidenti rus [Vladimir] Putin na ka përmend njëherë në muaj, tash po na përmend një herë një jave si Kosovë, duke tërheq paralele të paqena me Krimenë në Ukrainë. Pra, ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, dëshiron ta keqpërdorë rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vetë”, theksoi Kurti.

Kurti më tej tha në Ballkanin Perëndimor veçse është duke u përballur me një luftë hibride.

“Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që Putin dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin”.

“Për këtë qëllim të tij, unë kam drojën që do ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është në rrezik, meqenëse edhe këtu veçse po bëhet lufta hibride. ‘Sputnik’ e ka qendrën në Beograd ndërsa në Nish ndodhet Qendra Humanitare ruse e cila është mbushur me plotë agjentë rusë”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.

Kancelari austriak: Kosova nuk është vetëm, nëse kërcënohet do të reagohet shpejt

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammar ka thënë se shteti austriak dhe Kosova kanë një lidhje historike mes vete. Ai në konferencën për media ka folur për situatën në Ukrainë dhe për kërcënimet për një konflikt të mundshëm në Kosovë.

Kancelari Nehammar në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Rusia ka sulmuar Ukrainën, dhe se në këtë situatë duhet shikuar për ndikimin që mund të ketë dhe si mund të ndihmojnë shtetet njëra tjetrën, transmeton Telegrafi.

“Federata ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe ne duhet të shohim për ndikimin që mund të ketë, dhe si mund të ndihmojmë njëri – tjetrin. Është e rëndësishmes që Austria të jetë urë-lidhëse me Bashkimin Evropian, ne kemi zhvilluar biseda se si mund ta përshpejtojmë procesin. Ne kemi lidhje historike njëri me tjetrin, dhe është e rëndësishme të jemi të lidhur edhe në të ardhmen. Austria paraqet kontingjentin më të madh jo të NATO-s që është në Kosovë. Është e rëndësishme që edhe Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.

Osmani në takim me delegacion amerikan: Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu të premten ka pritur në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga Dr. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit Biden.

Presidentja përsëriti vendosmërinë e Kosovës për ta mbështetur botën demokratike në këtë kohë kritike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e tyre të paprovokuar kundër Ukrainës, si dhe gatishmërinë për t`i pritur refugjatët ukrainas dhe për t`i mbështetur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Presidentja theksoi përkushtimin e qartë të Kosovës për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s si hap i parë në integrimin e plotë në Aleancën Veri-Atlantike.

“Jemi krenarë për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është transformuar nga një vend importues të paqes në një vend eksportues të paqes me mbështetjen tuaj dhe jemi të bindur se mund të ndërtojmë mbi këto arritje së bashku. Ashtu siç përmendi Presidenti Biden, gjatë vitit të kaluar Kosova ka demonstruar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare. Sot, Kosova është avokuese e fortë për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë, dhe vazhdojmë të jemi shteti më pro-amerikan dhe pro-evropian në botë. Është vendosmëria e popullit tonë për të forcuar tutje marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike”, theksoi Osmani.

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe partneritetin tonë në fusha të ndryshme, përfshirë strehimin e refugjatëve afganë si dhe pjesëmarrja në misione të përbashkëta paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike”, ka shkruar Osmani.

Në takim me amerikanët, Kurti: Jemi të gatshëm për strehim të 5000 refugjatëve nga Ukraina

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga Elizabeth Sherwood- Randall, Këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në hapje të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për vendit tonë.

Randall shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, u bisedua për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës.

Kryeministri tha se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Lajme
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë
“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

Lajme
Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Kronika e Zezë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Lajme
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Lajme
Kalo në kategori