LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike

Osmani: Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pritur në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga Dr. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit Biden.

Presidentja përsëriti vendosmërinë e Kosovës për ta mbështetur botën demokratike në këtë kohë kritike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e tyre të paprovokuar kundër Ukrainës, si dhe gatishmërinë për t`i pritur refugjatët ukrainas dhe për t`i mbështetur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.


Presidentja theksoi përkushtimin e qartë të Kosovës për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s si hap i parë në integrimin e plotë në Aleancën Veri-Atlantike.

“Jemi krenarë për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është transformuar nga një vend importues të paqes në një vend eksportues të paqes me mbështetjen tuaj dhe jemi të bindur se mund të ndërtojmë mbi këto arritje së bashku. Ashtu siç përmendi Presidenti Biden, gjatë vitit të kaluar Kosova ka demonstruar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare. Sot, Kosova është avokuese e fortë për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë, dhe vazhdojmë të jemi shteti më pro-amerikan dhe pro-evropian në botë. Është vendosmëria e popullit tonë për të forcuar tutje marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike”, theksoi Osmani.

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe partneritetin tonë në fusha të ndryshme, përfshirë strehimin e refugjatëve afganë si dhe pjesëmarrja në misione të përbashkëta paqeruajtëse ndërkombëtare.

Osmani në një postim në Facebook ka thënë se Kosova është e përkushtuar të intensifikojë edhe me tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të vendosur për t’i forcuar më tej marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike”, shkroi presidentja Osmani në profilin e saj në Facebook.

“Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike”, ka shkruar Osmani.

Delegacioni u shoqërua edhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. /Telegrafi/