LAJMI I FUNDIT:

Arrat mund ta përmirësojnë kujtesën

Arrat mund ta përmirësojnë kujtesën

Ngrënia e arrave mund ta përmirësojë performancën në testet e funksioneve kognitive, duke i përfshirë testet për kujtesën, përqendrimin dhe shpejtësinë e përpunimit të informacionit, sipas një studimi të ri nga David Geffen School of Medicine në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, të udhëhequr nga dr. Lenore Arab.

Funksioni kognitiv ishte vazhdimisht më i madh tek pjesëmarrësit e rritur që konsumuan arra, pavarësisht nga mosha, gjinia ose përkatësia etnike.

Ky studim ndërsektorial është analiza e parë e madhe përfaqësuese e konsumimit të arrave dhe funksionit kognitiv, dhe i vetmi studim që i përfshin të gjitha të dhënat kognitive në sondazhet në dispozicion të National Health and Nutrition Examination (NHANES).

Sondazhet e NHANES janë nxjerrë nga një mostër e madhe e popullsisë amerikane, në mënyrë tipike prej moshës 1 deri në 90 vjeç.

Në këtë studim, pjesëmarrësit ishin të rriturit e moshave 20-59 vjeç, si dhe 60 e tutje. Dr. Arab dhe bashkëstudiuesi dr. Alfonso Ang konstatuan se pjesëmarrësit e studimit me konsum më të lartë të arrave performonin dukshëm më mirë në një seri prej gjashtë testeve kognitive.

Dr. Arab theksoi: “Është interesante të shihet fuqia e provave nga kjo analizë në gjithë popullsinë amerikane në mbështetje të rezultateve të mëparshme të studimeve të kafshëve që e kanë treguar dobinë neurombrojtëse nga ngrënia e arrave, dhe kjo është një sasi realiste – më pak se një grusht në ditë (13 gramë).

“Studimi i shtohet një vargu në rritje të hulumtimeve për efektet pozitive të arrave në reduktimin e dëmtimit kognitiv dhe shëndetin e përgjithshëm të trurit, që përfshin efektet potenciale të dobishme të ngadalësimit apo parandalimit të avancimit të sëmundjes Alzheimer në modelet e minjve.

Derisa popullata e njerëzve që kanë lindur mes viteve 1946-64 po bëhet më e moshuar, çrregullimet që ndikojnë në kujtesë, si Alzheimer dhe dementia do të bëhen një shqetësim më i madh.

Sipas një artikulli të vitit 2012 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i vlerësuar i rasteve të reja të dementisë çdo vit në mbarë botën është pothuajse 7,7 milionë, dhe numri i njerëzve që jetojnë me dementia në mbarë botën është vlerësuar të jetë 35.6 milionë. Ky numër është parashikuar të dyfishohet deri në vitin 2030 dhe të trefishohet deri në vitin 2050.

Ekzistojnë përbërës të shumtë potencialë aktivë në arra që mund të jenë faktorë kontribuues në mbrojtjen e funksioneve kognitive.

Kjo përfshin edhe përmbajtjen e lartë të antioksidanteve në arra (3,7 mmol/uncë), kombinimin e vitaminave dhe mineraleve të shumta si dhe faktin se ato janë të vetmet produkte të familjes së arrorëve që e përmbajnë një burim të konsiderueshëm të acidit alfa-linolenik (ALA) (2,5 gramë për uncë), një acid ky yndyror omega-3 me bazë bimore me përfitime shëndetësore për zemrën dhe të trurin.

“Nuk ndodh çdo ditë që rezultatet e kërkimit me një këshillë kaq të thjeshtë – ngrënia e një grushti arra në ditë si një meze e lehtë, ose si pjesë e një vakti, të mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj kognitiv”, tha dr. Arab. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori