LAJMI I FUNDIT:

Arkitekturë dhe urbanizëm: Ëndrra e një nate vere

Arkitekturë dhe urbanizëm: Ëndrra e një nate vere

Ka më shumë se një vit që nuk kam qenë në shtëpi. Isha në Durrës; gjatë gjithë kohës i zënë me punët e realizimit të një projekti që s’më linte të merrja frymë. Tashti u ktheva në Prishtinë, në qytetin që – nga mungesa ime relativisht e gjatë – më dukej disi ndryshe. Gjithçka nga pak kishte ndryshuar, por mjaftueshëm që ta kuptoja se nuk e kisha jetuar përditëshmërinë e qytetit. Për fatin jo të mirë, një mik i imi ato ditë ishte shtruar përsëri në spital – edhe pse e kishte kaluar njëherë infektimin viral.

E mora makinën dhe u nisa. Te dera e spitalit – siç thuhet në të folurën e përditshme, edhe pse është Qendër Klinike Universitare (QKU) – më priti portieri që kishte rastisur të jetë jashtë shtëpizës ku rri zakonisht. “Urdhëro! Ku je nisur”? “Në spital”, iu përgjigja. Qeshi me qesëndi dhe ma këputi: “Allahile ku po rrnon ti? A e din ti që ka pothuajse një vit që me makina nuk mund të hysh brenda oborrit të ‘spitalit’, bile as mjekët; kurrkush, përveç autoambulancave dhe ndonjë rasti emergjent? Ja ku e ke garazhin”, ma tregoi me gisht objektin. “Lëre atje veturën e pastaj mund të hysh”.


Dola nga automobili të cilin e parkova në nivelin e tretë në garazhin aty pranë, qe ishte ngritur kaherë po që deri vonë rrinte bosh. Vazhdova në këmbë; portieri më shikoi, nuk me foli, por me shikimin e tij sikur donte të thoshte: Eh, tash mund të shkosh kah je nisur.

Shpejtë më la befasia e hyrjes, meqë tashti habitesha me pastërtinë dhe rregullimin e mrekullueshëm të oborrit. Ishte i mbushur me gjelbërim; shihej se ishte rregulluar nga një dorë qe dinte se si bëhen kopshtet. Kurorat e pemëve kishin forma të rregullta; mes të tyre kishte shkurre me madhësi, forma dhe gjethe të ndryshme. Gjithandej kishte trëndafila të ngjyrave, të madhësive të dhe të aromave subtile që t’i mbushnin mushkëritë me oksigjen të aromatizuar. Cicërimat e zogjve nuk ndaleshin.

Ajo që me kënaqi më se shumti ishte largimi nga oborri i QKU-së i të gjitha objekteve me aktivitete afariste – minimarketeve, shitësve ambulantë, restoranteve me kuzhina të papastra dhe ato qe quheshin qebaptore. I kishin mënjanuar edhe koshat e plehrave. Pas pyetjeve që bëra, nga kureshtja mësova se ato tashti po mbahen në një bodrum të punuar enkas për to – siç tha një punëtor që kujdesej për sistemimin e mbeturinave dhe largimin e tyre në mënyre efikase dhe të rregullt. Kopshti i spitalit ishte pajisur me drita solare, me mobile të bukura urbane, me banka për pushim të pacientëve dhe të vizitorëve; bile, ato e kishin të montuar nga një mbulesë tip strehe që e bënte të mundur qëndrimin aty edhe kur rigonte shiu edhe dita ishte me diell.

Objektet ishin të dekoruara me ngjyra të çelëta dhe dukeshin shumë më të mira edhe nga ndikimi i ambientit përreth.

Kur mbërrita të dera e repartit për sëmundjet e mushkërive, për ku isha nisur, më ndodhi e papritura e radhës. Sipas zakonit të mëhershëm, e shtyva krahun e derës; nuk lëvizi dhe gati e godita me kokë nga pritshmëria instiktive që të futesha brenda. Nga brenda, kujdestari i derës ma bëri me gisht, duke ma treguar vendin ku ishte shkruar orari i vizitave. Për ta nderuar orarin, kujdestari u afrua. Në xhamin e krahut të derës, më foli: “Zotëri, vizitën mund ta bëni nesër, sipas këtij orari”. U ul në karrige, sikur donte të ma bënte me dije se të gjithë tashmë e dinë këtë, ndaj mos vazhdo me ndonjë lutje për përjashtim. Me vetullat e ngrysura dhe me vendosjen e të dy shuplakave mbi gjunjë, e përforcoi mendimin e pathënë se çdo kërkesë eventuale e imja do të refuzohet.

Në të dalë nga kompleksi, nëpër kokë i kalova disa pyetje, përgjigjet e të cilave i kisha të ditura ngaherë. Kjo gjendje e mrekullueshme sikur ma bënte me dije se, më në fund, ndoshta është rivendosur pronari, edhe pse nga emri do të duhej të ishte i qartë: Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Por, deri tash, përveç përzgjedhjes së stafit, nuk kishte ndonjë ndikim tjetër në pronën e vet. Pastaj e mendova për të satën herë: pse nuk e kanë bërë këtë më herët kur nuk kushton shtrenjtë; mbase vetëm një zotshpillëk i mirë dhe pak para të cilat, me siguri, do t’i kishin dhënë kompanitë e shumta në formë dhurate.