LAJMI I FUNDIT:

Arkitektja e dalluar Lirika Vula-Weston: Punoj për ta afirmuar pavarësinë e Kosovës në Spanjë

Arkitektja e dalluar Lirika Vula-Weston: Punoj për ta afirmuar pavarësinë e Kosovës në Spanjë

Edhe pse Spanja ende nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, për arkitekten e dalluar që jeton dhe vepron në Spanjë, Lirika Vula–Weston, ajo vazhdon të punojë dhe ta afirmojë pavarësinë e Kosovës në Spanjë, përmes punës së saj dhe po ashtu ta prezantoj popullin vet , ashtu siç e njeh si popull punëtor e liridashës.

Në një intervistë për Telegrafin, arkitektja Lirika Vula–Weston, beson se mirënjohja nga kryetari i qytetit, Benissa z. Abel Cardona, në mbrëmjen e inaugurimit të instalacionit ‘Skywave’, gjatë fjalës falënderuese, ai e ceku në veçanti që Lirika është shqiptare nga Kosova.

Megjithatë, ajo ka një porosi për të rinjtë kosovar, që sipas saj, është që të besojnë në vetveten, të punojnë shumë, ashtu që të shndërrojnë ambiciet dhe ëndrrat e tyre në realitet.


“Edhe kur ballafaqohen me shumë vështirësi, të mos heqin dorë por me këmbëngulje të vazhdojnë derisa t’i arrin qëllimet. Ai që ka vullnet, gjithmonë do të gjejë sukses, pa marrë parasysh se ku jeton apo punon! “, tha mes tjerash në intervistë Lirika Vula –Weston, e cila jeton nw qytetin Benissa, komuniteti Valencian .

Ajo po ashtu tregon për sfidat, vështirësitë nga fillimi i karrierës e deri tek suksesi i saj, duke përmendur edhe shumë projekte me të cilat Lirika është dalluar më punën e saj si arkitekte në Spanjë.

Biznesi që e udhëheq me bashkëshortin e saj që quhet “Weston Vula Architects”, dhe i cili po ashtu është arkitekt, ka funksionuar që prej se kur të dytë janë takuar gjate studimeve në Londër.

“Përkrahja më e fuqishme jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në jetë, është besimi që kanë pasë familja dhe shoqëria. Kjo ka qenë shtytje shtesë në rastet më të vështira, që mos të dorëzohem dhe të punoj edhe më shumë për të arritur cakun. Siç thotë edhe fjala e urtë, “çdo e poshtë e ka edhe të naltën””, tha ajo.

Telegrafi: Znj Vula -Weston, jeni njëra ndër arkitektet më të dalluara në Spanjë, pikërisht në qytetin Benissa ,komuniteti Valencian. Na tregoni pak për rrugën tuaj, sfidat, vështirësitë nga fillimi i karrierës e deri tek suksesi juaj?

Lirika Vula–Weston: Në vitin 1998, derisa isha duke vijuar studimet në Degën e Arkitekturës, jam shpërngulur nga Kosova në Britaninë e Madhe, rrjedhimisht studimet me mbeten të pa përfunduara. Ishte ambicia ime e kahershme që t’i përfundoj studimet në këtë lëmi, por për këtë mundësi më është dashur të pres dy vite, dhe atë në Fakultetin e Grenwich -it në Londër, e përfundova pjesën e parë të studimeve të Arkitekturës.

Më pastaj, vazhdova edhe studimet e larta të Arkitekturës (Shkallën e 2-të) po ashtu në Fakultetin e Grenwich -it në Londër. Shkallën e 3 – të, e kam përfunduar në Chester (Britani e Madhe) dhe atë nën ombrellën e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik, anglisht RIBA (Royal Institute of British Architects).

Më 2001, u ktheva në Kosovë për një periudhë gjashtë mujore, periudhë kjo kur pata mundësinë të punoj në firmën e babait tim, ark. Rexhep R. Vula. Ishte kjo një përvojë më se e domosdoshme për mua, për të kuptuar nga afër dhe nga një kënd tjetër arkitekturën e vendlindjes sime, e që kishte pas shumë ndikim gjatë viteve të fëmijërisë. Në mes tjerash, e kuptova se prej nga vijë unë duke krijuar identitetin tim kombëtar, e që paraqet boshtin e karrierës time dhe e mbaj me krenari në të gjitha referencat e mia.

Me 2002 kalova në Spanjë për dy vite, ku u paraqit mundësia të punoj në profesion dhe të krijoj më shumë përvojë në rrugëtimin tim në arkitekturë gjate kthimit në Britani të Madhe për studimet e vazhdueshme të Arkitekturës.
Me 2004, gjate studimeve takova Neil-in (bashkëshortin tim) i cili kishte ardhur nga Spanja në Britani të Madhe për studime. Pas përfundimit të studimeve, vendosëm që të martohemi dhe të jetojmë në Spanjë.

Spanja nga fillimi ishte më e lehtë për mua, për faktin se kisha përvojë të mëhershme, por kjo lehtësi nuk e përfshinte edhe njohjen e gjuhës spanjolle. Nisur nga fakti se firma jone ishte britanike dhe palët kishin njohuri të gjuhës angleze, ashtu që komunikimi të ishte më i lehtë. Në ndërkohë, fillova të përvetësoj gjuhën spanjolle, e në veçanti dialektin Valencian (katalan) që është gjuha e parë e cila flitet në rajonin ku jetojmë.

Telegrafi: Pasi që vini nga një familje arkitektësh, sa ju ka ndihmuar kjo në zhvillimin e karrierës suaj?

Lirika Vula–Weston: Me babin arkitekt dhe më nënën (z. Feriale Bokshi Vula) mësuese, në shtëpinë tonë gjithmonë ka pasur biseda interesante. Ishte ky një kombinim që m’i ushqente ambiciet, duke u rritur në një frymë ku arti dhe arkitektura kanë qenë gjithnjë të pranishme.

Ishte babi ai i cili me cyti fillimisht të orientohem në arkitekturë, për çka ndjehem shumë me fat.

Telegrafi: Me një punë të jashtëzakonshme dhe të palodhshme keni arritur aty ku jeni sot ku keni edhe biznesin që e udhëhiqni bashkë më bashkë shortin tuaj, ka qenë e vështirë kjo arritje dhe kush ju ka ndihmuar më së shumti deri të arritja e këtij suksesi?

Lirika Vula –Weston: Biznesi që e udhëheq me bashkëshortin – që po ashtu është arkitekt – ka funksionuar që prej se kur jemi takuar gjate studimeve në Londër. Se bashku formuam një ekip të shkëlqyer, jemi shumë mbështetës në njëri-tjetrin dhe e plotësojmë njëri tjetrin, në çdo projekt varësisht prej aftësisë që secili sjellim në tryezë. Vlerësojmë punën e njëri tjetrit shumë, dhe komplimentojmë njëri tjetrin, duke ndërruar rolet sipas projektit, nganjëherë unë marrë dizajnin, derisa bashkëshorti merr administrimin, apo anasjelltas. Po ashtu, vjehërri im është arkitekt, kështu që, nga dy familjet kemi shume shembuj që të bazohemi.

Kjo mënyrë ka funksionuar edhe në jetën tonë familjare, ashtu që ka qenë interesimi, përkrahja e bashkëshortit tim (Neil P. D. Weston), që ne të inkuadrojmë traditat, leximin, shkrimin dhe bisedat me fëmijët tanë edhe në gjuhen shqipe. Nuk është diçka e huaj, gjatë përditshmërisë tonë shumë shpesh dëgjohet termi “me nënën flitet vetëm shqip”.

Përkrahja më e fuqishme jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në jetë, është besimi që kanë pas familja dhe shoqëria. Kjo ka qenë shtytje shtesë në rastet më të vështira, që mos të dorëzohem dhe të punoj edhe më shumë për të arritur cakun. Siç thotë edhe fjala e urtë, “çdo e poshtë e ka edhe përpjetëzen”.

Telegrafi: Keni ndonjë ftesë nga institucionet e Kosovës për ndonjë bashkëpunim të mundshëm, dhe a jeni i gatshëm të ktheheni dhe të kontribuoni në vendin tuaj të origjinës?

Lirika Vula–Weston: Jo, ende nuk kam pasur ndonjë ftesë nga institucionet kosovare. Do të ishte kënaqësi e vërtetë që të ndodhte! Unë gjithmonë jam e gatshme të kontribuojë për vendlindjen time. Shpresoj që së shpejti kjo do të bëhet realitet.

Telegrafi: Një instalacion i juaji ka qëndruar për muaj të tërë në qytetin Benissa (komuniteti Valencian). A mund të na tregoni më shumë lidhur më këtë projekt?

Lirika Vula –Weston: Projekti është pagëzuar ‘Skywave’, nga gjuha angleze në gjuhen shqipe nënkupton ‘Valë Qielli’. Skywave u konceptua si një instalim i vetëm, i inskenuar për një ngjarje vjetore, por tani kujtohet nga banorët si një ndër instalimet më të përkujtuara. Instalimet e tilla vendosen vetëm për një natë. Skywave akoma është i vetmi instalim që u zgjodh nga kryetari i qytetit që të shfaqet për më gjatë se natën që ishte projektuar. Ishte vendosur përballë Katedrales së La Marina, dhe u përhap organikisht si një kupe qiellore reflektuese. Instalimi prej 636m², u ngritë mbi sheshin e qytetit, duke shndritur dhe tërhequr vizitorët për ta parë.

Duke u mbështetur në flladin e njohur veror te qytetit Benissa, qytet ky që gjendet 275m, mbi nivelin e detit, ne krijuam një instalacion të lehtë, por rezistent ndaj motit dhe zjarrit, që ishin kërkesa parësore për të garantuar kësisoj sigurinë e më se 6000 njerëzve që u mblodhën nën Skywave gjatë Fiesta (festës).

Telegrafi: Cilat janë projektet tuaja aktuale dhe ato që keni në agjendën tuaj të punës për muajt e ardhshëm?

Lirika Vula –Weston: Jemi duke punuar në shumë projekte, por për mua projekti ne qytetin Valencia, është më i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me reformimin komplet të një ndërtese të listuar e mbrojtur në qytetin e vjetër në apartamente moderne dhe ekologjike.

Kjo më mundëson që të ruaj historinë, identitetin, traditën e arkitekturës, dhe në të njëjtën kohë të mos bëjë kompromis duke e ruajtur anën ekologjike dhe funksionale të arkitekturës dhe jetës së sotme.

Projekte tjera përfshijnë: Dizajnin dhe ndërtimin e një blloku modern rezidencial në katër etazha duke përfshirë pjesën komerciale (afariste) së bashku me një pishinë. Pastaj, ndërtimin e një shtëpie familjare brenda qytetit (në zonën historike), zgjerimin e një shtëpie ekzistuese në buzë të detit e shumë të tjera.

Gjithashtu jemi paraqitur në një konkurs të RIBA’s (Royal Institute of British Architects) me temën: “Si të jetojmë në të ardhmen pas pandemisë“, ku kemi paraqitur disa ide rreth ‘jetës në izolim’ që në kohën a tashme është mjaft aktuale.

Telegrafi: Cili është bashkë punimi juaj më komunitetin shqiptarë që jeton dhe vepron në Spanjë?

Lirika Vula–Weston: Fatkeqësisht, qyteti ku unë jetoj me familje është larg qyteteve të mëdha, ku zakonisht komunitetet shqiptare janë aktive. Megjithatë, ka pas raste kur jam përfshirë për të ndihmuar të posa ardhurit, me kontakte të vendit, etj, dhe unë asnjëherë nuk ngurroj. Po ashtu, për shkak të lidhjeve familjare si dhe shoqërisë që ende jetojnë në Londër, unë jam aktive edhe me komunitetin shqiptar në Londër.

Telegrafi: Sa ka ndikuar pandemia Covid-19, në jetën dhe punën tuaj, pasi që Spanja është vlerësuar në rrethin e kuq, menjëherë pas Italisë dhe Britanisë së Madhe, sa i përket të të prekurve me coronavirus?

Lirika Vula -Weston: Pandemia pa dyshim se ka prekur të gjithë, ne nuk kemi qenë në përjashtim. Me datën 12 Mars, na lajmëruan se prej 16 Marsit, ne do jetojmë në izolim. Disa ditë më parë një gjë e tillë ishte a pabesueshme. Me 8 Mars –dita a gruas, por edhe ditëlindja ime – festonim së bashku me 3-mijë njerëz që u mblodhën në sheshin e qytetit për koncertin e radhës, pa asnjë brenge! Kush do të thoshte atë ditë që ne do te mbyllemi për 2 muajt të ardhshëm!

Gjate izolimit, në fillim, edhe pse shumica e projekteve arkitekture dhe ndërtimore nuk stagnuan plotësisht deri në muajin Prill kishte rezerva të materialeve ndërtimore. Pas muajit Prill, të gjitha projektet u ndalën, ose pothuajse 90% e projekteve të pauzuara për arsye të ndryshme: Nga çështja e furnizimit me material ndërtimor deri tek frika e investitorëve për investime.
Vetëm në kohë të fundit, ka filluar jeta “e re normale” ende nën pandemi, ku puna po shënon një përparim te ngadalshëm.

Telegrafi: Izolimi social është një shqetësim tjetër gjatë pandemisë në fjalë, si e keni kaluar këtë fazë të pandemisë Covid-19?

Lirika Vula–Weston: Zakonisht jeta sociale e imja dhe familjes time është shume aktive, dhe në ditët e para te izolimit, pa obligime sociale, të jemi në shtëpi me familje, ishte kënaqësi e vërtet. Mbase i përfunduam të gjitha lojërat në tavolinë, shikuam pothuajse të gjitha filmat, u preokupuam me lajme tërë ditën, e shtuam peshë, shqetësimi për pandeminë tashmë me përmasa botërore, fillojë që të ndikojë. Që të heqim mendjen nga pandemia, vendosëm të sillemi sikurse nuk është e obliguar që të rrimë në shtëpi, por kinse është prej vetë-dëshirës.

Që t’i iki kësaj situate monotone, unë vendosa që të mbarojë dekorimin e interierit / instalacionit në zyrën time e krijuar si një HIVE (koshere bletësh), ku mbi 2-mijë tuba të riciklueshëm janë fiksuar në tavan dhe kombinohen me një ndriçim të veçantë. Përdorimi i kartonit të ricikluar ishte i qëllimshëm për arsye ekologjike, që në vazhdimisht mbështetemi dhe përpiqemi kudo që të jetë e mundur të përdorim materiale ricikluese, e t’i japim materialit një jetë funksionale dhe të qëndrueshme për mjedisin, duke mos e sakrifikuar edhe dizajnin apo pamje të bukur në këtë proces.

Vendimi për të mos u trajtuar ose pikturuar tubat në asnjë mënyrë, nënvizon preferencën tonë për gjendjen organike dhe natyrore të materialit që ne përdorim. Ne kemi dashur të tregojmë se forma, thellësia, kontrasti dhe bukuria mund të shprehen pa u mbështetur në aplikime të panevojshme, që mund të ndryshojnë hijen natyrore dhe pikat kryesore të krijuara në tuba dhe pemë.

Qëllimi i dizajnit të zyrës “Hive”, ishte krijimi i një mjedisi funksional, që tregon historinë e pasioneve tona, interesave dhe etikës sonë ndaj punës dhe mjedisit. Ne donim që ajo të ishte e mrekullueshme në dizajn, përmes origjinalitetit të saj, si dhe të ishte një ‘shkelës i akullit’ intriguese duke na dhënë mundësinë për të komunikuar këto vlera të rëndësishme që ne i mbajmë si individë dhe arkitektë.

Telegrafi: Si një shqiptare e suksesshëm në shtetin e Spanjës, shtet ky i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, cili është mesazhi juaj për të rinjtë nga Kosova?

Lirika Vula–Weston: Është e vërtet se Spanja ende nuk a ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Në të vërtet, Spanja e ka përkrahur Kosovën deri në ditën kur është shpallur pavarësia, dhe për arsye te brendshme politike që Spanja ka, ku disa rajone duan qe të pavarësohen nga Spanja – sikurse janë rastet e Cataluña dhe rajonit Bask, Spanja nuk e përkrah “vetë pavarësinë” e rajoneve tjera në Evropë. Parlamenti spanjoll mendon se Kosova nuk ka kaluar nëpër kanale të rregullta të drejtësisë dhe rregullave evropiane, dhe si e tillë mundë te inicioj rrëmujë në shtetin e Spanjës.

Unë vazhdojë të punojë dhe ta afirmojë pavarësinë e Kosovës në Spanjë përmes punës time dhe ta prezantoj popullin tim, ashtu siç unë e njoh, popull punëtor e liridashës. Besoj se mirënjohja nga kryetari i qytetit, z. Abel Cardona, në mbrëmjen e inaugurimit të instalacionit ‘Skywave’, ku gjatë fjalës falënderuese, ai e ceku në veçanti që unë jam shqiptare nga Kosova.

Porosia ime për të rinjtë kosovar, është që të besojnë në vetveten, të punojnë shumë, ashtu që të shndërrojnë ambiciet dhe ëndrrat e tyre në realitet. Edhe kur ballafaqohen me shumë vështirësi, të mos heqin dorë por me këmbëngulje të vazhdojnë derisa t’i arrin qëllimet. Ai që ka vullnet, gjithmonë do të gjejë sukses, pa marrë parasysh se ku jeton apo punon! /Telegrafi/Lumturije Bekaj/

Në trend

Më shumë
Dëmtimi i kanalit në Ibër-Lepenc, Rizvanolli: Intervenimet kanë përfunduar, mund të ketë reduktime të ujit gjatë ditës

Dëmtimi i kanalit në Ibër-Lepenc, Rizvanolli: Intervenimet kanë përfunduar, mund të ketë reduktime të ujit gjatë ditës

Lajme
Kancelari Scholz bën një vizitë të papritur në Ukrainë, këto ishin fjalët e tij menjëherë pas mbërritjes në Kiev

Kancelari Scholz bën një vizitë të papritur në Ukrainë, këto ishin fjalët e tij menjëherë pas mbërritjes në Kiev

Botë
Një talente shqiptare për rrjetet sociale, Bleranda Musa certifikohet nga Meta

Një talente shqiptare për rrjetet sociale, Bleranda Musa certifikohet nga Meta

Lajme
Barcelona e gjen në Ligën Premier zëvendësuesin ideal të Lewandowskit

Barcelona e gjen në Ligën Premier zëvendësuesin ideal të Lewandowskit

La Liga
Zjarr në Prishtinë - digjen tri vetura, një kamionetë dhe një rimorkio

Zjarr në Prishtinë - digjen tri vetura, një kamionetë dhe një rimorkio

Kronika e Zezë
Sulmi në Ibër-Lepenc, Hovenier: Mbështesim autoritetet kosovare - SHBA nuk spekulon se kush është fajtori

Sulmi në Ibër-Lepenc, Hovenier: Mbështesim autoritetet kosovare - SHBA nuk spekulon se kush është fajtori

Lajme
Kalo në kategori