Më shumë se një javë pas përfundimit të Kupës së Botës, në të cilën Spanja fitoi titullin e saj të dytë falë një fitoreje në vazhdime ndaj Argjentinës, turneu është ende duke u analizuar.

Një nga ekipet që pësoi zhgënjim ishte Gjermania, e cila u eliminua nga Paraguai në fazën e 1/16-tës. Që atëherë, kanë ndodhur ndryshime në futbollin gjerman, me Jurgen Klopp që zëvendësoi Julian Nagelsmann në stolin e trajnerëve.


Rudi Voller, drejtori sportiv i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), foli në Kongresin Ndërkombëtar të Trajnerëve në Mainz të hënën, duke thënë se gjermanët nuk duhet të imitojnë Argjentinën në përpjekjet e saj për t'u rikthyer në krye të futbollit botëror.

"Nuk dua një ekip që luan si Argjentina. Kjo nuk ka të bëjë fare me futbollin”, ka thënë fillimisht Voller.

“Ne në Gjermani duhet të mbrohemi më mirë. Shumë e kanë përmendur Argjentinën si një model dhe mua kjo më duket si një shembull i keq. Papritmas argjentinasit janë bërë shembulli më i mirë, gjë që më duket paksa hipokrite. Nuk dua një ekip që luan si Argjentina. Kjo nuk ka të bëjë fare me futbollin".

"Po, ata ishin kampionë bote dhe këtë herë ishin nën-kampionë. Por, sinqerisht, nuk i kuptoj kaq shumë lëvdata", shtoi Voller, i cili luajti 90 ndeshje për Gjermaninë në vitet 1980 dhe 1990 dhe shënoi 47 gola.

Gjatë karrierës së tij me klube, ai luajti për Offenbach, TSV 1860 Munchen, Werder Bremen, AS Roma, Olympique Marseille dhe Bayer Leverkusen.

Kujtojmë se Argjentina fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, ndërsa këtë vit arriti në finale, në të cilën Spanja festoi 1-0 pas vazhdimeve. Ekipi i udhëhequr nga Lionel Messi u pasua nga kritika për lojë të ashpër në rrugën drejt finales, të cilat u përshkallëzuan pas finales, kur u përplasën me spanjollët.

Argjentina ka pësuar shtatë gola në tetë ndeshje të Kupës së Botës, ndërsa Spanja ka pësuar vetëm një.

Spanja si model për Gjermaninë

Në përgjigje të kritikave për stilin e Argjentinës, Voller theksoi se do të preferonte që skuadra e tij të luante si kampionët aktualë të botës.

"Spanja meriton të gjitha lavdërimet. Jo vetëm për mënyrën se si kontrollojnë topin dhe sulmojnë, por edhe për mbrojtjen e tyre. Ata janë një model i vërtetë. Gjithashtu më pëlqeu shumë Anglia", përfundoi legjenda gjermane. /Telegrafi/

telegrafi sport app