Antidepresivët gjatë shtatzënisë: Çfarë duhet të dinë prindërit për ADHD-në dhe autizmin

Analiza e më shumë se 25 milionë shtatzënive tregon se shumica e antidepresivëve modernë nuk lidhen drejtpërdrejt me autizmin dhe ADHD-në te fëmijët, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rreziqet serioze të depresionit të patrajtuar gjatë shtatzënisë
Antidepresivët përgjithësisht konsiderohen të sigurt dhe efektivë në trajtimin e depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera mendore. Megjithatë, vitet e fundit është rritur shqetësimi lidhur me ndikimin e mundshëm të këtyre barnave në zhvillimin e fetusit, sidomos për sa i përket çrregullimeve neurologjike dhe zhvillimore te fëmijët.
Një analizë e re dhe shumë e gjerë shkencore sjell deri më tani dëshmitë më të besueshme mbi lidhjen ndërmjet përdorimit të antidepresivëve nga të dy prindërit, para dhe gjatë shtatzënisë, dhe shfaqjes së autizmit apo çrregullimit të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) te fëmijët. Rezultatet tregojnë se, për shumicën e antidepresivëve, ekziston lidhje shumë e vogël ose aspak lidhje me këto çrregullime kur merren parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “The Lancet Psychiatry”, përfshiu analizën e 37 hulumtimeve të mëhershme me mbi 600 mijë shtatzëna që kishin përdorur antidepresivë dhe pothuajse 25 milionë shtatzëni pa përdorim të tyre.
Fillimisht, rezultatet tregonin rrezik më të lartë:
– 35 për qind më shumë rrezik për ADHD;
– 69 për qind më shumë rrezik për autizëm pa vështirësi intelektuale.
Te baballarët që kishin përdorur antidepresivë u regjistrua:
– 46 për qind rrezik më i lartë për ADHD;
– 28 për qind rrezik më i lartë për autizëm te fëmijët.
Megjithatë, pasi studiuesit korrigjuan rezultatet duke marrë parasysh faktorë të tjerë, si gjenetika, historia familjare dhe arsyet pse prindërit përdornin antidepresivë, shumica e këtyre lidhjeve u dobësuan ndjeshëm ose u zhdukën krejtësisht. Rreziku për autizëm ra në rreth 15 për qind.
Profesori i psikiatrisë në Universitetin e Hong Kongut, dr. Wing Chung Chang, një nga autorët e studimit, deklaroi se këto rezultate tregojnë fuqishëm se normat më të larta të ADHD-së dhe autizmit lidhen kryesisht me cenueshmërinë familjare dhe shëndetin mendor të prindërve, e jo drejtpërdrejt me barnat, transmeton Telegrafi.

Pse është ky studim i rëndësishëm?
Depresioni prek më shumë se 10 për qind të grave shtatzëna në mbarë botën, ndërsa antidepresivët janë pjesë kyçe e trajtimit. Vëmendje e veçantë viteve të fundit u është kushtuar antidepresivëve SSRI, grupit më të përdorur të këtyre barnave.
Debati për sigurinë e tyre u intensifikua sidomos gjatë vitit 2025, pas diskutimeve në kuadër të Agjencisë Amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA), ku u ngritën dyshime për lidhje të mundshme me autizmin, abortin spontan dhe anomalitë kongjenitale. Shumë shoqata profesionale i kritikuan këto pretendime, duke theksuar se shpesh neglizhohen rreziqet e depresionit të patrajtuar gjatë shtatzënisë.
Autorët e studimit të ri theksojnë se shumë hulumtime të mëhershme kishin mostra të vogla dhe nuk merrnin mjaftueshëm parasysh faktorët e tjerë që mund të ndikonin në rezultatet përfundimtare.
Trajtimi kërkon qasje individuale
Ekspertët theksojnë se vendimi për vazhdimin ose ndërprerjen e terapisë duhet të merret me kujdes dhe individualisht. Sipas autorëve të studimit, rezultatet mbështesin udhëzimet aktuale mjekësore, të cilat zakonisht rekomandojnë vazhdimin e terapisë me antidepresivë gjatë shtatzënisë kur ajo është e domosdoshme.
“Gjetjet tona nuk ofrojnë dëshmi të forta se ekspozimi ndaj antidepresivëve gjatë shtatzënisë shkakton çrregullime neurorozhvillimore”, tha dr. Chang.
Mjekët dhe pacientet duhet së bashku të vlerësojnë rreziqet potencialisht të vogla të vazhdimit të terapisë krahasuar me pasojat serioze të depresionit të patrajtuar.
Rreziqet e depresionit të patrajtuar
Depresioni i patrajtuar gjatë shtatzënisë mund të ketë pasoja si për nënën, ashtu edhe për foshnjën. Ai lidhet me:
– lindje të parakohshme;
– peshë më të ulët të foshnjës në lindje;
– rrezik më të madh për probleme emocionale dhe të sjelljes te fëmijët;
– vështirësi në socializim dhe kontroll të impulsivitetit.
Psikiatrja perinatale dr. Nancy Byatt thekson se çrregullimet mendore gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në metabolizmin e serotoninës, funksionin e placentës, proceset inflamatore dhe zhvillimin e trurit të fetusit. Ajo shton se çrregullimet mendore lidhen edhe me rreth 23 për qind të vdekjeve të lidhura me shtatzëninë te nënat.
Ekspertët paralajmërojnë se terapia me antidepresivë nuk duhet ndërprerë kurrë papritur dhe pa mbikëqyrje mjekësore, pasi simptomat e ndërprerjes së menjëhershme mund të jenë shumë të pakëndshme, veçanërisht gjatë shtatzënisë.
I rëndësishëm edhe shëndeti mendor i babait
Autorët e studimit nënvizojnë se edhe shëndeti mendor i baballarëve mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës, megjithëse kjo fushë mbetet ende e pamjaftueshme e studiuar.
“Psikiatria perinatale sot shihet si fushë që përfshin nënën, fëmijën dhe babain. Përmirësimi i shëndetit mendor të të dy prindërve është i rëndësishëm jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për zhvillimin afatgjatë të fëmijës”, thuhet në studim.
Antidepresivët më të vjetër kërkojnë kujdes shtesë
Studimi tregoi se antidepresivët më të vjetër triciklikë, edhe pas korrigjimit të faktorëve të tjerë, mbetën të lidhur me një rrezik disi më të lartë për ADHD te fëmijët. Ekspertët thonë se ende nuk dihet nëse kjo lidhet me vetë barnat apo me faktin se këta antidepresivë zakonisht përdoren në forma më të rënda të depresionit.
Për këtë arsye, grave shtatzëna që përdorin ose planifikojnë të përdorin këto barna u rekomandohet konsultim i detajuar me mjekun për përfitimet dhe rreziqet e mundshme.
Në përgjithësi, rezultatet e studimit sjellin një mesazh inkurajues për sigurinë e antidepresivëve modernë gjatë shtatzënisë. Ekspertët theksojnë se vendimet për trajtim duhet të bazohen në informacione të verifikuara dhe në këshillimin profesional mjekësor, e jo në frikë apo të dhëna të pjesshme. /Telegrafi/
















































