Anketa, Abetarja, Samiti i NATO-s dhe kurrkah Maqedonia
Java e kaluar ngërtheu në vete disa ngjarje të rëndësishme, të cilat si të tilla mendoj se meritojnë një trajtim dhe qasje të veçantë edhe në këtë artikull: Anketa e agjencisë “Rejting”, promovimi i Abetares me synim gjithëkombëtar dhe Samiti i NATO-s në Çikago.
1. Sipas anketës së realizuar nga agjencia “Rejting”, e publikuar kah mesi i këtij muaji, më shumë se gjysma e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë ndjehen të pasigurt në vendin në të cilin jetojnë e veprojnë! Të shqetësuar janë të gjithë, edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, edhe nacionalitetet tjera, kush më shumë e kush më pak. Të frikësuar për fatin e tyre, për të nesërmen e panjohur. Tmerrues është fakti, që 53 për qind e popullsisë të kenë frikë për jetën dhe ekzistencën në shtetin dhe shtëpinë e tyre, aty ku siguria duhet të jetë e plotë. Arsyet e kësaj janë sigurisht të natyrave të ndryshme: ekonomike, politike, e sigurisë... por, emëruesi është i përbashkët: qasja e gabuar e pushtetit dhe politika defetiste që po ndjekin liderët politik.
Ekspertët e ekonomisë ka kohë që tërheqin vërejtjen se si rezultat i politikave të gabuara shtetërore në fushën e ekonomisë, përfshirë këtu qindra milionë eurot e huazuara gjatë viteve të fundit për investime jokapitale, mungesën e investimeve të huaja, rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe thellimin e varfërisë te një pjesë e konsiderueshme e popullatës, Republika e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po futet në fazat më kritike ekonomike. Pothuajse 80 për qind e të anketuarve të Rejting-ut e konsiderojnë gjendjen ekonomike si të keqe apo shumë të keqe, tregues ky i qartë i manifestimit të pasigurisë së njerëzve për fatin e tyre sot dhe nesër.
Ngjashëm është puna edhe në aspektin politik. Kjo veçanërisht ka të bëjë me ngecjen tanimë disa vjeçare në proceset euro-integruese dhe bllokimin e rrugëtimit të vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kur kësaj t’i shtohet edhe mungesa e dialogut të mirëfilltë politik në vend, si dhe zënkat, ofendimet dhe sharjet e përditshme në raportet pozitë-opozitë, atëherë gjithçka bëhet më e qartë edhe në këtë sferë dhe shqetësimi i njerëzve të rëndomtë fiton në peshë.
Në fushën e sigurisë situata duket edhe më dramatike kohëve të fundit. Provokimet dhe incidentet e vazhdueshme në rrafshin ndëretnik dhe ndërfetar kanë rezultuar me një situatë të paqartë dhe vazhdimisht të tensionuar. Kjo ka bërë që qytetarët të mos ndjehen të sigurt pothuajse askund. As nëpër rrugët e qytetit dhe autobusët urbanë, nga frika mos vallë ndonjë idiot i çartur, me sjellje e klithje fashiste, i maskuar dhe armatosur me drunj e shufra hekuri, do t’i sulmojë pa pikë faji. Nuk janë të sigurt as kur dalin në natyrë për shëtitje apo kur shkojnë diku për rekreacion e peshkim, nga frika se mund të bëhen cak i ndonjë plumbi të qëllimshëm apo krejt të rastësishëm, vetëm sepse janë gjetur në vend të gabuar në një moment të caktuar.
Për fat të keq, njerëzit sot nuk mund të jenë të rehatshëm dhe të sigurt madje as në shtëpitë e tyre. Kush ju garanton atyre se nuk do t’i “vizitojë” ndonjë hajdut a narkoman në kërkim të “gjahut” ditor, apo, edhe më keq se kjo, që në orët e hershme të mëngjesit nuk do t’ia bastisin shtëpinë dhe trishtojnë familjen dhjetëra policë të maskuar?!
Kur gjithë kësaj t’i shtohet edhe frika e mbjellë ditëve e javëve të fundit, prej radikalizmit islamik dhe sulmeve të mundshme terroriste (!), nga njerëzit që drejtojnë institucionet shtetërore dhe mediat e tyre vasale dhe shërbëtore, atëherë vërtetë njerëzve sikur nuk u mbetet gjë tjetër pos të jetojnë traumatizuar dhe tmerruar në ankthin e frikës për ekzistencën e tyre fizike.
2. Më 17 maj të këtij viti, në qytetin historik të Prizrenit, nga udhëheqësit më të lartë shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, u promovua libri i parë dhe kryesor shkollor: Abetarja e cila mëton të bartë epitetin “gjithë shqiptare”, por që në të vërtetë rezulton të jetë një Abetare e përbashkët vetëm e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo për arsyen se, edhe në përgatitjen dhe përpilimin e saj, edhe në ditën festive të promovimit, u harruan dhe injoruan shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi... Përkundër faktit se dy kryeministrat shqiptarë folën atë ditë në Prizren për Abetaren e cila “bartë idealin e lirisë së shqiptarëve... shënon të arriturën historike të përpjekjes së shqiptarëve për të mbrojtur kulturën e tyre... është pasqyrim i frymës evropiane të hapësirës kulturore shqiptare, pa imponime ideologjike, pa diktat dhe forma tjetra jashtë institucionale... Abetare e përbashkët, shprehje e ndërgjegjes dhe emancipimit të kombit shqiptar”, ndërsa për kombin shqiptar se “kurrë në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar, më i sigurt për të ardhmen që e meriton”... e vërteta e hidhur flet se atë ditë, me apo pa qëllim, u braktis dhe injorua një pjesë e konsiderueshme e kombit.
Kjo sa i përket përgjegjësisë institucionale, shtetërore e kombëtare të dy shteteve tona, me të cilat krenohemi ne shqiptarët që jetojmë jashtë kufijve të tyre gjeografik. Por, kjo nuk amniston për asnjë çast politikën indiferente, absurde dhe të pafalshme të funksionarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, atyre në Ministrinë e Arsimit dhe gjithandej nëpër institucionet shtetërore, ku fjala e tyre ka mundur dhe është dashur të ketë ndikim, në mënyrë që edhe intelektualët, pedagogët dhe fëmijët tanë të jenë pjesë aktive e këtij projekti madhor.
Totalisht e gabuar është qasja e zëvendësministrit të arsimit dhe funksionarëve tjerë shqiptarë në Qeveri, duke pritur nëpër kolltukë “ftesë zyrtare nga Shqipëria dhe Kosova për t’u bërë pjesë e projektit”! Mos vallë Shqipëria e Kosova duhet ta rregullojnë përdorimin Abetares unike kombëtare në shkollat fillore shqiptare në Maqedoni, apo ky obligim bie mbi përfaqësuesit e subjektit politik shqiptar në qeveri?! Në pamundësi për këtë, kam frikë se ndoshta do të kënaqemi me “futjen në të zezë” të Abetares në përdorim dhe do të krenohemi me propozimin eventual për caktimin e 17 majit si ngjarje festive kombëtare dhe ditë pushimi...
3. Samiti i Aleancës Veriatlantike. As kësaj radhe nuk ndodhi asgjë e re në marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s. Në Çikago u përsërit Bukureshti dhe ishte ky një “udhëtim nëpër kohë” për katër vjet prapa. Përkundër retorikës tanimë të njohur “se Republika e Maqedonisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe globale, se i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësi të plotë”, sërish përballë anëtarësimit të saj në këtë strukturë politiko-ushtarake u vendos muri i quajtur “Parim i konsensualitetit”, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Greqisë.
Pak a shumë dihej se kështu edhe do të ndodhë, kur kihet parasysh kushti kryesor i cili tanimë hapur i është bërë me dije Maqedonisë - zgjidhja e çështjes së emrit. Në këtë drejtim, ishte e qartë se nuk do të ketë asnjë dobi as nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit Greqia kishte shkelur marrëveshjen e vitit 1995, duke bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin e Bukureshtit.
Prandaj, duket e habitshme intervista e kryeministrit Gruevski dhe fjalori i tij i ashpër karshi “politikës hipokrite të disa shteteve anëtare të NATO-s”, nëse jo për tjetër, së paku ngase ai, si duket, harroi me këtë rast edhe hisen e vet të mëkatit në formimin dhe forcimin e këtij qëndrimi të ngurtë dhe inatçor grek. Rreth kësaj ai duhej të mendonte më mirë dhe më kthjellët shumë më herët, qysh atëherë kur kënaqej me përrallat për popullin vëlla hunëz, kur krenohej me “arritjet arkeologjike antike” të Pasko Kuzmanit, kur provokonte me emërtimin e rrugëve dhe aeroporteve, kur vendosi të sjellë nëpër sheshe e parqe bustet gjigante të Aleksandërit të Madh dhe Filipit të Dytë...
Kam përshtypjen se nxitje dhe “fajtor” shtesë psikologjik dhe emocional për këtë pozicionim të kryeministrit ndaj shteteve anëtare të NATO-s është edhe qëndrimi i tij i paradokohshëm në Kinë. I mahnitur nga hapësira e madhe gjeografike e Kinës, popullsia e saj një miliardëshe, ekonomia e niveleve më të larta botërore, ushtria e disiplinuar dhe modernizuar, historia e saj antike mijëvjeçare... nuk duhet të habitemi nëse kryeministri ynë e ka dalluar dhe spikatur këtë shtet të madh të Azisë Lindore, si një alternativë e mundshme dhe opsion real, kundrejt “politikës joparimore dhe hipokrite” të shteteve të Aleancës Veriatlantike. Nëse është kështu, atëherë do të ishte mirë që sa më parë edhe publikisht ta shpalosë këtë ide, në mënyrë që një minutë e më herët të fillojmë të mësojmë kinezishten dhe mjeshtëritë e karatesë.



















































