LAJMI I FUNDIT:

Ankesa për sezon veror të vonuar, hotelierët thonë se ndikuan tensionet në veri

Ankesa për sezon veror të vonuar, hotelierët thonë se ndikuan tensionet në veri

Sezoni veror në Kosovë karakterizohet me ardhjen e mërgimtarëve, të cilët në vendlindje përveç se çmallen me të afërmit e tyre, i japin edhe gjallëri e “infuzion ekonomik” vendit.

E këtë vit duket se sezoni është më i vonuar, krahasuar me vitet e kaluara.


Në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit thonë se shkak për këtë janë bërë zhvillimet e fundit në veri dhe tensionimi i situatës atje.

Mbi 1.5 milion mërgimtarë erdhën në Kosovë, brenda gjashtë muajve u realizuan 10 mijë fluturime
Lexo po ashtu Mbi 1.5 milion mërgimtarë erdhën në Kosovë, brenda gjashtë muajve u realizuan 10 mijë fluturime

“Sezonin veror këtë vit ka filluar me vonesë. Tani po shihet që është duke ardhur një fluks më i madh i bashkatdhetarëve. Përkeqësimi i situatës në veri të vendit ka ndikuar që mërgimtarët po hezitojnë që të kalojnë nëpër Serbi dhe ka raste që i kanë anuluar organizimet në Kosovë për shkak se nuk kanë mundur që të vijnë”, tha në një prononcim për Telegrafin kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva.

Kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva

Sipas tij, nuk mund të thuhet që ky sezon është i dështuar, por shtoi se në krahasim me muajin korrik të vitit të kaluar “shihet që është më dobët”.

Sa i përket çmimeve, ai theksoi se ka tendencë të lehtë që të rriten gjatë sezonit veror, ndërsa apeloi te bizneset dhe veprimtaritë e tjera që të mos e bëjnë një gjë të tillë vetëm për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.

Ndërsa, i pyetur nëse ka mungesë të fuqisë punëtore, Sogojeva tha se ndonëse është e theksuar bizneset po ia dalin disi.

“Ka mungesë edhe të fuqisë punëtore, por disi po ia dalin. Tash punëtorët po paguhen më mirë dhe natyrisht kërkohen më shumë detyra e përgjegjësi. Në këtë mënyrë kjo pjesë disi po mbulohet edhe pse vërehet që ka mungesë të punëtorëve”, përfundoi ai.

Megjithatë, numri i personave që kanë hyrë në Kosovë ka shënuar rritje krahasim me vitin paraprak. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve për rreth 15 për qind krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 10 mijë e 400 fluturime, ku numri më i madh është nga Zvicra, ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria.

Sipas të dhënave të ANP “Adem Jashari” dërguar për Telegrafin, numër më i madh i ardhjes dhe shkuarjes së mërgimtarëve është realizuar gjatë muajve prill dhe maj, ku kanë ardhur në total 586 mijë e 157 udhëtarë me 4 mijë e 40 fluturime.

Ndërkaq, edhe numri i personave, të cilët kanë hyrë dhe dalë nga Kosova, në të gjitha Stacionet Policore Kufitare (SPK) të Republikës së Kosovës nga periudha janar-qershor, është për rreth 100 mijë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se numri i personave që kanë hyrë në pikat kufitare të Kosovës vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti është mbi 4 milionë e 300 mijë. Ndërsa, për periudhën e njëjtë është mbi 4 milionë e 200 mijë.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 41.2 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 20.2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 9.1 për qind.

Banka Botërore thotë se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind, ku nga shpallja e pavarësisë janë dërguar 13 miliardë euro.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/