LAJMI I FUNDIT:

Angela Merkel, viktimë e lajmeve të rrejshme: Kështu krijohen dezinformatat në internet!

Angela Merkel, viktimë e lajmeve të rrejshme: Kështu krijohen dezinformatat në internet!

Në Gjermani po diskutohet më në fund tema e dezinformimit në internet. Gazetarët Ingo Mannteufel dhe Naser Shrouf tregojnë përmes një rasti konkret se si funksionon kjo.

Dihet që nëpër internet qarkullojnë shumë propaganda dhe dezinformacione. Por, shumë vetë ende nuk e dinë se si funksionojnë fushatat e dezinformimit dhe se sa shpejt mund të bjerë pre e tyre një përdorues i internetit. Kush do për shembull të dijë në Gjermani se ç’mendon Angela Merkel për muajin e Ramazanit, mjafton të japë në Google nocionet “Angela Merkel Ramadan“.


Që në faqen e parë të listës së gjetjeve mund të ndeshesh një link me titullin: “Lirim nga tatimet për shkak të Ramazanit?“ Ky njoftim vjen nga një faqe interneti në gjermanisht me titullin “Politically Incorrect”, që pozicionohet si medium kundrejt “rrymës kryesore të informacionit”. Që në fillim të faqes kupton se kjo faqe mbështet në një formë indirekte edhe lëvizjen kritike ndaj islamit, “Pegida”, dhe degët e saj rajonale. Përmes një lajmi të shkurtër njoftohet se më 4 qershor Angela Merkel ka liruar “nga një detyrim tatimor pronarët e restoranteve”, me qëllim që ata “t’u ofrojnë myslimanëve ushqim me çmim të arsyeshëm”! Një lajm kaq i pavërtetë besohet nga shumë përdorues ndaj ka sharje dhe kritika kundër Angela Merkelit.

Qëllimi i kësaj fushate që të theksojë se Qeveria dhe Merkeli ndjekin një politikë tejet zemërgjerë ndaj refugjatëve, rikonfirmohet në këtë faqe internet. Dezinformimi ka sukses, por një rregull të tillë nuk ka pasur kurrë ndonjëherë në Gjermani.

Interesante të dihet se si është shkruar ky lajm dhe si është bërë përhapja e tij. Duket se vetë autorët e faqes “Politically incorrect” e dinë që historia është e pavërtetë: Ata shkruajnë “se për çfarë tatimesh bëhet fjalë nuk raportohet, mungojnë po ashtu edhe hollësi të tjera në raport. Në të vërtetë është e papërfytyrueshme si kancelarja gjermane i jep të drejta të posaçme një grupi të caktuar”!

Më pas vazhdon stili komplotist i lajmit: “Me të vërtetë. Qëkur Merkeli pranoi qytetarët e saj të dëshiruar dhe të rinj duke e injoruar me arrogancë Kushtetutën, mund t’ia besosh edhe këtë masë të re. Prandaj, ne po e ofrojmë këtë lajm me kujdesin e vetëpërmbajtjen e duhur”!

Për të bërë të besueshme gënjeshtrën, autorët e lidhin artikullin me një raportim të faqes anglisht MoroccoWorldNews dhe faqen arabisht të transmentuesit shtetëror rus, Russia Today. Në vend që të verifikojnë lajmin para publikimit, si e kërkon gazetaria serioze, ata fshihen pas njoftimit të Russia Today.

Sigurisht, me lajmet në arabisht të Russia Today nuk janë të familjarizuar përdoruesit gjermanë të internetit. Kush përpiqet të gjurmojë më tej, arrin të gjejë vetëm se edhe përkthimi i lajmit të Russia Today Arabic nuk është burimi i parë, por i referohet një gazete arabe, Al-Riyadh, që është e afërt me familjen mbretërore. Pra, si rrjedhë e lajmit të gënjeshtërt duhet parë faqja arabisht e transmetuesit rus, Russia Today.

Qëllimi i kësaj fushate informimi janë lexuesit arabë dhe jo drejtpërdrejt përdoruesit gjermanë. Lexuesve arabë u jepet një imazh i gabuar se Gjermania është shumë zemërgjerë ndaj myslimanëve, duke e nxitur më tej gatishmërinë për të ardhur si refugjatë. Në të njëjtën kohë, kjo histori mashtrimi ndez edhe më shumë kundër Merkelit gjermanët kritikë ndaj islamit. Kalkulimi i bërë është ky: nëse kancelarja Merkel bie nga pushteti për shkak të politikës ndaj refugjatëve, kjo do ta dobësonte shumë Gjermaninë në Evropë. Konkretish,t edhe uniteti brenda në BE për sanksionet kundër Kremlinit do të pësonte të çara të thella.

Përmes këtij shembulli kuptohet shumë qartë se si funksionojnë propaganda dhe deziformimi. Një rast i pavërtetë, ose raste të tjera gjysmë të vërteta apo informata të shtrembëruara, “pastrohen“ përmes kalimit në faqe të ndryshme interneti dhe gjuhë të ndryshme, derisa të humbë nga fokusi “burimi“ i vërtetë i informacionit.

Tek lexuesi gjerman lajmi vjen si një lajm i ofruar nga mediat “ndërkombëtare“ – gjoja të besueshme. Askush nuk mund të jetë i sigurt se nuk mund të bjerë pre e fushatave të dezinformimit. Sa për kujtesë: lajmi ka qenë vetëm një klikim larg top-dhjetëshes – dhjetë kërkimeve më të përdorura nga Google.

Pra, mbetet i vlefshëm ai mësimi i vjetër se informacionet dhe burimet e tyre duhen verifikuar në mënyrë kritike. /DW/

Në trend Botë

Më shumë
Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Evropa
Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Afrika
Kryeministri sllovak në gjendje kritike në spital pasi u qëllua disa herë

Kryeministri sllovak në gjendje kritike në spital pasi u qëllua disa herë

Evropa
Publikohen pamjet e momentit të atentatit ndaj kryeministrit sllovak

Publikohen pamjet e momentit të atentatit ndaj kryeministrit sllovak

Evropa
Kush është Robert Fico, kryeministri i plagosur sllovak?

Kush është Robert Fico, kryeministri i plagosur sllovak?

Evropa
Fermeri në Uells u detyrua të vriste qentë e tij pasi ata sulmuan egërsisht disa dele – pamje që përshkruajnë ngjarjen

Fermeri në Uells u detyrua të vriste qentë e tij pasi ata sulmuan egërsisht disa dele – pamje që përshkruajnë ngjarjen

Evropa
Kalo në kategori