LAJMI I FUNDIT:

Analizë: Kosovës i duhet “Ganiu”, shkarkimi i De Biasit bingo për FFK-në

Analizë: Kosovës i duhet “Ganiu”, shkarkimi i De Biasit bingo për FFK-në

Klubi spanjoll Alaves konfirmoi gjatë ditës se ka shkarkuar nga posti i kryetrajnerit, strategun italian, Gianni De Biasi, një emër shumë i njohur për të gjithë ne.

Të gjithë e morën këtë si një lajm befasues dhe e pritën me keqardhje duke pasur parasysh respektin që të gjithë kemi për De Biasin. Të gjithë kemi të drejtë të ndjejmë keqardhje, pasi pikërisht De Biasi plotësoi ëndrrën e shqiptarëve për pjesëmarrje në Kampionat Evropian.


De Biasi nuk e gjeti veten te Alavesi.

Me apo pa dronin e Ballistit – historia do të mbajë në mend vetëm faktin se Shqipëria ka luajtur në një Kampionat Evropian dhe atë skuadër e drejtoi Gianni De Biasi, njeriu që sot (e hënë) u shkarkua nga pozita e trajnerit të Alavesit.

Telegrafi shpjegon arsyen pse Kosova dhe gjithë shqiptarët duhet t’i gëzohen lajmit të shkarkimit të De Biasit dhe si ai mund të gjendet shpejt në mesin tonë – sërish, për një tjetër rrugëtim drejt historisë.

De Biasi në Euro 2016

Deja vu?

Kombëtarja e Shqipërsië ishte në një situatë të ngjashme sikurse përfaqësuesja e Kosovës vite më parë, kur vendosi të guxonte me nënshkrimin e Gianni De Biasit. Trajneri italian e pa sfidën e Shqipërisë si shumë të rëndësishme për karrierën e tij, kurse sfida ishte edhe më e rëndësishme për FSHF-në shumë të kritikuar që drejtohet sot e kësaj dite nga Armando Duka.

Dhe si në rastin e Kosovës, edhe Shqipëria atë kohë në futboll ishte vetëm një skuadër inferiore që formalisht merrte pjesë në kualifikimet për botëror dhe evropian.

De Biasi erdhi, pjesa tjetër është histori.

“Kush e kap i pari, ai fiton”

Spekulimet e mediave shqiptare për një nënshkrim me Lothar Matthaus ishin vetëm për konsum. Këtë e pranoi edhe vet Fadil Vokrri, duke potencuar se ishte vetëm një takim i rastësishëm me të.

Por, Vokrri nuk duhet ta injorojë shkarkimin e De Biasit nga skuadra e Alavesit. Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë është i lirë dhe i gatshëm për një sfidë të re – megjithatë jo e një dinamike të një kampionati intensiv si ai spanjoll. De Biasi në moshë do t’i përgjigjej një tjetër sfide interesante që do të mund të shkruante historinë. Kosova, përbën një mundësi të përkryer për të.

FFK duhet të tregohet e shkathtë në negociata, të nuhasë mirë situatën dhe të mos diktohet nga spekulimet mediatike. Qysh sot duhet të nisin kontaktet me strategun italian që i bëri shqiptarët të ëndërrojnë.

Dashuri në kontratë të parë

Gianni De Biasi si askush tjetër krijoi dashuri dhe sentiment të veçantë për Shqipërinë, për popullin shqiptar. Madje ndërroi nënshtetësinë. E bëri emrin Gani.

Qysh në kontratën e parë të tij me FSHF-në, ai nuk u mendua dy herë për afeksionin që ka ndaj popullit mik italian, çka e bëri atë edhe të rinovojë kontratën.

De Biasi u bë si baba për grupin e përfaqësueses shqiptare, e nxori nga greminat e një kombëtare inferiore që vetëm merrte pjesë formalisht në kualifikime dhe e shndërroi në një kundërshtar të respektuar edhe për kombëtaret e vjetra si Spanja dhe Italia. Kjo ja siguroi atij rinovimin e kontratës me Shqipërinë, më pas ai arriti edhe historinë. Por, Shqipëria vendosi të shkojë në nivele edhe më të larta, duke synuar edhe më shumë me emërimin e Panuccit.

Kosova nuk është në atë fazë. Kosova është në fazën e konsolidimit. Kosova është në fazën e De Biasit.

“Çka s’blihet me pare, blihet me ma shumë pare”

FFK-ja i ka të gjitha mundësitë për të nënshkruar me një trajner të madh ndërkombëtar – e aq më mirë me një emër të respektuar dhe të dashur si Gianni de Biasi.

Rinovimi i De Biasit me Shqipërinë ishte në termet e 300 mijë eurove në vit, një shumë që pa problem mund ta përballojë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). FFK (besohet jo zyrtarisht) ka një buxhet prej 5 milionë eurosh për dy vjet dhe kontrata me një trajner të nivelit të De Biasit në këto terme të kontratës së tij të dytë me FSHF-në është i arritshëm dhe i arsyeshëm – e i nevojshëm.

Prandaj, aspekti financiar është i pa arsyeshëm. Sepse nuk paguhet “me pare” një teknik i madh me emër si De Biasi që njeh më së miri ambientin shqiptar. Nuk ka trajner që e njeh më mirë këtë ambient dhe se si duhet të konsolidohet një kombëtare në këtë mjedis me shumë lojtarë që luajnë në diasporë dhe mund të konsolidohen.
Nuk ka dhe nuk do të ketë as trajner shqiptar, sepse De Biasi është më shqiptar se disa shqiptarë të tjerë në futboll.

Problemet e bëjnë më interesante jetën…

De Biasi e di se nëse i qaset Kosova, ai e ka përpara Shqipërinë e tij që e mori në duar në ditën e parë. Ai e di sakt se çka duhet të bëjë dhe problemet që po e presin, e mund ta “qesin” në një pozitë të palakmueshme.

Kosova ka nevojë për konsolidim të talentit dhe shfrytëzim të duhur të tij. Respektim të Superligës po ashtu.

Këtë mund ta bëjë më së miri De Biasi, duke kthyer talentët nga mbarë skena e futbollit evropian, duke komunikuar me ta, duke konsoliduar grupin, e duke i bërë NJË. Sepse është unifikimi i talentit ai që mungon dhe respekti që ky talent ka ndaj autoritetit të trajnerit.

De Biasi ka treguar se kush nuk e respekton shkon në shtëpi. Autoriteti që ai ka shtruar ka qenë pozitiv dhe ka unifikuar grupin te kombëtarja shqiptare. Profitet nga ky autoritet dhe unifikim i talentit e respektim i talentit ndaj trajnerit janë të pafundme.

Kosova nuk ka mungesë të talentit, Kosova ka mungesë të menaxhimit të talentit. Problem më të madh se ky s’mund të ketë. E menaxher më ideal për këtë se De Biasi s’mund të gjejmë.

“Shën Alberti”, pengesa të cilës do t’ia shihte më së shumti hajrin De Biasi!

Sa do që ka qenë në zjarr Albert Bunjaku nga mediat shqiptare dhe publiku në përgjithësi, shpeshherë edhe pa faj, frytet e punës së tij shumëvjeçare do t’i shohim më vonë.

Ishte pikërisht Bunjaku ai që shërbeu si pengesa më e fuqishme e De Biasit në joshjen e talentit kosovar në kombëtaren shqiptare. Bunjaku në mënyrë fenomenale arriti të ruaj talentët më të mëdhenj nga Kosova duke mos lejuar që ata të kalojnë në kobmëtaren shqiptare, e duke u premtuar të ardhme në përfaqësuesen kosovare.

Do t’i jemi përjetësisht falënderues Bunjakut për këtë, e më falënderues do t’i jetë trajneri i ardhshëm, kështu edhe De Biasi, ndaj dikur pengesës së tij më të madhe të cilës mund t’ia shohë hajrin.

4-2-3-1

Keni parë shpesh dy persona që janë të përputhshëm në karakteristika dhe spekuloni se mund të shkojnë shumë mirë përshtati me njëri tjetrin?

Kosova dhe De Biasi janë të destinuar për njëri-tjetrin. Talenti që ka përfaqësuesja e Kosovës nga porta, e deri në sulm dhe formacioni i aplikuar nga dikur Bunjaku i shumë kritikuar prej të gjithëve, 4-2-3-1, është çelësi i zgjidhjes së problemeve të përfaqësueses me një trajner si De Biasi.

Është lapsi me të cilin mund të shkruhet historia.

Organizimi taktik për të cilin ka nevojë Kosova dhe disiplina taktike, janë kredenciale të dëshmuara të De Biasi në kombëtaren shqiptare. Ai arriti të disiplinojë radhët e tij dhe grupi zbatonte me përpikmëri urdhrat e tij, ku mesfusha mbronte mbrojtjen, e anësorët përkrahnin sulmin në formacionin prej 4-2-3-1.

Të njëjtin konstelacion lojtarësh De Biasi e ka edhe te Kosova dhe nuk do ta kishte fare problem të krijonte një skuadër konkurruese, pse jo edhe më të rrezikshme se kombëtarja shqiptare.

Pyetja e radhës…

Albert Bunjaku ra në presion të mediave qysh në ditët e para të fushatës kualifikuese me përfaqësuesen e Kosovës. Përkundër punës së madhe frytet e të cilës do t’i vjelim më vonë, Bunjaku u bë subjekt i kritikave dhe i talljeve e nuk arriti të menaxhojë asnjëherë gazetarët duke qenë shumë i butë me ta.

Karizma e De Biasit është krejt tjetër. Mund të dalësh nga salla pa përgjigje shumë lehtë nëse nuk i shkon përshtati disponimit të tij dhe autoriteti i De Biasit në zhveshtore, ishte evident edhe me gazetarët.

Nuk është ëndërr, por zgjohuni nga gjumi…

E gjithë kjo analizë me arsye se pse FFK duhet të nxitojë që të bisedojë me De Biasin nuk është një ëndërr.

Andaj, FFK duhet të zgjohet nga gjumi, jo për të ndalur së ëndërruari, por për të punuar së realizuari ëndrrën e të gjithëve – një Kosovë premtuese për garat e mëdha.

Në këtë gjë besoi vet De Biasi pas miqësores ndaj Kosovës në vitin 2015.

“Kosova është një ekip shumë i ri dhe shumë premtues për të ardhmen. Besoj që do të jetë ekip që do t’iu shkaktojë telashe përfaqësueseve tjera me kohën, ndërsa nëse do të jetë në kualifikime për Kampionatin Botëror, Rusia 2018, mund të shpresojë për diçka edhe më shumë”, tha De Biasi më 13 nëntor, 2015, pa ndeshjes që Shqipëria e tij zhvilloi ndaj Kosovës në Prishtinë, sfidë e cila përfundoi me rezultat 2-2.

Po Gani i dashur, Kosova mori pjesë në kualifikimet për Botëror, por nuk realizoi asnjë fitore. Nuk kapitalizoi nga talenti dhe vuajti nga probleme të thella organizative humane e taktike që u shfaqën në fushë për shkak të mungesës së traditës dhe eksperiencës që mund të na e sjellësh ti.

De Biasi ka parë diçka te Kosova. Dhe atë që ai bëri me Shqipërinë, duke e ngritur nga një skuadër inferiore, në një skuadër pjesëmarrëse dinjitoze në Kampionat Evropian, ai është në gjendje ta bëjë edhe me Kosovën, pa problem.

T’ia lëmë në dorë FFK-së të bëjë së paku një gjë të mirë, të kontaktoj e të nënshkruaj me De Biasin.

Në fund do të më falënderoni për këtë analizë…

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Liga e Kampionëve
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

La Liga
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

La Liga
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori