LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Pas dorëheqjeve në veri, ky veprim politik çon në ashpërsimin e mëtejmë të situatës

Analistët: Pas dorëheqjeve në veri, ky veprim politik çon në ashpërsimin e mëtejmë të situatës

Pas deklaratave të zyrtarëve serbë se kanë ndërprerë çdo komunikim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe se nuk vlejnë më në veri të vendit, situata është duke u tensionuar dhe si e tillë do ta çoj në ashpërsim të mëtejmë të raporteve Kosovë-Serbi.

Kështu kanë vlerësuar në një prononcim për Telegrafin analisti politik, Ramush Tahiri si dhe analisti i sigurisë, Avni Islami.


Tahiri ka thënë se dorëheqjet e kryetarëve të komunave serbe janë si pasojë e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për taksën e mallrave serbe.

Sipas tij, këto veprime janë politike të cilat e dërgojnë vendin drejt një ashpërsimi të mëtejmë.

Tahiri po ashtu tha se me këto vendime mund të rikrijohen struktura paralele serbe në veri të Kosovës.

“Këto dorëheqje kanë qenë të paralajmëruara që disa ditë, si pasojë e vendimit të qeverisë për taksën e Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe. Është veprim politik dhe çon në ashpërsimin e mëtejmë të situatës dhe mund që të përfundoj me rikrijimin e strukturave paralele në veri”, ka thënë Tahiri.

Edhe Avni Islami, për situatën e krijuar në veri të vendit tha se kjo mund ta dërgoj vendin drejt përkeqësimit.

Ai u shpreh se kryetarët e komunave në veri të vendit këtë vendim e kanë marr me urdhër të Beogradit.

“Ata këtë vendim e kanë marr me urdhër të Beogradit. Situata drejt këtij vendimi shkon kah  përkeqësimi. Mendoj se diçka që mund të shpëtohet, mund të bëhet fal vendosmërisë së NATO-s, të cilët janë të obliguar që sipas rezolutës 1244 ta ruajnë integritetin dhe sovranitetit e vendit”, theksoi Islami.

Ai po ashtu tha se pas deklaratës së Vuçiqit për mbrojtjen e qytetarëve serb në veri të vendit dhe pas dorëheqjeve të kryetarëve serb, gjendja do të tensionohet edhe më shumë.

“Një deklaratë para dy dite e Vuçiqit, që është e gatshme kinse t’i mbroj serbët e Kosovës dhe tashmë hapi i ndërmarr nga kryetarët e komunave gjendja do të shkoj në përkeqësim, secila që do të lëshoj pe në këtë rast do të ndihet e humbur. Kosova nuk ka çka të humb. Gjendja do të tensionohet dhe më tutje”, potencoi Islami për Telegrafin.

Ndryshe, gjatë ditës në veri të vendit kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë, për siç thuhet shkak të “vendimit diskriminues të Prishtinës ndaj popullit serb”.

Ai konfirmoi këtë informacion, duke thënë se ka dhënë dorëheqje për shkak të një tarife prej 100 për qind për prodhimet serbe.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miratoi Deklaratën për ndërprerjen e komunikimit me autoritetet e Prishtinës, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq, edhe protesta e mbajtur para Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës nga mijëra qytetarë serbë, për taksën e vendosur për mallra serbe si dhe për arrestimet e fundit ka përfunduar e qetë dhe pa incidente. /Telegrafi/