LAJMI I FUNDIT:

Ana e errët e anglezit tipik

Ana e errët e anglezit tipik
Noël Coward

Nga: Holly Williams / BBC
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

Kur dëgjon fjalët Noël Coward, me siguri në mendje ta sjellin një ide për një zotëri elegant anglez, që flet mirë, me kostum, duke tundur kamishin e cigares ose një gotë shampanje, dhe që lëshon batuta të zgjuara. Ndoshta i njihni këngët e tij – nga ato komiket si Mad Dogs and Englishmen e deri te përmbledhja klasike e këngëve si Mad About the Boy. Ose dramat e tij, ato komedi të mprehta dhe të zgjuara që ende konsiderohen si thesar suksesi, si Private Lives, Hay Fever dhe Blithe Spirit.

Viti 2023 shënon 50 vjetorin e vdekjes e Cowardit, por teksa ndikimi dhe popullariteti i tij vazhdon, a është e mundur ta kujtojmë gabimisht njeriun që e fitoi pseudonimin “Mjeshtri”? A mund të ndodhë që imazhi i tij që ende jehon, është thjesht karikatura që na pengon të kuptohet si duhet puna e tij? Një biografi e re, ashtu edhe një film dokumentar, duket se kështu mendojnë, duke synuar ta zbulojnë errësirën, kompleksitetin dhe radikalitetin e Cowardit.


Coward kishte vend qendror në pjesën më të madhe të shekullit XX: si në trauma ashtu edhe në emocione. I lindur në vitin 1899, ishte mjaft i ri për t’u thirrur për Luftën e Parë Botërore, por jo për të qenë një nga të Rinjtë e Ndritur – pseudonimi i dhënë për shoqëritë dhe miqësitë jokonvencionale që mahnitën Londrën e viteve 1920 – e për të shkruar shumë shfaqje për ta. Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi si spiun, këndoi për trupat dhe bënte filma të njohur lufte. Kur puna e tij del nga moda e Mbretërisë së Bashkuar, u mbështet për akte të kabaresë në Amerikën e mesit të shekullit, fillimisht në skenën e Las Vegasit dhe më pas në televizione. Më në fund, një seri e ringjalljeve të yjeve në të dy anët e Atlantikut, i riktheu shfaqjet e tij në vitet 1960 duke e çimentuar statusin e tij si thesar kombëtar.

Dhe, ishte jashtëzakonisht pjellor, duke shkruar qindra këngë, rreth 50 drama të botuara dhe 40 të tjera të pabotuara, thekson Oliver Soden, autor i Masquerade: The Lives of Noel Coward. Leximi i të gjitha dramave gjatë izolimit [të pandemisë së koronavirusit], e bindi autorin se kishte ende për të zbuluar nga vepra e Cowardit.

“Natyrisht se janë shumë qesharake, por ajo që më befasoi ishte se janë shumë më shumë sesa ‘thjesht’ qesharake”, tha ai për BBC. “Faqe pas faqeje me gjëra vërtet befasuese e të vërteta, për seksin, klasat, dashurinë dhe për mënyrën e të jetuarit. Dhe, një shtresë e thellë hidhërimi, pasioni dhe cinizmi”.

Janë këto aspektet e errëta që dalin në pah në dy inskenimet e fundit britanike: Private Lives dhe The Vortex.

Teksa përshkrimet e tij për drogat dhe seksin tingëllojnë normale sot, në premierën e shfaqjes The Vortex – ku Coward luajti, si në shumë të tjera – audienca u skandalizua. “Këtu ka dëshmi për një gjeni”, ka shkruar The Telegraph. “Por, fuqia e tij është e një lloji të sëmurë”. Ashtu si me pjesën më të madhe të veprave të Cowardit, ka radikalitet të fshehtë për oreksin seksual të femrave, ka shenja të tërheqjes ndaj të njëjtës gjini, si dhe tejkalim të konventave shoqërore.

“Coward është një nga arkitektët kryesorë të shekullit të ri, të paktën në teatër: duke u përpjekur për të hedhur poshtë konventat e një epoke të mëparshme dhe për të gjetur mënyra të reja të jetesës … me gjininë tënde, ose me dyshe, treshe apo katërshe”, thotë Soden. “Por, e dinte se sa e vështirë është ta bësh këtë … Është e vështirë të jesh i lirë dhe është vërtet e vështirë të jesh i vërtetë me vetveten”.

Ndërkohë që nderohej personazhi i “gjeniut komik Noël Coward”, pas maskës ishte një njeri që pësoi kriza nervore dhe depresione; kishte frikë nga humbja e kontrollit, gjë që vinte me rënien në dashuri, ndërsa kishte marrëdhënie të trazuara; orari i punës dhe oreksi i pamëshirshëm për udhëtime, bëjnë me dije se arratisej nga vetvetja. Aktorja amerikane Elaine Stritch, në një letër drejtuar miqve të përbashkët në vitin 1951, e përshkroi Cowardin si “një nga burrat më të trishtuar që kam njohur ndonjëherë”.

“Gjëja më rraskapitëse [për të] ishte që gjatë gjithë kohës ta performonte Noël Cowardin”, thotë Barnaby Thompson, regjisor i dokumentarit Mad About the Boy. “Mendova se u rrit në një familje të mirë, se kishte arsim të mirë … më pas zbuluam se e la shkollën në klasën e nëntë? Ishte fëmijë aktor dhe tërësisht i vetedukuar. Pra, e keni një djalë që del nga asgjëja, që e krijoi këtë personazh të jashtëzakonshëm që përfundoi duke e definuar anglezin modern”.

Pastaj, sigurisht se ishte seksualiteti i tij. Cowardi kishte partnerë afatgjatë – marrëdhënia e tij e parë, mjaft toksike e vitit 1925, ishte me Jack Wilsonin i cili u bë menaxheri i tij; më i rëndësishmi ishte aktori Graham Payn, që me të jetoi për tri dekada – deri në vdekjen e Cowardit. Në mes – dhe në të vërtetë gjatë këtyre marrëdhënieve – kishte të dashur të tjerë, përfshirë një lidhje gjatë luftës me aktorin Michael Redgrave dhe me shkrimtarin Gore Vidal.

Por, teksa miqtë e dinin se Cowardi ishte homoseksual, nuk ishte e mundur të jetonte publikisht si i tillë, gjatë pjesës më të madhe të karrierës: homoseksualiteti ishte i paligjshëm në Britani – deri pesë vjet para vdekjes së Cowardit më 1973. Edhe pse shfaqjet e mëparshme janë jashtëzakonisht të sinqerta – Design for Living i vitit 1932 ka të bëjë me një trekëndësh dashurie biseksuale – në vitet 1950 ishin të censuruara. Cowardi u trondit kur miku i tij (dhe aktori që e zëvendësonte), John Gielgud, u arrestua në një tualet publik. Seksualiteti i Cowardit mund të ketë qenë arsyeja se pse Winston Churchilli e ndaloi një rekomandim për Mbretin George VI, që Cowardit t’i jepej titulli i kalorësit në vitin 1942. Këtë e priti deri në vitin 1970.

“E gjithë kjo do të thotë se edhe pse jeni personi më i suksesshëm në botë, nuk jeni kurrë të qetë”, thotë Thompson. “Mendoj se u ndje si i huaj gjatë gjithë jetës së vet”.

Personi i jashtëzakonshëm dhe simpatik i Cowardit ishte pasaporta e tij për të lëvizur lirshëm nëpër botë, por i tillë nuk ishte. Shfaqjet e tregojnë një histori krejtësisht ndryshe. “Humorin e bëri mburojë – nuk është vetëm maskim, por edhe mbrojtje”, shton Thompson. Dhe, kur shikon vitet e hershme të Cowardit, e sheh se pse ai kishte nevojë për këtë.

Që në moshën 14-vjeçare kishte një lloj të marrëdhënies me artistin 36-vjeçar, Philip Streatfeild – ndoshta seksuale – përpara se Streatfeild të vdiste nga ethet në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Miku tjetër i ngushtë i Cowardit, John Ekins, gjithashtu vdiq në luftë. Në vitin 1918, në moshën 18-vjeçare, Cowardi pati një krizë nervore në një kamp trajnimi të ushtrisë dhe për gjashtë javë shtrua në spital.

“Është brezi që doli nga Lufta e Parë Botërore dhe nga pandemia globale e Gripit Spanjoll, dhe ai mendoi se e ardhmja ishte thellësisht e zymtë, një luftë tjetër në horizont”, thotë Soden.

Si të përballeni me këtë zymtësi? Këndoni dhe kërceni dhe qeshni me të. Besimi i rrejshëm gjithmonë ishte ikja e Cowardit: luante në mënyrë profesionale që në moshën 10-vjeçare, dhe si adoleshent nxirrte drama, këngë dhe romane.

Në moshën 25-vjeçare, Cowardi ishte “më i famshëm se kryeministri”, thotë Soden, me katër shfaqje në Londër në qershorin e vitit 1925. Bëri bujë në ShBA duke dhënë tri shfaqje në Broduej, deri në fund të vitit: The Vortex, Hay Fever dhe Easy Virtue – kjo e fundit flet për një grua tjetër të sinqertë për kënaqësinë seksuale dhe që ngufatet nga shtresat e larta refuzuese dhe hipokrite.

Deri në vitin 1926, tre mijë shfaqje të dramave të Cowardit u dhanë në skenat e mbarë botës, dhe të ardhurat e tij vjetore u vlerësuan të jenë të paktën 50 mijë funte (15 milionë funte sot). Ishte shkrimtari më i paguar në botë, por orari i pamëshirshëm shpejt e bëri të vetën. Në vjeshtën e vitit 1926, Cowardi nuk mund t’i ndalte të qarat në një shfaqje dhe më pas u rrëzua në dhomën e zhveshjes.

Soden sugjeron se Cowardi mund të ketë pasur çrregullim bipolar. Ajo që është e qartë është se jeta e tij u shënua nga periudhat “e aktivitetit maniak, me provat nga nëntë deri në pesë, një shfaqje në mbrëmje, festa deri në orën dy të mëngjesit … dhe më pas shembet”.

Punonte shumë dhe më pas shkonte në udhëtime – ndonjëherë me miqtë dhe të dashurit, shpeshherë vetëm, duke vizituar vendet nga Mongolia deri në Argjentinë, përpara se të jetonte në Xhamajkë dhe në Zvicër (po, duke shmangur taksat) në fund të jetës. Por, ai u ngushëllua nga udhëtimet. “I përdori lëvizjet si mënyrë për t’u marrë me dhimbjen”, sugjeron Thompson.

Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, Cowardi patriot u përpoq të shlyente mungesën në Luftë e Parë Botërore – duke i lodhur që të gjithë, madje Churchillin, për një punë. Përfundoi me disa: duke spiunuar për një shërbim të ri sekret, duke e drejtuar një departament propagande në Francë, duke u përpjekur që të ndikojë tek amerikanët e rëndësishëm për ta mbështetur Britaninë dhe për të hyrë në luftë, madje duke mbajtur takime në dhomën e gjumit të presidentit Roosevelt.

Mund të ketë qenë roli i tij më i madh. Por, askush nuk e merrte seriozisht: shtypi e përçmoi personin që në dukje kënaqej në Amerikë, teksa gjithë të tjerët vuanin, ndërsa statusi i tij ndërkombëtar i plejbojit shihej keq nga politikanët. Të dy reagimet e lënduan thellë Cowardin; shërbimi ndaj luftës ishte fusha ku ai donte të merrej seriozisht.

Në fakt, disa nga arritjet e tij më të mëdha qëndronin në historitë që tregoi gjatë konfliktit. Cowardi e shkroi skenarin për një nga filmat më emocionues të realizuar ndonjëherë, Brief Encounter; shkroi skenarin, ishte bashkëregjisor dhe luajti në hitin e madh patriotik, In Who We Serve; po ashtu shkroi një nga komeditë e tij më të suksesshme, Blithe Spirit, për një shkrimtar të rrënuar nga fantazmat e grave të vdekura.

Mjeshtri mund të jetë fshehur gjithmonë pas maske, por gjithashtu fshihej në dukjen e qartë – duke i përdorur vazhdimisht shfaqjet për t’ia kujtuar audiencës rolet që luante, maskat që mbante. Merreni parasysh këtë varg të Leos, të personazhit në Design for Living: “Në të vërtetë, gjithçka është çështje e maskave … të gjithë i mbajmë ato si mënyrë e mbrojtjes; jeta moderne na detyron për këtë”. Pesëdhjetë vjet nga vdekja e tij, ne ende e shijojmë zgjuarsinë dhe humorin e Cowardit – dhe ndoshta ende e zbulojmë trishtimin që fshihej prapa kësaj. /Telegrafi/