LAJMI I FUNDIT:

Ambientalistët: Jugohromi duhet të mbyllet!

Ambientalistët: Jugohromi duhet të mbyllet!

Kombinati i Jugohromit duhet të ndërpres punën deri në vendosjen e filtrave, vlerësojnë ambientalistët duke komentuar rifillimin me punë të ndotësit më të madh në rajonin e Pollogut. Ata mirëpresin hartimin e projektit për vendosjen e filtrat nga Jugokromi, por e vlerësojnë si jo të plotë mëqë parasheh eliminimin e grimcave, por jo edhe të gazrave helmuese, njofton Alsat M.

“Unë kisha rekomanduar se meqë tash më ekziston nisma për instalimin e filtrave, kjo punë e Jugokromit të ndërpritet dhe të mos bëhet pazarllëk i pandershëm me më tepër se 200 000 njerëzve në llogari të, e zëmë 500 apo 1000 të punësuarve apo mos themi edhe interesin e shefave të atij institucioni këtu nuk ka rrugë tjetër, ose do të eliminohet Jugohromi ose lihet me qëllim helmimi permanent i popullatës”, deklaroi Murtezan Ismaili, ambientalist.


Nga Komuna e Tetovës nuk komentojnë nisjen me punë të kombinatit, por shprehen të gatshëm për të përmbushur obligimet tjera sa i përket ndotjes së ajrit.
“Komuna e Tetovës vazhdon me ato masa që i ka votuar këshilli komunal paraprakisht, pra tanimë organet komunale sikurse ndërmarrja për pastrim dhe sektorë tjerë të komunës po punojnë në vazhdimësi për t`iu përmbajtur obligimeve dhe ingerencave që kemi si komunë, pra pastrimin e rrugëve, sistemimin e deponive të egra. Por po ashtu punojmë edhe në ndërtimin e lokacionit për ngarkim shkarkim të mbeturinave por edhe në masat afatgjate siç është ndërtimi i deponisë regjionale në Pollog”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i këshillit të komunës.

Ndotja e ajrit, përveç deponisë në Tetovë, ndodh edhe në komunën e Tearcës dhe të Brvenicës, ku si pasojë e vërshimeve të vitit të kaluar, janë formuar deponi të egra me materiale të forta si dhe mbeturina që sollën vërshimet e 3 gushtit të vitit të kaluar. Por, ndotësi kryesor sipas vlerësimeve të ekspertëve është kombinati Jugohron andaj edhe kërkojnë zgjidhjen urgjente të problemit, mbylljen e tij deri në vendosjen e filtrave kundër ndotjes së ajrit. /Telegrafi/