LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorja amerikane: SHBA e gatshme ta sulmojë sërish Sirinë

Ambasadorja amerikane: SHBA e gatshme ta sulmojë sërish Sirinë

Ambasadorja e shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë në Këshillin e Sigurimit se lajmet për sulmet kimike dhe viktimat në Douma nuk ishin “fake news”, lajme false.

“Ne i dhamë diplomacisë shans pas shansi”, ka thënë ajo.


Por Rusia bllokonte aksionet në Siri gjashtë herë me radhë.

“Ne nuk mund të rrimë anash derisa Rusia përçmon çdo normë ndërkombëtare për të cilën ne qëndrojmë”, ka thënë Haley.

Ajo ka shtuar se SHBA-të nuk do të lejojnë që regjimi i Assad-it të vazhdojë me vrasje në masë duke përdorur armët kimike.

“Vetoja e Rusisë ishte përdorur si dritë e gjelbër për Assadin që të përdorë armët kimike”.

“Strategjia jonë për Sirinë ende nuk ka ndryshuar. Por, Siria na ka detyruar ta përdorim forcën”.

SHBA ende vazhdon të jetë gati për sulm ka deklaruar ambasadorja.

Britania e Madhe: Sulmet me armë kimike ishin “krim kundër njerëzimit”

Ndërkaq, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Karen Pierce, ka thënë se përfshirja e Britanisë në sulmet ajrore në Siri ishin “një ndërhyrje humanitare”, dhe ishte ligjërisht e justifikueshme.

“Regjimi sirian po vret njerëzit e vet tash e shtatë vjet”, ka thënë Pierce.

“Përdorimi i armëve kimike ishte një krim dhe ishte krim kundër njerëzimit”.

Rusia dënon ndërhyrjen në Siri, e quan “akt agresioni”

I dërguari i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai e ka quajtur intervenimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, si një “agresion” kundër Sirisë.

“Ndërhyrja e ka përkeqësuar situatën edhe më shumë në katastrofën humanitare”, ka thënë i dërguari i Rusisë.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdojnë të demonstrojnë shpërfillje totale të ligjit ndërkombëtar”.

“Do të jetë interesante të shohim çfarë Franca dhe Britania do të bëjnë kur ta kuptojnë se kanë thyer ligjin ndërkombëtar duke cituar Kushtetutën e SHBA-ve”.