LAJMI I FUNDIT:

Alma Lama: Jeta ime e re prej ambasadoreje në Itali

Alma Lama: Jeta ime e re prej ambasadoreje në Itali

E ka filluar karrierën në gazetari, duke iu futur më pas rrugës së politikës, ndërsa tani e gjejmë në diplomaci!

Ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama, rrëfen në një intervistë për Telegrafin karrierën e saj të gjatë në gjithë këto vite. Tash e një kohë ajo është shpërngulur me familjen e saj në Romë, ndërsa çdo ditë e saj është e mbushur me ndonjë aktivitet.


Tutje, Lama rrëfen edhe për jetën e saj private, të qenurit nënë e tre fëmijëve, dhe si është një ditë e zakonshme nga jeta e saj…

E filluat me gazetari, më pas në politikë, ndërsa tani po vazhdoni suksesshëm në diplomaci. Kush është Alma Lama?

Një pyetje sa e lehtë aq edhe e vështirë. Do të thoja që është një rrugëtim i zakonshëm i karrierës sepse të treja këto profesione i bashkon një fill, e që është angazhimi me çështjet politike. Pak më e ndryshme është gazetaria pasi je në taborrin e kundërt të politikës, duke e raportuar atë, apo shkruar për të, mirëpo gjithsesi je njohës i kësaj fushe. Për mua kalimi nga gazetaria në politikë, ka qenë një vendim i vështirë pasi nga një person neutral, që nuk i përket asnjë grupi politik, duhet të bëhesha pjesë e një gupimi, dhe ishte humbje e pavarësisë, gjë që ta jep vetëm profesioni i gazetarisë. Por në politikë jam munduar ta ruajë këtë pavarësi, brenda rrethanave të mundshme dhe të ngre zërin kundër të gjitha problemeve që shqetësojnë shoqërinë. Në politikë, si deputete mu dha rasti të njoh edhe më nga brenda poltikën, si atë të brendshme dhe të jashtme, dhe të jem pjesë e vendmarrjes. Puna si parlamentare ishte një eksperiencë shumë e vlefshme për mua, e cila po më ndihmon në punë e re tashmë si diplomate. Këtu në Romë kam takuar plot ambasadorë që vijnë nga jeta parlamentare, dhe të gjthë thonë se ata që kanë qenë deputetë kanë vërtetë një eksperiencë të çmuar për tu marrë me diplomaci. Kështu që tek unë tashmë është bashkuar një eksperiencë gati 20 vjecare e medias, politikës dhe diplomacisë. Natyrisht ndihmë e madhe janë edhe studimet e fushës të cilat i kam nisur kohë më parë. Për mua ka qenë një kalim krejt i natyrshëm ky në dipomaci, duke qenë se edhe në kuvend kam qenë mjaft e angazhaur në diplomacinë parlamentare, ashtu sikurse disa kolege të miat, të cilat sot gjithashtu janë ambasadore nëpër disa kryeqenda me rëndësi, si zonja Çitaku, apo Sahatcia, që gjithashtu po bëjnë një punë mjaft të mirë në përfaqësimin e Kosovës, duke dëshmuar se gratë dinë të parfëqësojnë denjësiht dhe me zhdërvjellësi. Por për tiu përgjigjur përfundimsht pyetjes suaj, mund të them se pavarësisht të gjitha profesionave dhe pozitave, Alma Lama ka qenë dhe do të mbetet një njeri që e çmon shumë lirinë dhe lufton për iluminizëm, në gjithçka që mendon dhe bën.

Alma Lama. Foto: Francesca Mancini

Ushtroni prej një viti postin e Ambasadores së Kosovës në Itali? Cilat janë aktivitet të cilat ushtroni atje?

Unë kam vetëm 7 muaj që e kam marrë detyrën dhe jam vendosur në Romë. Përveç postit si ambasadore në Itali, jam ambasadore jo rezidente në Maltë dhe në San Marino. Si ambasadore jam e angazhuar në të gjitha fushat, për mbajtjen e raporteve diplomatike dhe intensifikimin e tyre me këto shtete, pastaj në diplomacinë ekonomike, për të cilën po punoj intensivisht për prezantimin e Kosovës si një vend të mundësive për të investuar. Dua të ndalem pak këtu, pasi e tërë ambasada është angazhuar në aktivitete për promovimin e klimës së biznesit në Kosovë. Unë personalisht jam takuar me shumë ndërmarrës, kemi organizuar edhe konferenca, kam vizituar edhe disa rajone dhe ndërmarrës jashtë Romës, dhe po themelojmë edhe Dhomën e Tregtisë Itali–Kosovë. Të gjithën këtë po e bëjmë në mënyrë që të sjellim investitorë në Kosovë, që të prodhojnë dhe të hapen vende pune, pasi papunësia është problemi numër një në Kosovë, veçanërisht tek të rinjtë. Jam e bindur që brenda mandatit tim si ambasadore, do të vijnë plot të tillë për të investuar. Po kështu jam e angazhuar në fushën e njohjeve, pasi Roma është nga ato kryeqytete, ku pothuajse të gjitha shtetet kanë përfaqësi diplomatike. Nga ana tjetër është edhe Vatikani, me përfaqësitë diplomatike, kështu që është vërtetë një vend i përshtatshëm për të lobuar. Unë prej fillimit jam angazhuar edhe në këtë fushë me intensitet të lartë, mirëpo kjo veprimtari është konfidenciale, dhe nuk mund të flas më shumë. E rëndësishme është që ka shpresa që disa shtete mund të lëvizin nga qëndrimet e tyre, por natyrisht këto procese marrin kohë. Pastaj është angazhimi për komunitetin shqiptar, si dhe diplomacia kulturore, për të cilën në muajt në vijim do të ketë edhe aktivitete që do t’i organizojë ambasada, në mënyrë që të promovohet arti që prodhohet në Kosovë, edhe në Itali. Të mos lë pas dore edhe nje gjë tjetër, që brenda dy muajsh që jam vendosur në Romë, me iniciativën time si ambasadore, kemi krijuar për herë të parë Grupin e Miqësisë Itali -Kosovë, në Parlamentin Italian, ku marrin pjesë 45 senatorë dhe deputetë, e që është një nga grupet më të mëdhaja të miqësisë me shtete të tjera që ekzistojnë në këtë parlament. Ky grup më ka dhënë mundësinë edhe të bëj një prezantim për Kosovën në Komisionin për Çështje Europiane, ku unë si përfaqësuese e shtetit të Kosovës, kam prezantuar qëndrimet tona për shumë çështje.

Roma, një qytet shumë i dashur le të themi për shqiptarët e Shqipërisë. Sa ndryshoi jeta juaj me zhvendosjen në kryeqytetin italian?

Roma është një qytet shumë i dashur për të gjithë ata që e duan artin dhe kulturën, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë. Jo më kot është nga qytetet më të vizituara në botë nga turistët, pasi ofron pasuritë kulturore të një perandorie dhe artin e mrekullueshëm të prodhuar nga artistët e arkitektët, shkrimtarët e filozofët, edhe pas rënies së saj. Pra ata që janë të lidhur me artin dhe kulturën, kanë çfarë të shohin e shijojnë, por për të jetuar , sidomos me familje, ka vështirësitë e veta, siç i ka çdo qytet i madh. Jeta ime nuk ka ndryshuar në ndonjë gjë, përveçse tani kam një punë shumë më dinamike, që më merr shumë më shumë kohë, që shpesh edhe pas orarit të punës unë duhet të shkoj në takime e pritje të ndryshme, gjithmonë si pjesë e punës. Është një punë interesante dhe e bukur për ata që e duan diplomacinë, por mbi të gjitha është një mundësi për të dhënë kontributin për vendin tënd, duke e prezantuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke krijuar lidhje të reja, duke i afruar personalitetet e fushave të ndryshme më shumë me Kosovën. Jam e kënaqur që kudo që shkoj, më presin mjaft mirë dhe mjaft ngrohtë.

Foto: Francesca Mancini

Po familja juaj? A e patën ata të vështirë të ambientoheshin?

Unë jam në Romë së bashku me familjen, pra bashkëshortin dhe tre fëmijët. Padyshim që muajt e parë ose më saktë viti i parë është një sfidë për fëmijët, pasi janë zhvendosur në një ambjent të ri, larg shokëve e miqve të tyre, pastaj problemi i gjuhës, sepse iu është dashur të sforcohen shumë për ta mësuar dhe për të zhvilluar mësimin në këtë gjuhë. Mirëpo me kalimin e kohës, besoj se do t’ia dalin të ambjentohen dhe të bëjnë miq të rinj.

Kur jemi tek familja. Dimë që jeni e martuar dhe nënë e tre fëmijëve? Sa kohë shpenzoni me familjen?

Aktualisht jo shumë, pasi kam shumë angazhime në punë. Por asnjë punë nuk është e lehtë për nënat, pasi gjthmonë jetojnë me brengën për fëmijët. Të tilla kanë qenë edhe profesionet e mia të mëhershme, por i kam përballuar, kuprohet me ndihmën e familjes. Kështu që kam besim se edhe këtë herë, do t’ia dal që përveçse të bëj punën mirë, të jem edhe një nënë e mirë.

Një ditë e zakonshme e Alma Lamës?

Një ditë e zakonshme është e mbushur plot më angazhime. Fëmijëve iu përkushtohem më shumë në fundjava, kuptohet kur nuk kam vizita të zyrtarëve të lartë nga Kosova, apo udhëtime të miat për punë. Por jam e interesuar që fëmijët të njohin kulturën dhe artin italian, kështu që kur gjejmë kohë, mundohemi t’i çojmë nëpër vendet ku mund ta bëjnë këtë.

Sa është e vështirë puna e një ambasadoreje?

Nuk e di ta them sepse unë personalisht nuk kam ndeshur në ndonjë vështirësi të pakapërcyeshme, pasi siç e kam shpjeguar më lart, eksperienca e mëparshme më ka dhënë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për të përcjellë qëndrimet e shtetit të Kosovës, e po kështu për të krijuar lidhjet që na nevojiten për t’i çuar agjendat tona përpara. Edhe kjo punë, ashtu sikurse ajo në parlament, varet shumë nga individi dhe dëshira e tij për t’u angazhuar. Askush nuk të detyron të shkosh nëpër shumë aktivitete apo takime, apo të krijosh lidhje dhe t’i mirëmbash ato, mirëpo kur je i përkushtuar ndaj punës dhe vendit tënd, duhet t’i bësh. Unë kështu e mendoj dhe kështu veproj, pra përpiqem të jap maksimumin, natyrisht edhe me ndihmën e kolegëve të tjerë në Ambasadë, pasi të gjithë po punojnë në këtë frymë dhe kam bashkëpunëtorë mjaft të mirë.

Sa është i gatshëm sipas jush shteti italian ta mbështesë Kosovën, në çdo hap para të rrugëtimit të saj?

Shteti italian është shtet mik i Kosovës, që na ka mbështetur në vazhdimësi, në të gjitiha proceset, si të çlirimit, ashtu edhe të pavarësisë e më pas. Italia ka kontigjentin më të madh të trupave të KFOR-it në Kosovë, gjë që tregon për interesin dhe seriozitetin e shtetit italian ndaj Kosovës. Po kështu Italia na mbështet në rrugën për BE, në organizata ndërkombëtare dhe pothuajsë në të gjitha fushat. Këtë vit psh. Italia është shteti që organizon procesin e Ballkanit Përendimor. Po kështu Italia është një nga vendet më me peshë në Bashkimin Europian, prandaj kemi shumë fije të interesave që na bashkojnë dhe për fat Italinë e kemi në krah. Kjo nuk do të thotë se tani duhet të rrijmë duarkryq; ka ende shumë fusha ku mund të bashkëpunohet si ekonomia, arsimi, kultura, siguria etj.

Ju merr malli për politikën, apo ulësen e deputetes, dhe kur jemi tek politika! Sa po i ndiqni zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës (Zgjedhjet) dhe çfarë mendimi keni?

Për politikën nuk më merr malli se me çështje politike merrem edhe këtu, kuptohet jo me politikë të brendshme, por duke përcjellë interesat e shtetit të Kosovës. Për punën në parlament, herë pas here, edhe pse për gjashtë vite sa kam qenë pjesë e parlamentit, kam punuar shumë, kam mbajtur me dhjetëra fjalime, kam ndërmarrë shumë iniciativa, një pjesë e të cilave janë bërë realitet, kam punuar shumë për të drejtat e grave, kam mbrojtur qëndrimet në interes të kombit dhe të shtetit, pa u joshur asnjëherë nga populizmi. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë kundër populizmit pasi ky i fundit ka prodhuar tragjedi të pafund tek ne dhe nëpër botë. Është një thënie që më vjen ndërmend gjithnjë që ka të bëjë me populizmin: politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrështetasit, për brezin e ardhshëm. Ngarendja pas votave duke harruar interesat kombëtare është e pafalshme, por nga ana tjetër të qenurit jo populist, ka kostot e veta, të cilat unë i kam paguar si askush tjetër në politikë, me sharje, fyerje, shpifje e linçime nga individë e qarqe të ndryshme. Gjithsesi të gjitha situatat e pakëndshme, më kanë bërë edhe më të fortë , edhe më të palëkundur në bindjet e mia të drejta, të cilat po vërtetohen çdo ditë e më shumë. Unë nuk besoj se duhet të jesh profet për t’i parashikuar gjërat, mjafton të thuash të vërtetën në kohë, pikërisht atëherë kur të tjerët nuk kanë guxim ta bëjnë. Nuk kam asnjë vrasje të ndërgjegjes se pse nuk e bëra këtë apo atë si parlamentare, sepse kam punuar shumë. Natyrisht që kam pasur ende shumë për të dhënë në politikë, por të njëjtën gjë po bëj sot, në detyrën e re, e cila nuk është siç mund ta përfytyrojë dikush që nuk ka njohuri, apo që ka ndërtuar një perceptim të gabuar nga mediat që qëllimshëm shtrembërojnë realitetin; është një detyrë me shumë përgjegjësi, që duhet të peshosh mirë çdo fjalë, që do energji dhe angazhim tepër të madh, për ta bërë mirë detyrën.

Po për gazetarinë? Sa ju merr malli? Dhe si e shihni gazetarinë në Kosovë?

Raporti im me gazetarinë nuk është çështje malli, por brenge, sepse gazetaria në Kosovë në të shkuarën ka pasur standarte shumë më të larta profesionale. Ndërsa me zhvillimin e mediave të reja, pajtohem ma ata qe thonë se po përjeton një krizë, si financare ashtu edhe të etikës. Ky është një trend global në fakt, por disa media prestigjoze nëpër botë, pavarësisht problemeve, vazhdojnë të ruajnë kredibilitetin e tyre, pasi kanë standarte të larta për raportimin e së vërtetës. Raportimi i gabuar, manipulimet e qëllimshme, raportimet tendencioze, lincimet apo vënia në dispozicion e hapësirave të tyre për linçuesit, gjithçka mund të jenë, por vetëm gazetari nuk mund të jenë. Në Kosovë ka nevojë për një rregullim ligjor të portaleve, të cilat janë burimi kryesor i informacionit, ashtu si po ndodh në plot vende të tjera. Unë këtu jam duke e ndjekur punën e një komisioni parlamentar që është i angazhur në këtë drejtim, dhe sapo të dalë me rezultate konkrete, do ta sjell edhe në Kosovë si model që duhet të merret parasysh. Pastaj janë grupet radiale që po shfrytëzojnë në interesin e tyre këtë krizë të mediave, që vjen edhe si pasojë e zhvillimit të teknologjisë, për të afirmuar agjendat e tyre, gjë që është tepër e dëmshme. Prandaj nëse do merresha sërish me gazetari, fusha ime e veprimit do të ishte pikërisht adresimi i këtyre problemeve.

Foto: Francesca Mancini

Cili është çelësi i suksesit për Alma Lamën?

Së pari, gjithçka në jetë e kam arritur vetëm nëpërmjet punës dhe angazhimit. Gjithmonë ka pasur njerëz që më kanë vlerësuar për këtë, sepse kur punon gjithmonë do të ketë njerëz që të vlerësojnë dhe respektojnë, madje edhe kundërshtarët e tu më të mëdhenj. Unë kam ecur në jetë vetëm me këmbët e mia, dhe prandaj nuk kanë mundur të më rrëzojnë, përkundrazi çdo vështirësi që kam kaluar më ka bërë edhe më të fortë, për të përballuar sfidën e radhës. Së dyti, liria ime e brendshme dhe dinjiteti, më kanë ndihmuar të mos i përkulem askujt, por të bëj atë për të cilën jam e bindur se është më e mira, edhe kur të tjerët nuk e shohin ashtu. Unë s’kam hequr asnjëherë dorë nga bindjet e mia, e kjo mendoj se është shumë e rëndësishme. E keqja është se, njerez si unë tërheqin drejt vetes shumë shigjeta të helmatisura, që kërkojnë shumë durim për t’i përballuar, derisa të triumfojë e vërteta. Por edhe kjo është një cilësi që duhet ta kesh kurr merresh me punë publike.

Çfarë bën Alma në ditën më të keqe të saj?

Mundohem të shkëputem, të lexoj ndonjë gjë që më dërgon në mendime të tjera dhe t’i lë vetes kohë për ta parë realitetin me një sy tjetër, ku mbizotëron racionalja.

Planet tuaja për të ardhmen?

Asnjëherë nuk bëj shumë plane, por plani im i përhershëm është angazhimi për çështjet në të cilat besoj. Mënyra e angazhimit mund të jetë e ndryshme por përmbajtja është përherë e njejtë, me apo pa pozitë zyrtare. Pozita zyrtare për mua është vetëm një mjet, jo qëllim në vetvete.

Thënia juaj e jetës?

“Mos i bëj të tjerëve, atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty.” Është thënie e filozofit të lashtë grek Sokratit, por në forma të ngjashme edhe e filozofëve apo njerëzve të tjerë të mençur, që më vjen shpesh në mendje. Sikur të vlente për të gjithë, bota do të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. /Telegrafi/