Bie pak poshtë klavikulës, u përshtatet pothuajse të gjitha formave të fytyrës dhe stilohet lehtë, nga pamja e lëmuar deri te valët e buta

Po mendoni t’i shkurtoni flokët, por ende nuk jeni gati për një bob klasik? Hailey Bieber mund t’jua lehtësojë vendimin.


Në një fushatë të fundit për Skims, ajo u shfaq me një prerje të re elegante, të quajtur “extended lob” – një version më i gjatë dhe më i butë i long bob-it. Flokët bien pak poshtë klavikulës, duke krijuar ekuilibrin ideal mes një prerjeje të shkurtër dhe gjatësisë mesatare.

Kjo prerje karakterizohet nga një vijë e pastër në fund dhe shtresa të buta, të lehta, që u japin flokëve lëvizje natyrale. Ndryshe nga bob-i i prerë drejt dhe shumë i rreptë, “bobi i zgjatur” duket më i lirshëm, modern dhe më pak formal.

Gjatësia është e mjaftueshme që flokët të vendosen pas veshëve ose të lidhen në një bisht të ulët, çka e bën prerjen praktike dhe të përshtatshme për shumë stile, transmeton Telegrafi.

Kujt i përshtatet?

Sipas stilistit Nicolas Flores, kjo prerje u shkon pothuajse të gjithëve. Çelësi është që shtresat të përshtaten me formën e fytyrës dhe me strukturën e flokëve.

Në varësi të tipareve, stilisti mund t’i bëjë shtresat më të shkurtra ose më të gjata, duke ruajtur formën dhe lëvizjen karakteristike të prerjes.

Si stilohet?

Bobi i zgjatur mund të mbahet në shumë mënyra: i drejtë dhe i lëmuar, me volum të butë ose me onde të çrregullta.

Për një pamje të përditshme mjafton tharja me furçë, ndërsa për një stil më modern mund të krijohen onde të lirshme. Për raste më formale, flokët mund të drejtohen dhe të stilohen me shkëlqim.

Si mirëmbahet?

Kjo prerje është relativisht e lehtë për t’u mirëmbajtur. Rekomandohet përdorimi i një maske hidratuese një herë në javë, në mënyrë që flokët të mbeten të butë, me shkëlqim dhe elastikë.

Për ta ruajtur formën, flokët duhen rregulluar çdo gjashtë deri në tetë javë. Një tjetër avantazh është se rriten bukur, pa kaluar nëpër fazën e parehatshme që shpesh shoqëron bob-in klasik. /Telegrafi/