LAJMI I FUNDIT:

Alibeaj radhit 30 pyetje për Ramën: Vetëm e vërteta është shpëtim

Alibeaj radhit 30 pyetje për Ramën: Vetëm e vërteta është shpëtim

Në seancën maratonë për çështjen “McGonigal” në Kuvendin e Shqipërisë, mori fjalën edhe kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Duke cilësuar se përballja e kryeministrit me Kuvendin duhet të kishte ndodhur 2 muaj më parë, Alibeaj përsëriti detajet e zbardhura nga hetimi amerikan si dhe akuzat e drejtësisë ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI, dhe veprimtaritë që sipas tij përfshijnë edhe kryeministrin Edi Rama, ”mikun e tij” Agron Neza dhe “këshilltarin jo zyrtar” Agron Duçka.


Alibeaj përsëriti interesat e secilit prej tyre, ku për Ramën ishte baltosja e opozitës, për Nezën dhe Duçkën, përfitimet në koncesionet për shfrytëzimin e fushave të naftës.

Kreu i grupit parlamentar të partisë opozitare radhiti 30 pyetje konkrete për Ramën mbi këtë çështje, duke përfunduar se “vetëm e vërteta është shpëtimi në këtë rast, pyetjet pezull sot në Parlament do të jenë edhe në Prokurori”.

Pyetjet:

1- Kush janë personat, të cilët kanë qenë në katër takimet e cituara në akt-padi?
2- Kush ka qenë i pranishëm në takimin e 17 shtatorit 2017, përveç teje, Dorian Duçkës dhe McGonigal?
3- Takimi zhvillohej si takim privat apo si takim zyrtar? A u prezantua si zyrtar i lartë i FBI, në atë takim?
4- Përse është diskutuar çështja e dhënies së licencave të fushave të shfrytëzimit të naftës në Shqipëri mes jush?
5- A keni qenë në dijeni se personi Agron Nezaj dhe Dorian Duçka kishin interesa financiare në fushën e shfrytëzimit të naftës?
6- A keni marrë masa ju që licenca e shfrytëzimit të naftës të mos u jepej personit A dhe B, në shkelje të ligjit?
7- Çfarë masash keni marrë pasi gjykata vendosi se leja e shfrytëzimit të tre parcelave naftëmbajtëse, që iu dha një shoqërie, ishte me shkelje ligjore?
8- A keni bërë ju deklarim me ILDKPK për situatë konflikti interesi rreth kësaj çështjeje? Po ndonjë nga ministrat tuaj të kohës që drejtonte këtë sektor?
9- Sa herë keni kontaktuar në telefon, me mesazhe, me email apo mjete të tjera komunikimi apo takime fizike me mikun tuaj McGonigal prej shtatorit 2017?
10- Kush ka qenë i pranishëm në takimin që ke patur me të në 20 nëntor 2017? Çfarë keni diskutuar mes jush?
11- Takimi ka qenë i natyrës private apo zyrtare? A i keni dhënë ju informacion McGonigal rreth lobimit në USA të një partie tjetër, të ndryshme nga partia juaj?
12- Cili zyrtar nga zyra juaj (zyra e Kryeministrit) i ka dhënë informacione Dorian Duçkës lidhur me lobimin?
13- Si e shpjegoni ju që 4 ditë më pas, në datë 24 nëntor, McGonigal ka marrë nga këshilltari juaj Dorian Duçka informacion për të stisur procedimin penal ndaj lobistit të Partisë tjetër kundërshtare me tuajën?
14- Në dhjetor 2017 keni darkuar me Mcgonigal dhe personin A në New York. A është diskutuar mes jush dhënia e informacioneve tek Agron Nezaj (përveç çfarë i ishte dhënë Dorian Duçkës) lidhur me lobimin e PD?
15- Si e shpjegoni ju që këtë radhë Agron Neza kishte gjetur informacione mbi lobistin e partisë tjetër kundërshtare me ju dhe ia ka kaluar McGonigal në dt 4 janar?
16- Keni kërkuar ju në këtë takim, që McGonigal të ndërhynte për të stisur një çështje penale në USA?
17- Si e shpjegoni që Agron Neza është furnizuar me informacion përsëri, këtë rradhë në dt 22 janar lidhur me lobistin e partisë tjetër, në funksion të stisjes së çështjes penale kundër tij?
18- Cili nga zyrtarët e zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë ia ka dhënë këtë informacion Agron Nezajt?
19- McGonigal ka qenë në Shqipëri në shkurt 2018? A e keni takuar? Nëse jo, a ju ka informuar keshilltari juaj për takimin që ai ka patur me të në Tiranë?
20- Ju ka informuar keshilltari juaj se ai po mbështeste hetimin dhe pyetjen e dëshmitarëve në funksion të hetimit të stisur ndaj lobistit të Partisë tjetër?
21- Në mars 2018 keni darkuar së bashku me McGonigal dhe Agron Nezaj në New York. A është diskutuar fakti se Agron Nezaj kishte marrë informacion nga zyra juaj dhe ia kishte përcjellë McGonigal? Po për faktin se Agron Nezaj po mbështeste hetimin e stisur duke u paraqitur si dëshmitar vetë në këtë hetim?
22- Cili ishte ish-agjenti tjetër i cili ishte duke darkuar me ju?
23- Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjentit të FBI-së i janë paguar 225.000 dollarë nga Agron Nezaj?
24- Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjenti i FBI-së inicion hetimin penal për lobistin amerikan të Partisë Demokratike?
25- A mundet Kryeministri të provojë se Agron Neza nuk ka vepruar i porositur prej tij, kur ka deklaruar se kishte informacion mbi lobistin e Partisë Demokratike, të marrë nga zyra e Kryeministrit shqiptar?
26- Cili ishte burimi i drejtuesve të Partisë Socialiste që flisnin për një çështje penale ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike, ndërkohë që çështja ishte nën hetim dhe mbulohej nga sekreti hetimor?
27- Çfarë natyre kanë pasur marrëdhëniet e Kryeministrit me Z. Dorian Duçka?
28- Cila është arsyeja që ky shtetas është pajisur me pasaportë diplomatike dhe me një email qeveritar, në një kohë që ishte i angazhuar në një aktivitet privat?
29- Pse qeveria shqiptare ka shkelur ligjin për t’i dhënë koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse një kompanie të lidhur me Z. Neza dhe Z. McGonigal?
30- Pse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes nën sanksione amerikane? /Telegrafi/