Albin Tahiri ka përfunduar në pozitën e 32-të në disiplinën e sllallomit në kampionatin botëror të skitarisë, që po mbahet në Cortina d’Ampezzo të Italisë.

Kjo është pozita më e mirë ndonjëherë e Tahirit në kampionatin botëror dhe më e mira në histori të skitarisë tonë.

31-vjeçari përfundoi të dyja lëshimet me kohë 2:12.45 minuta, +25.99 nga vendi i parë. Pjesëmarrës në garë ishin 100 garues, ndërsa shumica u diskualifikuan në lëshimin e parë ose të dytë.
Tahiri është shprehur i lumtur me rezultatin, thuhet në një postim në faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës në Facebook.

(Foto: Facebook/KOK)

“Jam shumë i lumtur me rezultatin e sotëm, pasi arrita rezultatin më të mirë në histori të skitarisë së Kosovës. Synimi im ishte të hyja në top 30-she, por për pak nuk ia dola. Shpresoj ta kem bërë Kosovën time krenare”, është shprehur Albin Tahiri.

Me sllallomin e sotëm u mbyll edhe kampionati botëror.