Albin Kurti – personaliteti i vitit 2011

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje ka marrë numrin më të madh të votave në garën që ka qenë si rrallë herë e ngushtë, sidomos gjatë votimit të javës së fundit.
Albin Kurti bëhet në këtë mënyrë i pari personazh jashtë kufijve zyrtar të Shqipërisë, që e fiton këtë anketë.
Sipas TCh, ai është kthyer në një figurë të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në Maqedoni e në diasporë.
“Lëvizja që ai kryeson ka qenë zëri më i fuqishëm këtë vit kundër negociatave të Kosovës me Serbinë, madje duke zbritur edhe me aksione simbolike në terren kundra qeverise. Por, Albin Kurti pati edhe meritë që të kthejë në këtë vit Vetëvendosjen nga një aksion dhe mosbindje civile në një parti parlamentare, duke mos ia zbehur asaj profilin prej të cilit u krijua”, raporton Tch.
Një tjetër lider lëvizjeje që është votuar në këtë anketë, duke e zënë vendin e dytë, është Kreshnik Spahiu i Aleandës Kuq e Zi. Një vlerësim për një kontribut jo të vogël Lëvizja e tij thuhet të ketë dhënë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve, kudo ku flitet shqip dhe kudo ku jetojnë ata.
Në vend të tretë janë katër personat që humben jetën në protestën e opozitës para kryeministrisë, më 21 janar të vitit të kaluar. Kryesocialisti Edi Rama është në vendin e katërt, ndërsa në të pestin historiani Kristo Frashëri. Në vend të gjashtë është kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Futbollisti Lorik Cana renditet në vend të shtatë; Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në të tetin; artisti Saimir Strati – që kohë më parë theu të gjashtin rekord personal “Guinness” – është në vendin e nëntë; ndërsa, sopranoja Ermonela Jaho, që këndon në skenat më të mira të botës, është në vendin e dhjetë. /Telegrafi/

















































