LAJMI I FUNDIT:

“Al Petrol” po kontribuon në zhvillimin ekonomik

“Al Petrol” po kontribuon në zhvillimin ekonomik

Pronari i “Al Petrol”-i”, Latif Kryeziu, ka bërë me dije se kompania të cilën ai e udhëheq çdo vit kontribuon për buxhetin e Kosovës me 45 milionë euro.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të bëjë reforma të thella ekonomike në mënyrë që të ketë më shumë zhvillim ekonomik dhe thithje të investimeve të jashtme. Kryeziu në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se ka shumë vite që merret me biznes, por asnjë Qeveri deri më tani, sipas tij, nuk ka sjellë politika të favorshme për të pasur rritje ekonomike dhe ngritje të mirëqenies së qytetarëve të vendit.


Ai ka deklaruar se ka ardhur koha që Kosovës dhe qytetarëve të saj t’i dalë një alternativë e re politike. Ai ka bërë me dije se nuk e përkrah asnjërën parti politike në Kosovë dhe se në një të ardhme jo të largët së bashku me intelektualë të tjerë dhe njerëz të suksesshëm të Kosovës mund ta krijojnë një parti politike.

Kryeziu ka thënë se “Al Petrol”-i është furnizuese e shumicës së ambasadave në Kosovë dhe se deri më tani ato kanë qenë shumë të kënaqura me shërbimet e kompanisë.

Ai ka bërë me dije se në nderim të punës së ish-ambasadorit amerikan Hill, atij do t’i ngrihet busti në vendin në të cilin ai veproi për shumë vite. /Telegrafi/