LAJMI I FUNDIT:

Akuzat e Lu, Llalla takon Metën

Akuzat e Lu, Llalla takon Metën

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka takuar kreun e Kuvendit, Ilir Metën, një ditë pas akuzave të ndërsjella mes tij dhe ambasadorit amerikan në vendin tonë, Donald Lu.

Takimi Llalla-Meta u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.


Ambasadori amerikan akuzoi dje kryeprokurorin Adriatik Llalla për shkeljen e Kushtetutës në përzgjedhjen në emër të organit të akuzës të 3 kandidatëve për 3 poste si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Llalla u akuzua se për më shumë se 18 muaj ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.

Ndërsa organi qendror i akuzës e akuzoi ambasadorin amerikan se lëvizjet e tij për heqjen e vizave lidhen me përfitimet personale të Donald Lu. Këto akuza Adriatik Llalla i ka bërë zyrtarisht të njohura nëpërmjet një letre presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit. Thelbi i konfliktit, siç e paraqet prokuroria, e ka zanafillën tek reforma në drejtësi.

“Prej kohësh, zoti Lu, duke u prezantuar si nxitës i reformës në drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut”, tha dje Fjorida Ballauri, shefe e kabinetit të prokurorit të përgjithshëm. /Telegrafi/