LAJMI I FUNDIT:

Aktori duhet të jetë si Kazanova – çdo rol i ri të jetë dashuria e parë dhe e fundit!

Aktori duhet të jetë si Kazanova – çdo rol i ri të jetë dashuria e parë dhe e fundit!

Si aktor, rolet e tij të tronditnin. Por, vetëm pas bisedës me të kuptova thellësinë dhe mirësjelljen e vërtetë të Donald Sutherlndit (17 korrik 1935 – 20 qershor 2024).

Nga: Robbie Collin, kritik filmi / The Daily Telegraph (titulli: Donald Sutherland was a dream to interview – then he emailed me out of the blue)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 2015, pak para premierës të filmit të katërt të Lojërave të urisë [Hunger Games], u ula në një hotel në Londër, bashkë me Donald Sutherlandin i cili e luajti rolin e Presidentit tiranik Snou në serinë e fantazisë me aktorë të rinj. Në atë kohë, Sutherlandi më në fund u pajtua me djalin e vet Kiefer, i njohur si Xhek Baueri në serinë televizive 24: që të dy kishin pak kontakte gjatë jetës së hershme të Kieferit, por sapo kishin xhiruar një film së bashku – një vestern të quajtur Braktisja [Forsaken], për një baba dhe një bir të distancuar nga njëri-tjetri, në përpjekjen për të shëruar plagët e vjetra.


Si person me plot mendime dhe i shoqërueshëm, ishte ëndërr të intervistoje Sutherlandin. Por, për shkak se çdo përgjigje ishte histori më vete – që pasurohej me atë baritonin e natyrshëm kanadez – biseda rridhte si uji, dhe pikërisht teksa po hynim në temën e raporteve të tij me të birin, dikush nga marrëdhëniet me publikun doli nga gardëroba dhe tha se koha jonë mbaroi.

Disa ditë më vonë, një email ishte në inboksin e emailit tim nga dikush që veten e quante “Frank Racette”. Ishte Sutherlandi. (E veja e tij është aktorja kanadeze Francine Racette.) Fundi i tillë i bisedës tonë, atë ashiqare e kishte mërzitur, kështu që i kishte shkruar 700 fjalë mbi temën e Braktisjes dhe të atësisë – duke kujtuar kohën e tij me [regjisorin Federico] Fellinin, duke cituar [poetin Philip] Larkinin dhe duke kujtuar thashethemet klasike të Holivudit. Në fund, e kishte bashkangjitur një fotografi të tij dhe të Kieferit – së bashku, në sheshxhirim.

Në atë kohë mbeta i shtangur. Nëntë vjet më vonë, duke lexuar përsëri fjalët e tij, e gjej veten të prekur aq sa nuk mund të shprehem. Sutherlandi shkroi thuajse fliste dhe aktronte – që do të thotë kishte magnetizëm të kontrolluar, por sensual, dhe gjithashtu një ndjenjë intuitive për natyrën e çuditshme të bashkimit të pikave të kundërta të përvojës njerëzore. Nuk mund të largohesh nga performanca e mirë e Sutherlandit (në këtë rast nga emaili) pa ndier se vetë realitetit i është dhënë një ushtimë dhe se pjesët e tij bien në një rend të ri zbulues – ndoshta ngushëllues, por me raste jo.

Epoka e tij e moshës së shtyrë dha rezultate të jashtëzakonshme: vlen të përmendet injeksioni jetik i seriozitetit dhe zymtësisë të cilin ia dha filmave të Lojërave të urisë, si dhe ngrohtësia e thellë atërore të cilën e solli në rolin e z. Benet te Krenaria dhe paragjykimi [Pride and Prejudice] të regjisorit Joe Wright. Por, ishte faza e tij e hershme – filmat Don’t Look Now, Klute, Invasion of the Body Snatchers, The Day of the Locust, Ordinary People, Fellini’s Casanova – që e bëri Sutherlandin të jetë prani të pashlyeshme për brezat e tërë të adhuruesve të kinemasë.

Nuk mund të numëroj se sa herë e kam parë filmin Mos u kthe [Don’t Look Now], por nuk jam ende plotësisht i përgatitur për të shkruar për ashpërsinë magjepsëse të performancës së tij si Xhon Baksteri – babai në zi që kërkon ngushëllim në Venecie, në qytetin e ujit dhe jehonave ku çdo rrugicë komploton për ta kthyer atë në ankthin dhe në pikëllimin të cilin vetëm vdekja mund ta shkarkojë.

Si detektiv Klyt që ia dha titullin filmit Klute, Sutherland ishte aq i matur dhe i kontrolluar saqë karakteri i tij bëhej po aq enigmë sa edhe çështja e personit të zhdukur për çfarë ai shkoi në Nju-Jork për ta zgjidhur si rast. Në një histori tronditëse, Sutherlandi e vë veten në pozicionin e vëzhguesit dhe pritësit të përkryer, duke mos i dhënë pothuajse asgjë qytetit që mund të marrë gjithçka që ti ke.

Në atë hotel, në takimin e vitit 2015, mbaj mend që e pyeta për efektin e mundshëm të topit të dëborës [proces që fillon me diçka që ka pak rëndësi, por që rritet, bëhet e madhe, serioze e ndoshta e dobishme apo shkatërrimtare] nga luajtja e kaq shumë roleve – le të themi nëse Presidenti Snou mund të shkëpuste fijet e lidhjes me Xhon Klytin, Xhon Bakesterin, Hokaj Pirsin [filmi M*A*S*H], Methju Benelin [filmi Invasion of the Body Snatchers], Kalvin Xharetin [filmi Ordinary People] …

Në fakt, tha se nuk ishte aspak ashtu – dhe më pas biseda u zhvendos diku tjetër dhe mendimi mbeti i paplotë.

Në emailin e tij, atë e plotësoi.

“Sa i përket përvojës së gjithë këtyre viteve”, shkroi ai, “është e ngjashme me punët e Kazanovës. Sa herë dashurohej, dhe ai dashurohej shumë herë, ishte hera e parë dhe e fundit. Kurrë më parë nuk ka qenë i dashuruar. Koha ndalonte. Dhe, fillonte sërish. Dhe, më pas, pas shumë lidhjeve u ndal”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Fluturimi i Apollos 11

Fluturimi i Apollos 11

Kulture
Shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë dhe synimi i Athinës që çamët t’i quante turq!

Shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë dhe synimi i Athinës që çamët t’i quante turq!

Kulture
NJERËZIT JANË TË ÇUDITSHËM

NJERËZIT JANË TË ÇUDITSHËM

Poezi
Fishta arkitekt – mit a realitet?

Fishta arkitekt – mit a realitet?

Pse “Baby Reindeer” nuk i meriton çmimet Emmy?

Pse “Baby Reindeer” nuk i meriton çmimet Emmy?

Kulture
Historia e vrasjes së Çerçiz Topullit

Historia e vrasjes së Çerçiz Topullit

Kalo në kategori