LAJMI I FUNDIT:

Akti i leximit

Akti i leximit

Për Ditën Ndërkombëtare të librit dhe Leximit

Nga: Muhamedin Kullashi

Për frymën e gjallë që nuk heqë dorë nga veprimtaria e vet, leximi bëhet “argëtimi më fisnik, sidomos më fisnikëruesi”. Fuqia e sensibilitetit dhe inteligjencës sonë s’mund të zhvillohet ndryshe veç brenda thellësisë së jetës sonë spirituale, me kontaktin me fryma (mendje) të tjera, të cilin e ofron leximi; ndryshe nuk mund të edukohen aftësitë e frymës sonë. Kësisoj, shkrimtari francez Marcel Prousti nuancon anët e leximit.

Bredhjet nëpër rrugët e Parisit, që strehojnë libraritë e moçme, evokohen shpesh nga shkrimtarë e filozofë që kanë jetuar e vepruar këtu, kalimthi apo një kohë më të gjatë. Bredhje që shndërrohen në shëtitje, nëpër faqet e shfletuara të librave e revistave. Kërkim i prehjes a ngushëllimit, në faqet e vijëzuara me fjalitë që janë thurë në mënyrat me të çuditshme e më kapriçioze.

Leximi: bisedë apo kërkim?

Descartesi flet disa herë, në shkrimet e veta, për librin si botë dhe botën e librit. Ndërkaq, leximin e “gjithë librave të mira” e shikon si “bisedë me njerëzit më të çmuar, të shekujve të kaluar që kanë qenë autorë të tyre”. Prej shumë shkrimtarëve e filozofëve që kanë shkruar për leximin, shquhen persiatjet e mbresat e Marcel Proustit (Prusti, 1913-1927), autorit të ciklit të romaneve “Në kërkim të kohës së humbur”. Në përmbledhjen e artikujve “Ditë të leximit” (“Journées de lecture”, 1905), Prousti, së pari, bën një shmangie ndaj të shikuarit të leximit si “bisedë me njerëzit e ditur”. “Dallimi kryesor midis leximit dhe bisedës, midis librit dhe mikut, nuk është në mençurinë, më të madhe a më të vogël të tyre, por në mënyrën si komunikojmë me ta“. Ndryshe nga biseda, leximi nënkupton komunikimin si marrje, gjatë leximit, të mendimit të një tjetri “brenda vetmisë sonë, do të thotë brenda mundësisë që të jemi të frymëzuar, të mbesim brenda veprimit të plotë e të frytshëm të vet frymës sonë”.

Mirëpo, Prousti, sado që vë në pah gjithë kënaqësitë që na ofron leximi në vetmi, atë që çilet para syve të frymës sonë, “tiparet e mrekullueshme që përmbajnë librat e bukura”, megjithatë, që në fillim, do të na tërheq vërejtjen ndaj grackave që mund të përmbajë leximi, “ky akt psikologjik origjinal”. Mbi të gjithat, ndriçon grackën e magjepsjes së plotë me leximin, magjepsjen me gjithë atë që leximi zhvesh e shpalon para nesh, magjepsje që mund të na çojë deri te zhytja në një gjendje përgjumësie. Leximi mund të vë në lëvizje intelektin, imagjinatën dhe ndjenjat tona. Ai bën që ato të ushtrohen, të rriten e të gjallërohen. Por leximi ka një kufi të brendshëm, veç rrethanave të jashtme që mund ta pengojnë atë (mungesa e hapësirës së qetë dhe kohës së lirë për lexim). Në fakt, për të “leximi na lë te pragu i jetës mendore : ai mund të na afroj deri te ajo, por nuk e përbën atë”, ngase “është një ligj i veçantë dhe providencial i optikës së frymës”, ligj ky që thotë “se nuk mund ta marrim të vërtetën prej askujt, se vet ne duhet ta rikrijojmë atë”. Shumë më heret, Sokrati e shprehu të njëjtin ide, me një imazh: mendimi nuk mund të derdhet, sikurse uji, prej një gote në një tjetër.

Leximi që paralizon

Prousti, që kishte telashe me sëmundje nervore, fut këtu krahasimin me disa sëmundje neurastenike. Leximi mund të na vërë në një gjendje të ngjashme me atë të neurastenikëve. Këtyre u ndodhë që, organet e ndryshme të trupit të tyre të kaplohen nga një pamundësi për të dëshiruar diçka dhe për të vepruar, sado që ato të mos jenë të goditura nga ndonjë sëmundje e veçantë. Puna e psikoterapeutit është që të zhbllokoj nyjën që pengon veprimin e organeve. Ngjashëm, lexuesi pasiv mund “të zhytet në baltën e një lloj përtacie e frivoliteti“, duke u penguar kështu “të zbresë brenda fushave të thella të vetvetes, aty ku fillon jeta e vërtetë e frymës“. Leximi mund ta zgjojë atë, ta nxisë që të zbulojë brenda vetes “begati të mirëfillta”. Pa këtë nxitje, që vjen nga leximi, njerëzit e tillë do të jetonin vazhdimisht në sipërfaqësi, duke harruar veten brenda “një lloj pasiviteti që i bën të jenë lodra të të gjitha kënaqësive, duke ua zvogëluar aftësitë në nivelin e mediokritetit“. Prandaj, “gjithnjë derisa leximi është për ne një nxitës, çelësat magjik të të cilit na çelin, në thellësinë tonë, dyert e hapësirave në të cilat ne nuk do të mund të depërtonim vetëm, roli i tij në jetën mendore është shpëtimtar. Ai bëhet, ndërkaq, i rrezikshëm, nëse në vend se të na zgjojë në jetën personale mendore, synon ta zëvendësoj këtë”.

Për dallim nga shumë autorë të tjerë, që ndalen në përshkrimin e ëndjeve magjepsëse që u ka ofruar leximi, Prousti sheshon lloje të ndryshme të leximit, mënyra të ndryshme të komunikimit me fjalët e fjalitë e shkruara. Ai dëshiron, veçmas, të na tërheq vërejtjen ndaj rreziqeve që mund të përmbajë të lexuarit pasiv që ushqen pasivitetin e mendjes dhe të imagjinatës. Lexuesi, që nuk ka të zhvilluar vetëveprimatrinë e frymës, “nuk di të veçojë brenda librave substancën që do të mundë ta forconte frymën e tij ; ai ngarkohet me trajtën e tyre të paprekur, e cila, në vend se të jetë për të një element i asmilueshëm, një parim i jetës, bëhet një trup i huaj, një parim i huaj”. Për Proustin kjo është një “shije e sëmurë”, “një respektim fetishist për libra”.

Këtu, Prousti bën një dallim midis leximeve edhe në saje të dallimit midis formimit të lexuesve: “Aftësia për leximin e dobishëm është shumë më e madhe te mendimtarët sesa te shkrimtarët”. Si shembull për këtë pohim, ai merr Schopenhauerin, si “imazh të një fryme, vitaliteti i së cilës bartë lehtazi edhe leximin më të madh, ngase nga çdo njohuri e re arrin të nxjerrë, përnjëherë, pjesën më të gjallë që ajo përmban”. Prousti, mendon, në fakt, se sensibiliteti artistik mund të pësoj më shumë se sa intelekti nga leximi që ka për qëllim erudicionin. Kjo s’do të thotë se Prousti i këshillon shkrimtarët që të lexojnë sa më pak. Megjithatë, nuk është mos leximi ai që mund ta ushqejë sensibilitetin artistik. Prousti e ka fjalën për mënyrat e leximit.

Për frymën e gjallë, që nuk heqë dorë nga vetveprimaria e vet, leximi bëhet “argëtimi më fisnik, sidomos më fisnikëruesi”. Megjithëse fuqia e sensibilitetit dhe inteligjencës sonë s’mund të zhvillohet ndryshe veç brenda thellësisë së jetës sonë spirituale, pa kontaktin me fryma (mendje) të tjera, që e ofron leximi, nuk mund të edukohen aftësitë e frymës sonë. Kështu, Prousti nyancon anët e leximit.

Libri dhe miku?

Shumë shkrimtarë e kanë krahasuar librin me mikun, e leximin me miqësinë. Prousti e problematizon edhe këtë pikëshikim. Ai nuk e flakë këtë krahasim por e saktëson natyrën e lidhjes, që sajon leximi, midis lexuesit dhe librit. Leximi është “miqësia më e sinqertë, e zhgarkuar nga gjithë ajo që përbën shëmtinë e miqësive tjera“. Meqë, “ne, të gjithë të gjallët, nuk jemi veçse të vdekur që ende nuk kemi hyrë në funksion, të gjitha mirësjelljet e përshëndetjet, ku ne fusim aq shumë rrena, janë shterpe e të lodhshme…brenda leximit miqësia, përnjëherë, rifiton pastërtinë e vet të parë“. Librat janë miq ndaj të cilëve nuk shfaqim mirësjellje të rreme: “Kur e kalojmë natën me libra, këtë e bëjmë nga dëshira e vërtetë“. Atmosfera e kësaj miqësie të pastër “është heshtja, më e pastër se fjala. Sepse ne flasim për hir të të tjerëve, por ne heshtim për veten tonë. Prandaj, heshtja nuk bartë, sikurse, fjala, gjurmët e të metave tona, grimasat tona“.

Për fund, ja një krahasim të bukur që e bën Prousti midis aktit të leximit dhe bredhjeve nëpër rrugë e sheshe të së kaluarës e të së tashmes: “Komedia hyjnore, veprat e Shakespeareit, japin po kështu përshtypjen se sodisim, të futura brenda çastit të tanishëm, fragmente nga e kaluara; kjo mbresë ekzaltuese bën që disa Ditë të leximit t’i përngjajnë bredhërimave në Venedik, në sheshin Piazzeta bie fjala, kur kemi para vetes, në një ngjyrë gjysmë-joreale të gjërave të vendosura disa metra larg nesh dhe, njëherësh, shumë shekuj më larg prej nesh, dy shtylla graniti të përhimëta dhe rozë, që mbajnë mbi kapitelet e tyre, njëra luanin e Shën Markut, tjetra Shën Teodorin duke shkelë krokodilin; këto dy të huaja të bukura që kanë ardhur dikur nga Orienti, buzë detit që thyhet pranë këmbëve të tyre; pa kuptuar bisedat e këmbyera rreth vetes, ato vazhdojnë të kalojnë ditët e tyre që nga shekulli i XII brenda turmës së sotme, mbi këtë shesh publik ku shkëlqen ende habitshëm, krejt afër, shikimi i tyre i largët”.

/Telegrafi/