eksperti-banner

Letër e hapur z. Ali Ahmetit

I nderuari zotëri Ahmeti, po ju drejtohem me këtë letër të hapur Juve si dhe partisë të cilën ju udhëhiqni, me qëllimin e vetëm që ndoshta sadopak do ju hap një shteg për diskutim të brendshëm, por ndoshta edhe me ata që Ju kanë votuar.


Ideja për t’ju shkruar, më erdhi nga një kontakt para ca ditësh që kisha me një mikun tim francez, dhe në bisedë e sipër për situatën në Maqedoni ai më tregoi një eksperiencë të tijën në Mauritani para nja 15 vitesh: “Mauritania në vitin 1989, në mos gabohem me ligj e heqin skllavërinë dhe si pasoj ndërmarrin masa për integrimin e skllevërve, në shumicën e rasteve zezake. Miku im më thotë, isha në një takim me një person me post të lartë qeveritar i cili në rezidencën e tij kishte mbi 20 zezakë të cilët shërbenin. Dhe në pyetjen e mikut tim “si i integroni ish skllevërit?” personi në fjalë përgjigjet “duke i integruar, psh. zëvendësi im është zezak”. Miku im i impresionuar i thotë se kjo është një gjë shumë e mirë, hap i drejtë, se vetëm ashtu krijohet shteti i përbashkët. Por personi tjetër e ndërpret dhe i thotë “e dini çfarë, zëvendësi im nuk ka të drejtë të më sheh në sy”.

E pikërisht ky ishte momenti që më shtyri të mendoj për situatën tonë në Maqedoni.
Unë dhe si shumë bashkëmendimtarë të mijë ishim ata të cilët ju ndiqem pas, ju përkrahëm gjithmonë kur ishte nevoja për një gjë të tillë. Ne ishim ata të cilët kur ishte nevoja e votuam partinë në krye të cilës jeni Ju, dhe nuk e votuam partinë tjetër. Për aspekte higjienike, nuk po e përmend emrin e tyre.

Unë, ju votova për shkak se mendova se programin zgjedhor (në zgjedhjet parlamentare) që Ju e plasonit, do jetë me të vërtet ajo e cila do e udhëheqë punën tuaj. Në këtë program unë shihja një frymë “AKCIONARE” d.m.th. shihja dëshirë për veprim, për ti ndryshuar gjërat, për të qenë pjesë e vendimmarrjes në këtë shtet të përbashkët, siç Ju deklaroni.

Dhe tani them a thua vallë, mos këtë program e ka zëne pluhuri në ndonjë nga sirtaret e juaja, apo ishte vetëm një nga leksionet bazike të marketingut për të manipuluar me popullin.

Ndoshta do pyeteni nga vallë më vjen e gjithë kjo indinjatë?

Në kohë të fundit jemi spektatorë të nëmur nga gjithçka që po ndodhë në drejtimin e përfaqësimit të popullit i cili ju ka votuar. Ju jeni pjesë e qeverisë në të cilën përveç se duhet të merrni pjesë për të shërbyer si agjenci punësimi për ushtarët e juaj partiakë (për këtë çështje, kam teori më vete për pasojat e mëdha negative të cilat do i shohim pas disa viteve, por për këtë herë tjetër), do të duhej të merrnit pjesë edhe në krijimin e politikave, programeve dhe në marrjen e vendimeve për çështje të rëndësishme në shtetin tonë.

I nderuar z. Ali Ahmeti, ajo që unë tani po shoh, është thjesht një lider dhe një parti “REAKSIONARE” vs “AKSIONARE” siç e propagandonit veten dhe partinë tuaj ne zgjedhjet e fundit.

E dini pse e them këtë?

Së pari, jeni pikërisht Ju ata të cilët duke qenë pjesë e pushtetit, reaguat pasi që “pas shpine” doli në pah çështja e Enciklopedisë së maqedonasve. Ku ishit JU, që të ishit pjesë e krijimit të enciklopedisë e cila së fundmi u botua me parat e mija.

Së dyti, Ju jeni pikërisht ata të cilët filluat reagim vetëm pasi që ministri i Arsimit e bëri fakt të kryer mësimin e gjuhës maqedonase prej klasës së parë. Ku ishit Ju dhe ata që punësuat për të qenë pjesë e marrjes së vendimit para se të bëhej kjo fakt i kryer. Këtu prapë unë duhet të paguajë për diçka që nuk është sipas vullnetit tim.

Së treti, jeni pikërisht Ju ata të cilët reaguat pasi u bë fakt i kryer dhe u prezantua plani për “Shkupin 2014”. Ju lutem, ku ishit Ju dhe ata që punësuat kur merrej vendimi për këtë gjë. Unë prapë jam ai i cili duhet të paguaj për diçka që nuk shpreh identitetin tim kombëtar, apo akoma më pak realitetin e këtij shteti.

Mendoj se ishte mjaft, se tani më është momenti i fundit të kthjelloheni, të rregulloni busullën në kursin e duhur dhe të bëni atë për të cilën ju kemi votuar JU.
Dua të shoh “AKCIONAR” ashtu siç pretendonit në programin tuaj zgjedhor. Nëse mendoni se mundeni, atëherë veproni. Nëse jo, ka njerëz të cilët munden, dinë dhe kanë guximin që mos të jenë “zezaku që nuk guxon të shoh eprorin e tij në sy”.

Për në fund:

Është koha që të filloni të bëni presion të gjithë atyre që Ju, ua keni mundësuar të vijnë në poste të ndryshme, të fillojnë të bëjnë punën e tyre.

Është koha që të ndaloni të tërhiqeni me argumentin se, nuk keni njerëz të mirëfilltë nëpër poste të ndryshme, ngaqë nuk keni kuadro të mjaftueshme shqiptare. Kemi dy universitete me më shumë se 12.000 studentë dhe kushedi se sa njerëz të diplomuar dhe të aftë. Por që ndoshta kanë vetëm një të metë se nuk janë gati që për çmimin e punës të humbin identitetin e tyre.

Është koha që të filloni ti bëni ballë intrigave të Gruevskit, dhe së fundmi të kërkoni që edhe shqiptarët të mund të jenë pjesë e “bastioneve” vetëm për Maqedonasit (e kam fjalën për Ministrinë e Financave, Sekretariatin e çështjeve evropiane, Kabineti i kryeministrit etj, etj).

Është koha që ti themi JO, vendeve të punës nëpër ministri dhe shtëpi, ku ata trajtohen ashtu si nuk do trajtoheshin edhe zezakët e Mauritanis.

Dhe së fundmi, është koha që të filloni të dëgjoni edhe ata të cilët nuk janë të gatshëm të shuajnë/shkëmbejnë identitetin e tyre me atë të një partie blu apo kuq.

Me respekt,

P.S. Kur në tekstin drejtohem me JU, me këtë ju përfshij ju dhe Kryesinë e partisë tuaj.