AKSH del “publikisht” me maska (Foto/Video)

Takimi mbahet në një hapësirë të ngushtë, ndërsa situata në Luginë të Preshevës dhe në veri të Kosovës janë temat që diskutohen nga ata që thonë se janë eprorë të AKSH-së.
AKSH kërkon mobilizim të pjesëtarëve që janë të gatshëm për mbrojtje, ndërsa në xhirim urdhra jep personi që thotë të jetë komandat i njësitit special Kobra. Ata thonë se kanë armatim modern, por atë e shfaqin përmes fotografive.
Pas largimit të komandantit, takimin e vazhdojnë të tjerët “me plane konkrete”.
“Një pjesë e marrë përsipër unë, dy të tjerët për çdo situatë të përgatitur”, dëgjohet të flitet në xhirim, e po ashtu edhe se “snajperistët janë 24 orë në vëzhgim”.
KTV ka siguruar edhe një faksimile të nënshkruar më 9 janar 2012 në Vushtrri, nga “Komandant Koçaku” dhe “Komandant Klina”, ku kërkohet mobilizimi i pjesëtarëve të AKSH-së.
Paraqitje të AKSH-së, qoftë me komunikata apo me xhirime, ka pasur edhe më herët, sa herë ka pasur tensionime të situatës me shqiptarëve dhe të tjerëve në rajon, por gjithçka ka përfunduar me pompozitete mediale, për çka shumëkush AKSH-në e ka quajtur edhe “ushtri virtuale”. /Telegrafi/























































