eksperti-banner

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në Kuvendin zgjedhor të partisë në Butel gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për protestat në Shqipëri. Ahmeti tha se armiqtë e kombit tentojnë të krijojnë pasiguri. Ahmeti gjithashtu theksoi se me këto protesta goditet industria më e madhe e Shqipërisë, turizmi.

"Ka ca ngjarje, zhvillime edhe në Shqipëri. Ai është vend ku ne na kanë ndihmuar. Shqipëria ka strehuar Kosovën. Shqipëria është pjesë e pandarë e lirisë së Kosovës. Pa ndihmën, pa mjetet e Shqipërisë, Kosova nuk do ishte Kosova që është sot. Prandaj, me dhimbje po i përcjellim gjërat. Ne e shohim që këtu Shqipëria, nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje. Goditje të forta".


"Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Goditet tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, sepse turizmi po i rrezikohet nga Shqipëria, po i rrezikohet Greqisë. Që një shtet fqinj s’bën me menduar kështu për fqinjin e vet, po ja që ka ndodhur, që deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia. Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate? Në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bën fushatën për protestat në Shqipëri".

"Dikush mund të ngrihet dhe të thotë: Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbet Shqipëria. Po goditet. Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; dega kryesore, investimet e huaja dhe vendore. Mos kujtoni që nuk ka pasoja për investitorët vendorë, e mos flasim më për të huaj. Se asnjë investitor vendor nuk rrezikon kapitalin e vet aty ku ka pasiguri".

"Dhe kush tenton pasigurinë ta krijojë në Shqipëri? Armiqtë e kombit shqiptar. Unë nuk them që këta kanë dalë në shesh aty, janë armiq, po kanë rënë në grackën e armiqve, pa analizuar dhe pa e studiuar mirë pasojat që i shkaktojnë kombit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë", tha Ahmeti./Telegrafi/