Agresivitet, karakter, futboll dominues dhe synimi i madh për Botërorin - Maran zbulon planin për Shqipërinë

Rolando Maran është zyrtarisht trajneri i ri Kombëtares Shqiptare. Përmes një konference për media, paraditen e kësaj të marte, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka prezantoi trajnerin e ri të ekipit tonë kombëtar, Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë për 1 vit e gjysmë me FSHF-në.
Trajneri i ri i ekipit kombëtar shqiptar u shpreh shumë i lumtur për detyrën e re dhe falënderoi Presidentin Duka për besimin, ndërsa komplimentoi edhe ish-trajnerin Sylvinho për të gjithë punën e bërë me kuqezinjtë përgjatë këtyre viteve.
“Dua të falënderoj Presidentin që më dha këtë mundësi. Dua të falënderoj Sylvinhon për fjalët, dhe komplimente për atë që ka bërë në këto vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe për këtë keni të gjitha komplimentet e mia. Rikthehem te falënderimi për presidentin sepse po më jep mundësinë për të trajnuar një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Duke qenë afër shtëpisë tuaj, është diçka që ndihet, sa herë flet me një tifoz shqiptar”, ka thënë fillimisht Maran në konferencën për shtyp.
“Është një krenari e madhe për mua dhe premtimi është që ta transmetojmë të gjithë dashurinë tuaj për fanellën në fushë, duke dhënë gjithçka nga vetja ime dhe duke i kërkuar të gjithëve që do punojnë me mua nga stafi im, lojtarëve dhe të gjithëve atyre që do punojmë së bashku këtu në FSHF”.
“Për mua është një impenjim që po ndërmarr, emocionohem pak është diçka që e ndjej brenda, është shumë e fortë që po ndjej për këtë mision. Ajo që dua të them është kjo, të transmetojmë në fushë, atë që përfaqësoni, të gjithë tifozët dhe kombi”, shtoi trajneri italian, para se t’ia nis përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve.
Cila do të jetë filozofia jote në Kombëtaren shqiptare? – Mua më pëlqen të kem skuadër agresive, duhet të tregojmë që jemi të fortë në fushë. ADN-ja ime është kjo dhe dua të transmetoj këtë gjë. Kam pyetur shumë herë, është diçka që nuk e fsheh duke marrë parasysh që do të drejtoj këtë Kombëtare, nuk është njësoj si të trajnosh një klub, ka një ndjenjë përkatësie.
Për herë të parë do të drejtoni një Kombëtare, cili është dallimi nga drejtimi i një skuadre? – Kam pyetur shumë, duke qenë që është hera e parë. Zgjedhja për të thënë po për Shqipërinë është sepse kjo Kombëtare nuk është si të trajnosh një klub. Ndjenja e përkatësisë është e fortë, për mua kjo është diferenca.
Sa e njihni ekipin tonë Kombëtar dhe a ju kanë folur Edi Reja apo De Biasi për Kombëtaren? – E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre. Kam folur me De Biazin, përveçse është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. E di çfarë ka bërë ai këtu. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj.

A mendoni që Shqipëria ka një bazë të mirë solide për të arritur objektivat që Presidenti tha më parë? – Nëse nuk do ta mendoja, nuk do të isha këtu. Janë mundësitë për të arritur objektivat, nuk do të jetë e thjeshtë, por mund t’ia dalim. Ne kemi mundësi për të bërë më tepër edhe ndaj skuadrave që mund të jenë më të forta në letër, të arrijmë objektivin për të qenë kompetitivë.
A mendoni të provoni lojtarët nga Kombëtarja U-21 dhe kampionati shqiptar? – Sigurisht çdo gjë është e konsideruar, edhe lojtarët e Kombëtares U-21. Në Itali është ndryshe, trajneri momental do të bëjë dy ndeshje miqësore dhe nuk do të jetë më. Janë edhe zgjidhje që bëhen për shkak të një rrugëtimi ndryshe. Ne nisim një rrugëtim të ri drejt arritjes së objektivave. Të jemi të vëmendshëm ndaj çdo lojtari të ri, edhe nga Kombëtarja U-21.
Cila do të jetë filozofia juaj, pasi kur mendojmë për një trajner italian, mendojmë një lojë në mbrojtje? – Kjo trashëgimi që ekziston për trajnerët italianë qëndron, por ajo që thashë pak më herët është se duhet të kemi një qëndrueshmëri totale për ta dominuar ndeshjen, për të qenë më të zotë se kundërshtarët, dhe kjo nuk lidhet vetëm me mbrojtjen. Është e rëndësishme të mbrohesh mirë. Mendoj se duhet të ketë një ekuilibër. Sigurisht që duhet të vlerësojmë edhe bazën e lojtarëve që kemi në dispozicion. Ajo që unë dua të sjell është një skuadër që luan futboll, por sigurisht që do të ketë momente kur duhet të mbrohemi dhe këtë duhet ta bëjmë si skuadër. Ky është çelësi për të arritur rezultate. Nuk mund të ekzistojë njëra pa tjetrën. Për të arritur rezultate të mira, duhet që këto gjëra të ecin hap pas hapi.

Ëndërr mbetet Botërori? – Kjo është ëndrra ime, ashtu siç është edhe e juaja. Momentalisht, ëndrra ime është ëndrra juaj: të arrij të sjell ato rezultate që të gjithë i dëshirojmë. Nëse jam këtu, do të thotë që kam bindjen se me përkushtim, me një grup të bashkuar dhe me pak fat, kjo gjë mund të arrihet.
Ju vini nga futbolli italian, ku kemi një bazë lojtarësh aktualë, por edhe të perspektivës. Sa i njihni lojtarët? – Ata që luajnë në Itali i njoh të gjithë, me disa jam ndeshur si kundërshtar. Janë lojtarë që i njoh mirë. E përsëris, Shqipëria është një Kombëtare që unë e njoh mirë për sa i përket ndjekjes së ndeshjeve dhe studimit të saj, siç po bëjmë tani. Sigurisht, në vazhdim do të plotësohet njohja përmes stërvitjeve, por edhe duke pasur një raport me ta.
A do të jetoni në Shqipëri si Sylvinho apo nuk e keni marrë ende si vendim? – Sigurisht që do të transferohem këtu. Është gjëja e parë për të cilën kam folur me Presidentin. Nëse dua ta stërvis mirë këtë skuadër, nëse dua të jem pjesë integrale e saj, kam nevojë dhe dëshirë të jetoj këtu. Kjo me siguri do të më mundësojë ta bëj më mirë punën time, të jem më afër realitetit tim, që është realiteti juaj.

Cila është pika e fortë e skuadrës sonë? – Nuk mund të bëj një gjykim të tillë përpara se t’i stërvis lojtarët. Mendoj se është një skuadër që ka lojtarë me karakteristika shumë të mira, por lojtarët duhet të jenë funksionalë për sistemin e lojës.
Një skuadër ndërtohet jo vetëm nga lojtarët cilësorë, por edhe nga lojtarët që sakrifikojnë për grupin. Nuk dua të jap një gjykim të hershëm, nuk dua të gaboj. Ka disa specifika të skuadrës me të cilat mund të punojmë dhe kjo gjë më stimulon. Kam dëshirë t’i shoh dhe t’i stërvis. Jam i bindur që ky mozaik mund të plotësohet shumë mirë.
Vendi i parë në Ligën e Kombeve apo përgatitja për kualifikueset e Euro 2028? – Mendoj se të fitosh të ndihmon të fitosh. Ajo është rruga për të ardhur i përgatitur, për të bërë mirë fillimisht dhe për të bërë mirë edhe më pas.
/Telegrafi/


















































