LAJMI I FUNDIT:

“Afera e Hidrocentraleve”, dëshmitari thotë se përmes vendimeve të Qeverisë e mori vesh për çështjen e privatizimit

“Afera e Hidrocentraleve”, dëshmitari thotë se përmes vendimeve të Qeverisë e mori vesh për çështjen e privatizimit

Kshilltari teknik dhe biznesor në Njësinë për Implementimin e Projekteve, Burim Hashani ka deklaruar se nuk kishte pasur njohuri mbi privatizimin e hidrocentraleve dhe se këtë e kishte marrë vesh përmes vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Këtë deklarim ai e ka dhënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Afera e Hidrocentraleve” ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe dy të akuzuarve të tjerë Fëllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.


Për këtë rast, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe Fëllanza Hoxha e Arben Gjuka po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e prokurorit special, Atdhe Dema, dëshmitari Hashani deklaroi se i kujtohet deklarata e dhënë në polici dhe mbetet pranë të njëjtës.
Në procesin e privatizimit ai tha se janë krijuar dy dhoma që kanë pasur për qëllim informimin e kompanive të parakualifikuara me detajet, gjendjen për kompaninë që ata janë të interesuar për të privatizuar.

Prokurori Dema e pyeti dëshmitarin se a ishte në dijeni se çka ka qenë duke u privatizuar KEK-u dhe a privatizohet KEK-u si kompani apo vetëm një pjesë e saj, por u refuzua nga trupi gjykues pas kundërshtimit nga avokati Besnik Berisha.

Avokati Berisha i cili përfaqëson të akuzuarin Beqaj, tha se nuk është e drejtë që persona që nuk janë ekspertë të vijnë këtu dhe të japin mendime konspirative qofshin edhe në favor të mbrojtjes.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori se a ishte në dijeni se çfarë është privatizuar komplet KEK-u apo një pjesë e tij, Hashani tha se në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës ka qenë privatizimi i kompanisë së distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike.

Dëshmitari shtoi se këtë e kishte mësuar pasi që kishte hyrë në proces.

Lidhur me pyetjen e prokurorit Dema se a ishte në dijeni dëshmitari që hidrocentralet konsiderohen aset i distribuimit dhe shpërndarjes apo aset i prodhimit, i njëjti deklaroi se nuk kishte pasur dijeni.

Kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Berisha i cili tha se kjo është huqje në parashtrimin e pyetjeve direkte, mirëpo u refuzua kundërshtimi i mbrojtjes.

Tutje, prokurori Dema kërkoi nga dëshmitari të di nëse ka pasur qasje në “data room” dhe nëse po cili ka qenë funksioni i tij, e për këtë dëshmitari tha se nuk kishte pasur qasje.

Në pyetjen e avokatit Berisha se a kanë qenë dy vendime për privatizim, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.

Po ashtu, i njëjti u pyet se a mund të konkludohet se nuk e dinte se në pronësi të kujt kishin qenë këto asete, me këtë rast dëshmitari Burim Hashani nuk u përgjigj pasi që gjykata refuzoi pyetjen pas kundërshtimit të prokurorit.

Prokurori Dema tha se dëshmitari nuk është për të konkluduar, por për të dëshmuar se a ka njohuri apo jo për një çështje të caktuar.

Kurse, i pyetur nga avokati Berisha lidhur me pronësinë e hidrocentraleve se a ka njohuri kujt i kanë takuar ato, dëshmitari tha se nuk e di.

“Meqenëse prokuroria në aktakuzë ka përdorur nocionin se nuk është dashur të privatizohen, a mendoni se është dashtë të privatizohen”, ishte pyetja e avokatit Berisha, ku gjykatësi Valon Kurtaj tha se fillimisht të tregojë dëshmitari se a është ai i thirrur për të dhënë këtë përgjigje.

Për këtë, dëshmitari Hashani tha se nuk është i thirrur për të dhënë këtë përgjigje.

Avokati kërkoi të di se gjatë asistencës së tij teknike a kishte hasur ndonjë dokument me të cilin ishte ndaluar transferimi i katër hidrocentraleve tek ndërmarrja KKDFE, për çka dëshmitari deklaroi se nuk kishte hasur në ndonjë dokument të tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarës Fllanza Hoxha, avokati Artan Qerkini kërkoi nga dëshmitari të di se NJIP a ka qenë sekretariat teknik, kurse dëshmitari tha se po.

Kur u pyet për të përshkruar detyrat e NJIP, në procesin e privatizimit të KEDS-it, dëshmitari tha se si sekretariat teknik është marrë me punë ditore të koordinimit dhe menaxhimit teknik të projektit të Komisionit Qeveritar për Privatizim.

Ndërsa lidhur me atë se a kishte pasur NJIP kompetenca të vendos të dhëna në “data room”, dëshmitari tha se nuk kishte pasur kompetenca të tilla dhe as të korrigjojë listën e aseteve të ndodhura në “data room”.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kurtaj se çfarë ka përfshirë “data room”, dëshmitari tha se ajo ka përfshirë gjithçka në lidhje me kompaninë, burimet njerëzore, financa, kontrata të ndryshme, etj.

Sipas dëshmitarit, për futjen e informatave në “data room’, kishte vendosur KEK-u, mirëpo për këtë nuk ishte i sigurt.

Ai tha the Komiteti Qëndror për Privatizim dhe NJIPI, nuk kishte pasur qasje në informata.

Gjykatësi e pyeti Hashanin edhe nëse kishte dikush kompetencë me heq prej data-room dokumente, asete apo çfarëdo që të jetë, por për këtë, dëshmitari tha se nuk e di.

Ai shtoi se procesi teknikisht ka qenë procesi ma transparent që mundet me ekzistu, kjo sipas feecback-ut të IFC dhe Deltoide.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua më 10 nëntor 2021.

Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.

Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Po ashtu, dëm tjetër sipas PSRK-së është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, vlerë e cila nuk është regjistruar dhe prezantuar si vlerë e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së regjistruar në vitin 2003, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.

Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.

PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.

Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.

Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.

Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.

Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj./betimiperdrejtesi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori