LAJMI I FUNDIT:

Aeroplani amerikan rrëzon dronin turk në Siri

Aeroplani amerikan rrëzon dronin turk në Siri

Shtetet e Bashkuara rrëzuan të enjten një dron të armatosur turk që po vepronte pranë trupave të saj në Siri.

Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë një zyrtar amerikan, në atë që po vlerësohet hera e parë që Uashingtoni tha se rrëzoi një fluturake të aleatit të NATO-s, Turqisë.


Por një zyrtar i ministrisë turke të mbrojtjes theksoi se droni i rrëzuar nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja nuk i përkiste forcave të armatosura turke, por nuk tha se i kujt ishte.

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se një F-16 rrëzoi dronin turk pasi Shtetet e Bashkuara i thirrën disa herë zyrtarët ushtarakë turq për t’i paralajmëruar ata se po vepronin pranë forcave tokësore të SHBA-së.

Ndërkohë Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe një burim lokal i sigurisë kanë thënë se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja kishte rrëzuar një dron turk pranë një baze në Sirinë verilindore.

Mbështetja e SHBA-së për forcat kurde në Sirinë veriore ka shkaktuar prej kohësh tensione me aleaten e NATO-s, Turqinë, e cila i sheh ata si një krah të PKK.

Ky grup mori përgjegjësinë për sulmin e së dielës në Ankara pranë ndërtesave qeveritare. /Telegrafi/