Një vajze 15-vjeçare në Kinë që dukej dekada më e vjetër për shkak të një gjendje të rrallë, i është dhënë një pamje e re nga një operacion plastik.

Intervenimi nga mjekët, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i ka ndryshuar jetën vajzës, pasi disa vullnetarë u bashkuan për të mbuluar faturat e saj mjekësore.

Adoleshentja, e njohur me një pseudonim Xiao Feng, ishte ngacmuar në shkollë për pamjen e saj dhe është ndjerë e pasigurt dhe inferiore ndaj të tjerëve gjatë gjithë jetës për shkak të lëkurës së saj të rrudhur.

Ajo u njoh me publikun për herë të parë sot pasi iu nënshtrua procedurës, e cila u zhvillua në fund të muajit të kaluar dhe zgjati shtatë orë e gjysmë, sipas mjekëve.

Kirurgët nga Spitali i Kirurgjisë Plastike Shenyang Sunline pretenduan se Xiao Feng kishte progeria, një gjendje e rrallë gjenetike që shfaqet në një në tetë milion lindje dhe shkakton “plakje të parakohshme”.

Në rastin e Xiao Feng, përcjell Telegrafi, gjendja preku vetëm lëkurën e saj, jo organet e saj, tha një zëdhënëse nga spitali për MailOnline.

Nëna e Xiao Feng thuhet se ka të njëjtën gjendje.

Operacioni kirurgjik u zhvillua në 29 dhjetor dhe morën pjesë 10 kirurgë, tre anestezistë dhe pesë infermierë, sipas spitalit.

Dr. Shi Lingzhi, shefi i spitalit, tha që kirurgët larguan lëkurën e tepërt nga Xiao Feng. Mjekët riformuan gjithashtu hundën, vetullat dhe gojën e adoleshentes.

Me një paraqitje të re, Xiao Feng u paraqit para publikut nga spitali në një konferencë shtypi në Shenyang, kryeqyteti krahinor i Liaoning. /Telegrafi/