LAJMI I FUNDIT:

Absinti: Sot e “ndaluar”, dikur pija e preferuar e artistëve

Absinti: Sot e “ndaluar”, dikur pija e preferuar e artistëve

Historia e pijes alkoolike të ndaluar në pjesën më të madhe të Evropës, bëri shumë shkrimtarë të frymëzoheshin dhe Van Goghin që të priste veshin

Absint (Absinthe) është pije e njohur për efektet halucinogjene dhe për popullaritetin me autorët dhe artistë legjendarë. Arthur Rimbaud e quajti “bima e akullnajave”, për shkak të një përbërësi kyç: bimën Artemisia, që ndodhet në rajonet e akullta të Zvicrës. Pikërisht këtu është vendi ku pija legjendare aromatike erdhi për të simbolizuar dekadencën. Ajo u shpik në fund të shekullit të XVIII.

Gjatë Epokës së Artë, Pija Jeshile – nofkë të cilën e mori nga ngjyra e saj dalluese – ishte pija e zgjedhur nga shumë shkrimtarë dhe artistë në Paris. Ora 17:00 quhej Ora Jeshile, një orë e lumtur kur kafenetë mbusheshin me pijedashës të Absintit. Kjo pije forconte ose shkatërronte miqësitë, e krijonte vizione ose gjendje ëndrrash që shërbenin si frymëzim për punimet artistike. Ajo i jepte formë simbolizmit, surrealizmit, modernizmit, impresionizmit, post-impresionizmit dhe kubizmit. Dhjetëra artistë e përdornin atë.


Absinti, në konceptimin e saj, nuk dallonte nga përgatitjet e tjera bimore mjekësore. Aroma e saj është e ngjashme me atë të koprës. Kjo pije ishte një lloj aperitivi që të krijonte halucinacione e sjellje të çuditshme. Analiza bashkëkohore tregon se ajo të shkaktonte një efekt psikoaktiv. Shumë vetë janë helmuar nga alkooli që ajo përmban, kur kanë pirë 12-20 gota në ditë.

Rimbaud, Baudelaire, Paul Verlaine, Emile Zola, Alfred Jarry dhe Oscar Wilde ishin ndër shkrimtarët e shumtë që e konsumonin. Jarry insistonte ta pinte atë të pastër, Baudelaire përdorte edhe opium, e Rimbaud e kombinonte me hashash. Ata shkruan për varësinë ndaj tij dhe efektin në procesin kreativ.

Në poemën “Helmi” (Poison), nga vëllimi i tij i vitit 1857, “Lulet e së keqes”, Baudelaire e renditi Absintin përpara verës dhe opiumit. Edmund White, në shënimet e tij biografike e pa Absintin si një mjet artistik, ndërsa Rimbaud si një mënyrë për të ndryshuar realitetin. Sipas tij, “në mënyrë që shqisat e një poeti të arrinin çrregullime të gjata, të jashtëzakonshme dhe racionale, këtë efekt halucinogjen mund të ta jepte vetëm Absinti”.

Guy de Maupassant pinte alkool, ashtu siç bënin personazhet në tregimet e tij të shkurtra. Në një nga tregimet e tij, ai përshkruan një notere provinciale e cila ishte e ftuar në studion e një piktori të vlerësuar. Ajo piu aq shumë Absint, sa që u përpoq të kërcente vals me karrigen e tij dhe më pas ra në tokë. Nga ai moment, harron gjithçka dhe të nesërmen zgjohet nudo në një shtrat të huaj.

Bashkëkohorët mendojnë se pija Absint ka shkurtuar jetët e Baudelairet, Jarryt dhe poetëve Verlaine dhe Alfred de Musset. Prej kësaj pije, Vincent Van Gogh ka prerë dhe veshin. Në vitin 1915 Absinti u ndalua në Francë, Zvicër, SHBA dhe shumicën e Evropës, sepse prej saj janë shkaktuar edhe vrasje.

Pija Jeshile u venit si ndikim kulturor në pjesën më të madhe të shekullit XX. Ajo u zëvendësua nga koktejet, martinit dhe në vitet ‘60 nga drogat.

Ernest Hemingway e përdorte Absinthin gjatë kohës që punonte si gazetar në vitet ’20 të shekullit të kaluar, dhe më pas gjatë Luftës Civile Spanjolle. Edhe personazhet në veprat e tij ngushëlloheshin me këtë pije.

Në fund të shekullit XX, Absinti u bë pikë referimi në mesin e një brezi të ri shkrimtarësh në San Francisko dhe New Orleans. “Absinti digjte fytin tim me aromën e tij”, shkruante shkrimtari i veprave horror, Poppy Z Brite, në një tregim të vitit 1989.

“Absinti i sotshëm është një pije që të mpin gjuhën, por që të mpreh shqisat”, thotë Lance Winter, mjeshtër i prodhimit të pijeve, i cili ofroi Absintin e parë ligjor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të vitit 2007.

“Për mendimin tim, Absinti të sjell një lloj ‘prekjeje’ supernatyrale”, thotë Rosie Schaap, kolumniste në New York Times.

Në rrethet e sotme letrare, Absinti shihet më shumë si një dëfrim, si një lloj kokteji që ofrohet nëpër mbrëmje. Tani ai është gjerësisht i disponueshëm, në versione me cilësi të ndryshme, nga cilësia më e dobët e deri në 10 mijë dollar shishja – si marka Marilyn Manson.

Ashtu si pjesë e shtuar nëpër kokteje, Absinti kujtohet si pjesë e shkrimtarëve të Epokës së Artë.

Thashethemet tregojnë se kur Vincent Van Gogh preu veshin dhe ia bëri dhuratë një prostitute, ai ishte i dehur nga Absinti. Ai është pasqyruar duke qëndruar i qetë përpara një gote me pijen, në një portret që i ka bërë në vitin 1887, Henri de Toulouse-Lautrec. Edhe miqtë e tij më të mirë e kanë portretizuar piktorin si një nga klientët më të mirë të pijes. Ai është bërë i njohur si konsumuesi më i rregullt dhe ndikimi i saj është vënë re më vonë në pikturat e tij. Madje, ai i ka bërë një portret vetes, teksa qëndron në lokalin e tij të preferuar duke konsumuar Absint.

Për më shumë se një shekull kanë qarkulluar në të gjithë Evropën histori çmendurish dhe halucinacionesh të shkaktuara nga pija, që në zhargon quhej “La fée verte” (Zana Jeshile). Kjo sepse asnjë pije në botë, ndoshta me përjashtim të konjakut, nuk ka pasur një listë kaq të gjatë klientësh të famshëm. Historianët e kohës tregojnë se më shumë se 30 mijë “zotërinj” në Paris, në të cilët bënin pjesë artistët më të shquar të kohës, konsumonin Absint në vitin 1860. Ajo që u quajt “Epoka e bukur” u karakterizua nga konsumimi me tepri i së ashtuquajturës “Zana Jeshile”. Askush që hynte në kafenetë e kulturës, nuk mund të shpëtonte pa e pirë. Në listën e gjatë të artistëve të dashuruar pas saj, nuk mund të mbesin jashtë Pablo Picasso, Julius Verne, Henri de Toulouse Lautrec, Edouard Manet, Vincent Van Gogh, Hilaire-Germain Edgar Degas, Paul Marie Verlaine, Arthur Rimbaud, Oscar Wilde, Edgar Allen Poe, Ernest Hemingway e shumë të tjerë. Të gjithë këta ishin krenarë për stilin bohemian të të jetuarit, të shoqëruar me shumë Absint…

Johnny Depp, aktori i njohur hollivudian, është ende një nga përdoruesit më të rregullt të Absintit. Kur i është dashur të portretizojë pijen e “Zanës Jeshile”, ai ka thënë: “Urreja kokainën, por e përdorja si Absint, e cila është si marihuana: pi shumë dhe papritur kupton përse Van Gogh preu veshin”.

Oscar Wilde është dashuruar me këtë pije të famshme dhe e ka përdorur në sasi të mëdha. “Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë”, ka pohuar shkrimtari i njohur. /Endri Farka/