LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku ngushëllon familjen për vdekjen e anëtares së LDK-së, profesoreshës Shqipe Bajçinca-Brestovci

Abdixhiku ngushëllon familjen për vdekjen e anëtares së LDK-së, profesoreshës Shqipe Bajçinca-Brestovci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime familjeve Bajçinca e Brestovci dhe gjithë komunitetit sportiv për humbjen e profesoreshës Shqipe Bajçinca Brestovci.

Në një deklaratë zyrtare, Abdixhiku tha se karriera e profesoreshës Shqipe është storje suksesi.


“Karriera e saj në sport është histori suksesi. Shqipja dha shumë për sportin shqiptar, në veçanti në fushën e hendbollit. Dha shumë dhe për programin tonë politik ‘Rruga e Re’; ajo i ishte bashkuar ekipit tonë të ekspertëve duke dhënë gjithë dijen dhe përgatitjen e saj profesionale në hartimin e planit tonë qeverisës për sportin, për të cilën i jemi mirënjohës e do ta kujtojmë gjithmonë. Rrugën e nisur së bashku për fat të keq e ndali në gjysmë sëmundja e rëndë që edhe e ndau nga ne”.

Ndërron jetë në moshë të re ish-sportistja e njohur, Shqipe Bajqinca-Brestovci
Lexo po ashtu Ndërron jetë në moshë të re ish-sportistja e njohur, Shqipe Bajqinca-Brestovci

“Ajo gjatë gjithë angazhimit të saj jetësor e profesional ka lënë gjurmë të pashlyeshme në përgatitjen dhe avancimin e profileve sportive në vend dhe më gjerë. Jeta dhe kontributi i saj do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë si një shembull i pasionit dhe përkushtimit të saj ndaj sportit e ndaj vendit”.

“Në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike dhe në emrin tim personal ju shpreh ngushëllime familjeve Bajçinca dhe Brestovci, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit sportiv në vend. Shqipe, u prehsh në paqe!”, ka shkruar i pari i LDK-së./Telegrafi/